Mbahej peng prej tre vitesh, lirohet gazetari japonez i rrëmbyer në Siri

TOKYO – Një gazetar japonez i cili ishte rrëmbyer në Siri prej më shumë se tre vitesh, mbërriti në Japoni mbrëmjen e së enjtes duke iu ribashkuar familjes së tij.

Jumpei Yasuda, i cili u lirua në fillim të kësaj jave dhe ishte dërguar në Turqi, u ribashkua me gruan e tij Myu, prindërit e tij dhe të afërmit e tjerë në aeroportin e Naritas në Tokio.

“Ju kërkoj falje për shqetësimet e shkaktuara, por falë jush unë arrita që të kthehem përsëri në shtëpi në mënyrë të sigurt”, tha ai në një deklaratë të shkurtër të lexuar në media nga gruaja e tij.

Ai nuk pranoi të dilte para gazetarëve, por tha se do të mbajë një konferencë shtypi në një datë të mëvonshme për të diskutuar mbi përvojën e tij.

Më herët, në fluturimin e tij për në Tokio, ai dha një sërë intervistash të shkurtra për median japoneze ku përshkroi ankthin e tij gjatë kohës në robëri.

“Ishte ferr”, tha ai, duke prekur me gishta mjekrën e gjatë. “Jo vetëm fizikisht, por edhe mentalisht. Të menduarit në çdo ditë se nuk do me lironin as sot, më beri të humbas kontrollin mbi veten time pak e nga pak”.

Ai fliste me qetësi dhe dukej paksa i tronditur dhe i lodhur.

“Për rreth 40 muaj, unë nuk kam folur asnjë fjalë japonisht. Fjalët nuk më vijnë kollaj në mendje,” thotë ai.

“Jam i lumtur që po kthehem në Japoni. Në të njëjtën kohë nuk e kam idenë se çfarë do të ndodhë tani dhe se si duhet të sillem. Jam i përhumbur dhe nuk e di se çfarë të mendoj”.

Gruaja e tij tha se e kishte përshëndetur atë në aeroport me një buzëqeshje të trembur.

“Tani është duke ngrënë oriz me kimpira (një pjatë tradicionale) që ia solli nëna e tij,” u tha ajo gazetarëve.

“Ndjeva një ndjenjë të fortë lumturie”, shtoi ajo. “Dua që ai të bëjë një banjë të ngrohtë dhe të flejë rehat sonte”.

Yasuda u rrëmbye në Siri në qershor 2015 dhe thuhet se fillimisht ishte peng i grupit të njohur më parë si Fronti i Al-Nusra, një ish-degë e Al-Kaidës.

Por ish grupi, me emrin e tanishëm Hayat Tahrir al-Sham ka mohuar ndonjë përfshirje në rrëmbimin e tij në një deklaratë te dhene më herët këtë javë.

Ka pasur vetëm lajme sporadike të Yasudas gjatë gjithë robërimit të tij, duke përfshirë një video të çuditshme që u shfaq në gusht ku tregohej ai dhe një person i identifikuar si një italian i quajtur Alessandro Sandrini.

Të dy burrat bënin thirrje për lirimin e tyre. Ata ishin të veshur me komplete portokalli, ndërsa njerëzit e armatosur qëndronin prapa tyre.

Yasuda u prezantua me emrin Omar dhe e përshkroi veten si koreano-jugor, por gruaja e tij e konfirmoi se në atë video ishte pikerisht burri i saj.

Videoja nuk tregonte se kush po i mbante te burgosur apo cilat ishin kërkesat e tyre. Nuk ka pasur asnjë fjalë për fatin e Sandrinit që nga ajo kohë.

Yasuda u tha gazetarëve se ai besonte se ishte mbajtur gjatë gjithë robërimit të tij në Idlib, një provincë në Sirinë veriperëndimore që është një nga pjesët e fundit të vendit që ende mbahet pjesërisht nga rebelët dhe xhihadistët.

Detajet se si u lirua Yasuda kanë mbetur të paqarta, ndërsa Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë monitorimi e luftës në Britani tha se ishte paguar një shumë. Qeveria e Japonisë e ka mohuar këtë.

Në vitin 2015, militantët nga grupi i Shtetit Islamik i prenë kokën e korrespondentit japonez të luftës Kenji Goto dhe mikut të tij Haruna Yukawa në Siri.

Qeveria japoneze u kritikua për qëndrimin dhe reagimin e saj për të liruar dy personat. Pengjet e tjera japoneze që janë liruar dhe ja kanë dalë të kthehen në shtëpi të sigurt janë përballur me kritika të rënda publike për atë që disa i kanë konsideruar si sjellje të pamatura./telegraph/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne