Masakra My Lai: Si i masakruan ushtarët amerikanë gratë dhe fëmijët vietnamezë

Masakra My Lai e 16 marsit 1968 i mori jetën 504 civilëve vietnamezë, të cilët u masakruan nga ushtarët amerikanë të kompanisë Charlie, Batalioni i Parë i Regjimentit të 20-të të Këmbësorisë. E vërteta rreth krimit të shëmtuar u zbulua përmes fotografive të marra nga një fotograf i ushtrisë amerikane gjatë vrasjes masive.

Pesëdhjetë vjet më parë, në një mision kundër Viet Congëve, ushtarët amerikanë të kompanisë Charlie të Batalionit të Parë, Regjimenti i 20-të të Këmbësorisë hynë në fshatin vietnamez Son My dhe në mënyrë sistematike vranë civilë, kryesisht të moshuar, gra dhe fëmijë, e cila më vonë do të njihej si Masakra My Lai.

1. Operacioni ndëshkues filloi në orën 5:30 në fshatin My Lai, afër fshatit tjetër Son My. Synimi i misionit ishte batalioni i 48-të i Viet Congëve. Ushtarët amerikanë të kompanisë Charlie zbritën nga helikopterët në periferinë perëndimore të fshatit dhe menjëherë hapën zjarr mbi fshatarët që punonin nëpër fushat e orizit. Duke mos hasur në rezistencë, trupat amerikane u shpërndanë nëpër zonë duke hedhur granata nëpër dritaret dhe dyert e shtëpive.

2. Brenda katër orëve ushtarët amerikanë kishin vrarë 504 civilë të paarmatosur. Disa banorë u vranë direkt në vend, të tjerë u sollën nga shtëpitë dhe u ekzekutuan. Disa viktima u torturuan dhe u masakruan për vdekje me bajoneta. Gratë dhe vajzat u përdhunuan në grup. Një numër trupash të gjymtuar të vietnamezëve kishin inicialet “kompania C” të gdhendura nëpër trupat e tyre. Gjatë kasaphanës vetëm një ushtar amerikan u plagos aksidentalisht në këmbën e tij me armën e vet. Misioni dështoi pasi militantët e Viet Congut nuk u panë gjëkundi.

3. Ushtari amerikan Lawrence Manley Colburn i cili shërbente si mitralier në helikopterin Hiller OH-23 Raven, ndërhyri në masakrën e 16 marsit së bashku me dy nga anëtarët e tij të ekuipazhit. Të gjendur aksidentalisht dëshmitarë në atë masakër, ata hapën zjarr në shenjë paralajmërimi për ti ndaluar ata. Tridhjetë vjet më vonë të tre këta  burra u dekoruan me Medaljen e Ushtarit për veprimet e tyre.

4. Vrasja në masë do të ishte harruar dhe do ishte lënë pas dore, nëse Ronald L. Haeberle, atë kohë një fotograf i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, nuk do kishte bërë disa fotografi të masakrës në Son My. Përveç fotografive bardhë e zi për një gazetë të ushtrisë, Haeberle bëri edhe disa foto me ngjyra të viktimave vietnamezë me kamerën e tij personale. Gjatë kthimit në atdhe pasi ishte larguar nga ushtria me nder, ai i shiti fotografitë në SHBA dhe në mediat evropiane në vitin 1969. Përshkrimi i masakrës nga fotot me ngjyra hapi një skandal në shkallë të gjerë dhe nxiti një hetim mbi këtë çështje.

5. I vetmi person i dënuar për kasapanën e vitit 1971 ishte Lt William L. Calley Jr. i cili udhëhoqi kompaninë ushtarke Charlie për në My Lai, mëngjesin e 16 marsit të vitit 1968. Ai u akuzua për vrasjen e 22 personave dhe u dënua me burg të perjetshëm. Megjithatë, Presidenti i SHBA-së Richard Nixon e anuloi dënimin. Si rezultat, Calley bëri vetëm një ditë në burg dhe i kaloi tre vitet e tjera nën arrest shtëpiak.

6. Në vitin 1978 u ngrit në Son My një memorial për nder të viktimave të Masakrës My Lai. Në vitin 2003 autoritetet vietnameze e përmirësuan ndërtesën e memorialit. Mediat vietnameze i referohen ngjarjes tragjike si Masakra Son My, pasi My Lai nuk ishte i vetmi fshat i prekur nga masakra e SHBA-së.

7. Sipas disa vlerësimeve, 1 milion deri në 2 milionë civilë vietnamezë u vranë gjatë luftës në Vietnam në vitet 1965 dhe 1973./sputnik/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne