Marrëveshja Vuçiç-Erdogan sjell “kurban” në Beograd: largohet ministri i vetëm filoamerikan

Ndërkohë që Aleksandër Vuçiç së bashku me më shumë se gjysma e qeverisë serbe ndodhet në vizitë zyrtare në Turqi, kabineti qeveritar i Beogradit ka pësuar një tronditje të madhe.

Siç bën të ditur Tanjug, ministri serb i Financave, Dushan Vujoviç dha dorëheqjen me anë të një letre drejtuar kryeministres Ana Brnabiç.

Siç bën të ditur agjencia serbe, Vujoviç vendosi të tërhiqet për “arsye personale”.

Ai deklaroi në dorëheqjen e tij se për katër vjet, për aq kohë sa ai ishte ministër, “ishte e mjaftueshme që një njeri të rrijë në një zyrën publike”.

Dushan Vujoviç përfaqëson të vetmin njeri filoamerikan në qeverinë serbe.

Ai përveçse ka punuar për Bankën Botërore dhe FMN-në, është një person që jetën e ka të ndarë ndërmjet Beogradit dhe Uashingtonit.

Pasuria e Vujoviç llogaritet rreth 3 milionë dollarë dhe ai zotëron pasuri të patundshme në kryeqytetin e SHBA-së. Disa media serbe po shkruajnë se largimi i Vujoviçit ishte një sinjal i Uashingtonit ndaj afrimit të madh mes Vuçiçit dhe Erdoganit.

Ministri i Financave të Serbisë, Dushan Vujoviç ishte anëtari i vetëm i kabinetit serb që Vuçiç nuk e ka marrë me vete në Turqi.

Përndryshe, presidenti serb ka mbërritur dje në Stamboll me një delegacion shumë të gjërë qeveritar ku bien në sy dy zv.kryeministra dhe nga 5 ministra nga më të rëndësishëm.

Mungesa e Vujoviçit është marrë si sinjal i rëndësishëm politik nga ana e Vuçiç, ndaj dhe vendimi i largimit është marrë pikërisht gjatë kohës që Vuçiç është në Ankara, duke dhënë një mesazh, që edhe nëse nuk është politik, të merret si i tillë.

Portali i Kremlinit Sputnik, çuditërisht nuk ka dhënë ndonjë koment por ka publikuar vetëm njoftimin e Tanjug./ tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne