* Can ACUN

Ndërkohë që operacioni “Dega e Ullirit”, i ndërmarrë nga Turqia dhe opozitarët sirianë për të spastruar zonën Afrin nga terroristët e YPG-së la pas një muaj, marrëdhëniet Turqi-ShBA kalojnë nëpër një sfidë serioze për shkak të mbështetjes që ShBA-ja i jep terrorit. Në këtë situatë Turqia shikon si në kërcënim ndaj sigurisë së saj kombëtare edhe si kërcënim ndaj tërësisë territoriale të Sirisë, ndërkaq Shtetet e Bashkuara të Amerikës insistojnë në vazhdimin e aleancës së tyre të pistë me organizatën separatiste terroriste PKK në Siri. Edhe pse tensionimi mes dy aleatëve të NATO-s ka hyrë në një krizë serioze për shkak të “mbështetjes së terrorit”, në të vërtet në prapaskenë qëndrojnë edhe problemet tjera serioze strukturore. Qëndrimet e ndryshme të marra gjatë “Pranverës Arabe”, përkrahja e grusht shtetit në Egjipt nga ana ShBA-së dhe para së gjithash angazhimi në lidhje me FETO-në që qëndron prapa tentativës së dështuar për grusht shteti më 15 korrik 2016, kanë tronditur marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Deklarata e Ministrit të Jashtëm, Mevlut Çavusoglu në lidhje me marrëdhëniet Turqi-ShBA se “Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë në një pozitë shumë kritike. Ose do ti rregullojmë këto marrëdhënie ose do ato do të prishen”, vënë në pah seriozitetin e situatës në të cilën ndodhen këto marrëdhënie. Sado që pala amerikane reziston të kuptojë seriozitetin e Turqisë, ministri i Jashtëm, Çavusoglu duke aluduar në fjalimin e Sekretarit amerikan të Shtetit të bërë gjatë mbledhjes për luftën kundër DAESH-it, ku ai tha se “Kuptojmë shqetësimet e Turqisë”, bëri të ditur se “Turqia tani pret më shumë vepra se fjalë”. Kjo deklaratë e Çavusoglus është tregues se Turqia ka humbur besimin tek ShBA-ja dhe se kërkon përmbushjen e premtimeve të dhëna. Në qoftë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk përmbushin premtimet e dhëna Turqisë, kjo e fundit do të mund të marr vendime radikale. Sikur ShBA-ja të hedh hapa në përputhje me botëkuptimin e aleancës dhe në drejtim të përmirësimeve të marrëdhënieve me Turqinë, duket se rindërtimi i besimit do të marrë një kohë të gjatë.

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh zëdhënësi i qeverisë, Bekir Bozdag,  në lidhje me planin për formimin e korridorit të terrorit dhe shtetit terrorist përgjatë kufirit të Turqisë ka thënë se “ShBA-ja duhet të heq dorë nga zvarritja e Turqisë në lidhje me çështjen e organizatave terroriste PKK/KCK/PYD/YPG; Duhet të dinë se me ndryshimin e emrit apo të tabelave nuk do të mund ti fshehin organizatat terroriste dhe terroristët dhe nuk mund të mashtrojnë askënd. PYD dhe YPG-ja duhet të pranohen si organizatë terroriste pa asnjë kusht; duhet ti japin fund bashkëpunimit dhe mbështetjes ndaj organizatave terroriste në trajnim, pajisje, armë, municion dhe mbështetje tjera, si dhe të mbledhë armët e dhëna organizatave terroriste”.

Nën dritën e të gjitha këtyre zhvillimeve Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson zhvilloi një vizitë zyrtare në Turqi. Tillerson, i cili pati një bisedë të gjatë me Presidentin Erdogan, zhvilloi një takim edhe me homologun e tij turk, Mevlut Çavusoglu. Gjatë këtyre takimeve palët konfirmuan partneritetin strategjik mes tyre, ndërsa Turqia shfrytëzoi rastin që ti përcjellë ShBA-së kërkesat e saj nga dora e parë. Gjatë këtyre takimeve palët ranë dakord për formimin e një mekanizmi për zhvillimin e bisedimeve në lidhje me veriun e Sirisë me në krye çështjen e Menbixhit. Por, Turqia u shpreh qartë se deri sa në njërën anë vazhdojnë bisedimet me ShBA-në ajo në anën tjetër do të vazhdojë të synojë drejtpërdrejtë organizatën separatiste terroriste PKK/YPG.

Natyrisht që problemet e jetuara mes ShBA-së dhe Turqisë nuk manifestohen vetëm në çështjen e PKK/YPG-së. Në themel shohim se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kujdesen që Turqinë të mos e shohin si një aktor thelbësor në rajon, dominon qasja se në Turqi janë fokusuar në personalitetin e Erdoganit dhe kanë një qasje të bazuar në perceptime dhe retorika se Turqia është islamizuar dhe është bërë autoritare. Perceptimet, të cilat për një kohë të gjatë po publikohen në institucionet mediatike dhe që përkrahen nga bashkëpunëtorët brenda Turqisë, i hedhin hije interesave kombëtare të Turqisë dhe zhvendosin terrenin e diskutimit. Ndërkohë që në ShBA diskutohej për “të drejtat e njeriut” dhe “vlerat njerëzore” në Turqi, të njëjtat nuk kanë rëndësi për ShBA-në në vendet e Lindjes së Mesme si Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Egjipti, të cilat orientohen nga ajo. Arsyeja kryesore e qëndrimit ambivalent (të dyvlershëm) të ShBA-së është se Turqia ndjek një politikë të jashtme origjinale dhe të pavarur.

Kështu që deklarata e ShBA-së se “Janë duke e vlerësuar se a bëhet fjalë për grusht shteti apo jo”, e bërë gjatë tentativës së dështuar për grusht shteti të ndërmarrë nga ana e FETO-s më 15 korrik 2016, vuri në dukje se ShBA-ja, në vend që të përkrahë popullin turk, ajo preferoi të shqetësohet me gjendjen e puçistëve, ndërsa roli kyç i bazës ajrore në Inxhirlik në grusht shtet në të vërtet paraqet një pikëkthesë në marrëdhëniet mes dy vendeve. Ndodhja e liderit të organizatës terroriste FETO në ShBA, përkrahja e kësaj organizate nga ana e CIA-s dhe institucioneve tjera të ShBA-së shkaktuan tensionime në marrëdhëniet me Turqinë. Mosekstradimi i liderit të FETO në Turqi dhe dështimi i fillimit të procesit gjyqësor ndaj tij në ShBA krahas dhjetëra dosjeve me prova të dorëzuara nga ana e Turqisë, janë tregues të rëndësishëm se ShBA-ja nuk është e shqetësuar nga tentativa e grusht shtetit e ndërmarrë më 15 korrik 2016 nga ana e FETO-s. Ndërkaq një çështje tjetër që paraqet një tjetër dallim mes Turqisë dhe ShBA-së është qeveria e presidentit të përmbysur në Egjipt, Muhammed Mursi. Edhe pse Turqia ka përkrahurpresidentin e parë të zgjedhur në mënyrë demokratike në Egjipt në sytë e ShBA-së, ajo përkrahu një qeveri islamike. Ndërkaq grusht shteti i Sisit në Egjipt u prit me kënaqësi në ShBA. Vazhdimi i përkrahjes së Turqisë ndaj qeverisë Mursi edhe pas grusht shtetit është një tregues i rëndësishëm i dallimit mes Turqisë dhe ShBA-së në politikat e Lindjes së Mesme. Ndërkohë që Turqia dëshiron që popujt e vendeve të Lindjes së Mesme ti zgjedhin vet qeveritë e tyre, ShBA-ja dëshiron qeveri të cilat do të veprojnë në përputhje me interesat e saj. Sipas botëkuptimit mjaftë të përhapur në ShBA, qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike në Lindjen e Mesme nuk janë pro-ShBA-së dhe mund të rrezikojnë interesat e tyre në këtë rajon.

*Ekspert i politikave të jashtme në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), Ankara

43