Masakra e Zelandës së Re dhe urrejtja anti-muslimane në Ballkan

nga Olsi Jazexhi.

Terroristi australian Brenton Tarrant, i cili realizoi masakrën ndaj besimtarëve myslimanë në Zelandën e Re më 15 mars, kur po zhvillonte sulmin kundër dy xhamive në Christchurch po dëgjonte një këngë etnike të ekstremit të djathtë ku i thureshin lavde Radovan Karaxhiçit. Kënga që Tarrant po dëgjonte quhet, “Nga Bihaci deri në fshatin Petrovac”. Teksti i këngës vlerëson kriminelin serb të luftës Radovan Karaxhiç, i cili udhëhiqte serbët për të luftuar kundër “ustashëve” dhe “turqve”. Sipas historiografisë nacionaliste serbe, “ustash” është një term nënçmues që përdoret për të përshkruar katolikët kroatë që mbështetën Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa myslimanët e Bosnjës janë përshkruar si “turq”.

Kënga që shoqëronte terroristin në masakrën e tij është kënduar gjatë Luftës së Bosnjës midis viteve 1992 dhe 1995 nga ushtarët serbë për t’i motivuar ata në sulmet e tyre kundër kroatëve dhe muslimanëve boshnjakë të cilët u masakruan dhe u spastruan etnikisht prej serbëve.

Në armët që Brenton Tarrant përdori për të masakruar muslimanët kishte shkruar emrat e shumë mbretërve të krishterë, emra betejash dhe luftëtarësh që kishin luftuar muslimanët në Evropë. Ata variojnë nga Charles Martel, i cili mundi maurët në Francë, Bohemond I i Antiokisë, i cili udhëhoqi kryqtarët e Papa Urban II për të pushtuar “Tokën e Shenjtë”, Dmitri Senyavin i cili luftoi kundër osmanëve gjatë luftërave ruso-turke. Ai kishte shkruar madje edhe emrat e një numri betejash anti-muslimane sikurse Beteja e Kagulit 1770 (luftë ruso-turke), Beteja e Bulairit 1913 (bullgarët kundër turqve), Vjenë 1683 (austriakët kundër osmanëve) dhe Beteja e Toursit 731 (francezët kundër arabëve). Duke u përpjekur për të bërë një paralele historike midis betejave evropiane të së kaluarës kundër myslimanëve dhe terroristëve anti-muslimanë të kohës së sotme, Tarrant kishte shkruar në armët e tij emrat e Alexandre Bissonette (vrasësi i xhamisë në Kebek 2017) dhe Luca Trainit (vrasësi i emigrantëve afrikanë në Macerata 2017). Duke vepruar kështu, ai u përpoq të tregonte se njerëz sikurse ai, Bissonette dhe Traini nuk janë terroristë, por mbrojtës të mëdhenj të krishterimit dhe të Evropës.

Tema e ‘kryqtarit’

Luajtja e një kënge ushtarake serbe gjatë sulmit tregon se Brenton Tarrant ishte thellësisht i ndikuar nga historia ballkanike anti-muslimane. Tarrant kishte shkruar në armët e tij emrat e luftëtarëve hungarezë anti-osmanë si Horogszegi Szilágyi Mihály dhe Janush Hunjadi, luftëtarëve serbë dhe malazezë si Stefan Lazareviq, Novak Vujosevic, Car Lazar, Milos Obiliq (vrasës i sulltan Muratit I) dhe madje edhe emrat e heronjve anti-muslimanë të Shqipërisë si Skënderbeu dhe Gjergj Arianiti. Duke i shkruar këto emra, Tarrant deshte të tregonte se ai po i vriste muslimanët në të njëjtën mënyrë që Skënderbeu, Millos Obiliqi dhe Janush Hunjadi kishin vranë muslimanët osmanë shekuj më parë.

Urrejtja që shtyu Brenton Tarrantin për të kryer masakrën ndaj muslimanëve në xhamitë e Christchurch nuk është një urrejtje e izoluar. Eshtë një urrejtje historike që sot është një ideologji zyrtare në shumë vende të Ballkanit. Për shembull, në Shqipëri dhe Kosovë kemi shumë politikanë, gazetarë dhe nacionalistë që i fyejnë hapur muslimanët, turqit dhe osmanët dhe justifikojnë urrejtjen e tyre duke përdorur historinë e Skënderbeut dhe Milos Obiliqit. Shumë faqe në Facebook sikurse “Feja e Shqiptarit është Europa” ose faqe katolike në internet, i përshkruajnë myslimanët e Shqipërisë dhe Kosovës si “turq”, parazitë anadolli dhe zvarranikë të cilët janë pakicë falë Skënderbeut që i vrau. Falë të ashtuquajturës Lufta kundër Terrorit, komunitetet myslimane në Ballkan shpesh janë ofenduar si osmanë, neo-osmanë, talebanë, terroristë, kolonizatorë aziatikë dhe një “infeksion aziatik”. Kjo urrejtje shpesh çon në sulme të dhunshme. Në vitet e fundit kemi parë te digjen konsullata dhe flamuj turq në Kosovë dhe politikanë kosovarë dhe shqiptarë duke fyer turqit dhe islamin. Më 31 dhjetor 2017 në Mirditë të Shqipërisë, një hidrocentral turk u sulmua nga një grup banditësh katolikë, të cilët sikurse Brenton Tarrant, e justifikuan sulmin e tyre në emër të krishterimit dhe nacionalizmit. Ashtu si Brenton Tarrant, mirditorët e botës duan që turqit të dalin nga Mirdita.

Në Serbi, studiues si Miroljub Jetvic bëjnë të njëjtën gjë që Brenton Tarrant bëri në manifestin e tij. Jetvic pohon se NATO bëri një gabim që u vu në anën e muslimanëve kosovarë kundër serbëve gjatë ndërhyrjes së vitit 1999 në Jugosllavi. Ai akuzon jo-muslimanët dhe amerikanët se duke mbajtur anën e shqiptarëve myslimanë, “ata janë kundër serbëve të krishterë dhe duke bërë këtë ata po dëshmojnë se zoti i islamit është zoti i vërtetë dhe zoti i të krishterëve është i rremë”.

Në Kosovë, gazetarë si Arbana Xharra lavdërojnë mbylljen e xhamive në Evropë dhe kërkojnë të njëjtën gjë në Ballkan. Ajo dhe autorë amerikanë si Alon Ben Meir dhe David Phillips sulmojnë Turqinë për politikat e saj në Bosnje dhe Herzegovinë, Kosovë dhe Shqipëri duke pretenduar se Turqia ka një axhendë islame. Nëse Brenton Tarrant hyri në xhami dhe vrau 50 besimtarë myslimanë, Arbana Xharra nga Kosova ka deklaruar në faqen e saj në Facebook se nëse do të kishte pushtet ajo do ti “spastronte” radikalët fetarë në 72 orë.

Historiografia në Ballkan

Pjesa më e madhe e urrejtjes që serbët dhe shqiptarët e krishterë kanë ndaj muslimanëve dhe islamit vjen për shkak të mënyrës se si e lexojnë ata të kaluarën. Historikografitë kombëtare dhe ato të kishës në Kosovë, Shqipëri, Serbi, etj, i përshkruajnë myslimanët si pushtues, barbarë dhe armiq të Evropës dhe qytetërimit. Skënderbeu, i cili ishte një nga heronjtë kryesorë të krishterë të Brenton Tarrantit gjatë masakrës së tij, është heroi kryesor kombëtar i Shqipërisë. Lufta e tij kundër osmanëve dhe muslimanëve u festua zyrtarisht nga Shqipëria dhe Vatikani në vitin 2018. Shqipëria dhe Kisha Katolike e saj festuan mitin e Skënderbeut në të gjitha institucionet shtetërore dhe vlerësuan luftën e tij në mbrojtje të Evropës dhe të krishterimit edhe pse shumë muslimanë u mërzitën dhe protestuan për festimin e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut duke pretenduar se miti i Skënderbeut frymëzon urrejtjen, ndarjen dhe shkon kundër natyrës sekulare të shtetit.

Ndërsa në botën anglo-amerikane sekularizimi i shtetit ka prodhuar një shtet neutral dhe identitete kombëtare, në Ballkan urrejtja ndaj muslimanëve dhe islamit promovohet në baza ditore. Urrejtja kundër muslimanëve dhe islamit promovohet në shkolla dhe universitete, në këngë dhe libra, në televizione dhe në internet. Në këtë moment kur bota është në pikëllim për masakrën kundër bashkësisë muslimane të Zelandës së Re, në shumë forume sociale në Ballkan disa fundamentalistë të krishterë mendojnë se Brenton Tarrant është një hero. Në Shqipëri, disa fundamentaliste katolike po e krahasojnë Brenton Tarrantin me Skënderbeun, heroin kombëtar të Shqipërisë. Nëse bota e civilizuar nuk do të dojë të shohë një përsëritje të masakrave të myslimanëve siç kemi dëshmuar në Zelandën e Re, Kebek, Londër e kështu me radhë, duhet të fillojmë të adresojmë siç duhet procesin e radikalizimit të të krishterëve në Evropë dhe në mbarë botën. Konflikti në Bosnje dhe tensionet e tanishme fetare në Ballkan erdhën sepse disa njerëz në pjesën tonë të botës nuk kanë një vizion multikulturor për të ardhmen. Urrejtja ndaj Islamit dhe turqve, që sot në mënyrë të hapur demonstrohet dhe promovohet në Shtetet e Bashkuara, Austri, Ballkan dhe vende të tjera, do të prodhojë më shumë terroristë si Brenton Tarrant në të ardhmen.

* Lektor i Historisë, Tiranë, Shqipëri

burimi: dailysabah/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne