BE mbështet zgjidhjen me dy shtete për sheshimin e konfliktit izraelito-palestinez

Liderët e shteteve/qeverive të Bashkimit Evropian u mblodhën të enjten në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës.

“Liderët e BE-së përsëritën vendosmërinë e tyre për zgjidhjen me dy shtete”, shkroi në “Twitter” Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, në fund të ditës së parë të samitit.

Ai shkroi gjithashtu në këtë rrjet social se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e vendosur të vendeve anëtare të Unionit në lidhje me përcaktimin e statusit të Jerusalemit përmes negociatave.

Kurse zv/presidentja e Komisionit Evropian dhe njëherësh përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, deklaroi se “zgjidhja e vetme është ajo me dy shtete, në kuadër të kufijve të 1967-s, duke garantuar Jerusalemin si kryeqytetin e të dyja shteteve”.

Mogherini rikujtoi gjithashtu se qëndrimi i qartë i BE-së iu përcoll Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, me një mesazh të qartë nga 28 ministrat e Jashtëm të Unionit.

“Ky mesazh nuk u dëgjua vetëm nga miqtë tanë arabë dhe palestinezë. Ai u dëgjua fuqishëm dhe qartë në Uashington, në Izrael dhe në komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi”, theksoi shefja e diplomacisë evropiane.

Në këtë samit dyditor, që nisi të enjten me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 28 vendeve dhe përfundon ditën e premte, u vu në zbatim edhe projekti i quajtur Bashkëpunimi i Përhershëm Strukturor (PESCO), i cili synon të bëjë permanent kooperimin mes vendeve anëtare të BE-së në fushën e mbrojtjes.

Pjesë e agjendës së samitit ishin gjithashtu ekonomia dhe refugjatët.

Nga ana tjetër, Liderët evropianë vendosën edhe për të zgjatur sanksionet ekonomike kundër Rusisë me 6 muaj për shkak të rolit të Moskës në konfliktin ukrainas.

“BE-ja e bashkuar për një zgjatje të sanksioneve ekonomike kundër Rusisë”, thuhej në një postim të Donald Tusk në “Twitter”.

Sanksionet u miratuan për herë të parë në korrik të vitit 2014 për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga ana e Rusisë dhe të mbështetjes që i jep separatistëve në lindje të Ukrainës.

Bashkimi Evropian i ka zbutur sanksionet kundër Rusisë pas aplikimit të marrëveshjes së paqes të Minskut, e cila kërkon një armëpushim të pakushtëzuar dhe që të dyja palët të largojnë armatimet e rënda nga linja e frontit në Ukrainën Lindore.

Masat kufizuese shënjojnë industrinë financiare, energjetike dhe atë të mbrojtjes duke u penguar bankave ruse hyrjen në tregjet e BE-së dhe kufizuar aksesin e Rusisë në disa importe evropiane.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne