Marrëveshjes komplekse e 2009-ës, si “plotfuqi” e opozitës për të folur për tradhëti me detin

Tashmë është e qartë se Partia Demokratike po kërkon të bëjë kauzë te marrëveshja e re detare me Greqinë. Në parantezë duhet thënë se kryetari I saj, Lulzim Basha nuk është prononcuar për këtë çështje, ku si protagonist ka dalë ish-kryeministri Sali Berisha e së fundmi ish-presidenti Bujar Nishani.

Mund të mirëkuptohet ish-kryeministri Berisha që tërheq pas vetes një njollë me marrëveshjen e vitit 2009 dhe me gjasë edhe një kompleks që buron prej saj, por pozicioni i shprehur sot prej ish-presidentit Nishani është jonormal. Z. Nishani flet për tradhëtinë më të madhe që nga viti 1912 edhe pse ai nuk ka në dorë asnjë dokument mbi të cilin të gjykojë. Z. Nishani i referohet në statusin e vet në Facebook lajmit të publikuar dje nga ResPublica mbi një raportim të një medieje greke, raportim i cili sigurisht që ka gjasa të jetë i vërtetë.

Është ironike të shikosh sesi z. Nishani përqendrohet te mungesa e plotfuqishmërisë së negociatorëve, pra te një akt autorizimi, ndërkohë që autorizon veten të deklarojë gjëra për të cilat kërkohet siguri paraprake dokumentare.

Nga ana tjetër, ish-presidenti vepron në keqbesim sepse fjala tradhëti është shumë e pavend edhe nëse e marrim si 100% të vërtetë raportimin e medias greke. Sipas këtij raportimi, gjiu i Sarandës(gjiret e brendshme) është pranuar nga pala greke si gji i mbyllur, që do të thotë se në hartë matja do të nisë nga vija përmbyllëse që bashkon dy pikat më të dala të tij(kjo mbetet për t’u parë se ku fillon e ku mbaron, pra cilat konsiderohen skajet e gjirit) për të kërkuar mandej vijën e mesit. Nëse kujtojmë, pak ditë më parë, ish-kryeministri Sali Berisha, deklaronte se në marrëveshjen e vitit 2009 ai nuk mund ta konsideronte gjiun e Sarandës si gji të madh, as edhe të mohonte rolin e plotë të ishujve të banuar grekë. Në fakt, nëse raportimi i medias greke është korrekt, duket se me marrëveshjen e tanishme negociimi është bërë më i mirë, sepse atë që z. Berisha e cilëson të pamundur, pra mbylljen e gjiut të Sarandës(dhe të të tjerëve), qeveria aktuale e ka bërë të mundur.

Dhe mbyllja e gjiut siç mund të kuptohet reflekton në hartë distanca të tjera për ujërat territoriale. Nga ana tjetër, blloqet 1 dhe 2 të kërkimit të gazit nuk kanë qenë për asnjë çast në shelfin e Shqipërisë po të mbajmë parasysh se blloku më I afërt është 30 km në perëndimi të Korfuzit dhe në veri të tij. Në çdo rast, përpara se politika të fliste do të duhet të kishte informacion të saktë dhe zyrtar dhe ky nuk është rasti.

Së dyti, opozita shqiptare ka mundësinë të refuzojë ratifikimin e marrëveshjes kur të vijë në Parlament dhe çka është më e rëndësishmja të bëjë vlerësimin e saj në raport me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nr.150, dt. 15.04.2010.

Pika më e diskutueshme që lë raportimi i medias greke në raport me këtë vendim është dhënia e efektit të plotë ishujve si Othonoi dhe Erikuza që janë në very të Korfuzit.

Në arsyetimin e saj për marrëveshjen e vitit 2009 Gjykata ka çmuar se:

Teoria dhe praktika gjyqësore ndërkombëtare ka treguar se sipas rrethanave, një ishulli mund t’i jepet efekt i plotë, efekt i pjesshëm, asnjë lloj efekti ose asnjë lloj efekti por përfiton pak hapësire detare në delimitimin e hapësirave detare . Ka raste ku ishujve u është dhënë efekt i plotë  dhe këtu, si rregull, vija e kufirit kalon në mes të ishujve që u përkasin respektivisht të dy palëve. Por ka dhe raste kur ishujve u është dhënë efekt i pjesshëm  ose nuk u është dhënë fare efekt por kanë përfituar një hapësirë të kufizuar detare , ose kur ishujve nuk u është dhënë as efekt e as hapësirë detare .

Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se, në kuptim të konceptit “rrethana të veçanta” dhe në funksion të parimit të Ekitesë, nga pala shqiptare, në përcaktimin e vijës së kufirit midis Shqipërisë dhe Greqisë, duhej të ishin marrë në konsideratë karakteristikat e bregdetit të të dy vendeve dhe veçanërisht prania e ishujve apo masave shkëmbore në hapësirat ujore objekt delimitimi. Ndikimi i tyre në përcaktimin e kësaj vije, siç kemi evidentuar edhe më sipër nga praktika dhe jurisprudenca ndërkombëtare, duhej të ishte bërë individualisht, në funksion të arritjes së një rezultati përfundimtar sa më të drejtë e të ndershëm për të dy shtetet. Konkretisht, Gjykata çmon se procesi i delimitimit duhet të kishte kaluar përmes disa fazave të cilat çojnë në adoptimin e një vije kufitare provizore që më pas korigjohet në funksion të parimit të Ekitesë(equitable solution). Në këtë  kuptim,  duhej të ishte vlerësuar veçmas jo vetëm ndikimi i ishujve të banuar Lazareto, Erikuza dhe Othonoi, por edhe i vetë ishullit kryesor të Korfuzit. Marrëveshja u jep (padrejtësisht) që të gjithëve efekt të plotë në caktimin e vijës kufitare, duke i barazuar plotësisht me dheun kontinental të vendit tonë.

Nuk është rastësi që sipas marrëveshjes për ndarjen e Shelfit Kontinental ndërmjet Republikës Greke dhe Republikës Italiane dt.24.05.1977, ishujve Othonoi dhe Erikuza u është dhënë efekt i pjesshëm. Nga ana tjetër, problem tjetër shumë i rëndësishëm i marrëveshjes objekt shqyrtimi është trajtimi i masës shkëmbore apo cekinës Barketa, të cilit rezulton t’i jetë dhënë gjithashtu efekt i plotë, duke e barazuar me dheun kontinental shqiptar, pavarësisht se kemi të bëjmë thjesht me një masë të vogël shkëmbore të pabanuar dhe pa jetë ekonomike. Për më tepër, për vetë pozicionin e tij, ai ka ndikuar ndjeshëm në spostimin e vijës kufitare që ndan Detin Territorial të të dy vendeve(faqe 42)

Duke konsideruar se parimi i barazlargësisë korrigjuar me “testin e proporcionalitetit, si aspekt i kontrollit të parimit të Ekitesë, i cili merr në konsideratë apo vendos në raport të drejtë hapësirat detare të përfituara nga secili shtet bregdetar, në përputhje me kriterin respektiv të zbatuar, që zakonisht është gjatësia e bregut, madhësia e ishullit”(faqe 39), është ndjekur në negociimin në parim të marrëveshjes së re, mbetet për t’u parë se çfarë është bërë me ishujt Erikuza dhe Othonoi për të cilët Gjykata jep arsyetimin se Korfuzi  me ishujt që e qarkojnë duhen vlerësuar veç veç në kuptim të caktimit të kufirit. Që të bëhet ky vlerësim duhet parë teksti përfundimtar i dokumentit dhe nuk mund të bazohet në raportime të mediave.

Ajo që është e sigurtë është se çdo marrëveshje që nuk respekton vlerësimet e Gjykatës Kushtetuese quhet nul dhe këtu opozita ka realisht në dorë një mundësi. Por nëse shohim këtu arsyetimin është e qartë se vlera e ishujve mundet të konsiderohet sipas rastit dhe në asnjë rrethanë në mënyrë kategorike.

Në kontesktin e debatit politik, pretendimet e përfaqësuesve të PD-së dhe qeverisë së mëparëshme janë absurde pasi teksa i referohen mediave greke, pranojnë se marrëveshja e re merr disa hapësira që në vitin 2009 mbetën jashtë. Dhe se po këto pretendime shpallin si zona shqiptare të gazit, rajone që sidoqoftë sot që flasim janë zona interesi, pra ku kërkohet gaz dhe jo ku po nxirret gaz dhe të cilat me marrëveshjen e vitit 2009 ishin tërësisht jashtë hapësirës shqiptare.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne