Mbi 1 mijë qytetarë kërkesë AMA-s të marrë masa për emisionin islamofob te Kastriot Myftarajt

Mbi 1 mijë qytetarë i kanë bërë një kërkesë AMA të marrë masa për emisionin e Kastriot Myftarajt mbi masakrën në një xhami në Zelandën e re! Në transmetimet e televizionit Ora News të datës 18 mars 2019, ora 19:45, u transmetua emisioni “Skënderbeu dhe vrasjet në xhamitë e Zelandës së Re”, gjuha dhe argumentimet e të cilit përbëjnë një nxitje të hapur të akteve të terrorit ndaj besimtarëve muslimanë dhe konfliktit civil.

(1) Në programin televiziv të sipërcituar të Ora News, akti terrorist i ekzekutimit të 50 besimtarëve muslimanë në dy xhami të qytetit Christchurch në Zelandën e Re u konsiderua si akt i një qytetari të edukuar dhe të mësuar, i cili e kreu atë i shtyrë nga një shqetësim legjitim për agresionin islamik të vendit të tij. Jo vetëm që terrori që mori jetën e aq shumë njerëzve nuk u dënua në asnjë moment të këtij transmetimi, por ai u justifikua si i nxitur dhe pasojë e natyrshme e qëndrimit disfatist të qeverisë së Zelandës së Re përballë të ashtuquajturit rrezik islamik.

(2) Me një fantazi të shthurur, emisioni ngriti këmbanën e alarmit për një rrezik të madh që sipas tij po vjen nga besimtarët muslimanë dhe nga praktika shekullore të fesë Islame të njohura në vendin tonë, të përqafuara nga ajo pjesë muslimane e vendit, prej së cilës kanë dalë edhe baballarë të kombit shqiptar. E gjitha kjo u vendos në funksion të ngjalljes së panikut mbi rrezikun imagjinar të dhunës nga ana e muslimanëve shqiptarë dhe frymëzimit të reagimeve të ngjashme me ato të Christchurch në Zelandën e Re.

(3) Të quash të përgjegjshëm vrasësin gjakftohtë të njerëzve të pafajshëm dhe të konsiderosh disfatiste dhe alarmuese për djemtë e përgjegjshëm të Zelandës së Re veprimet solidarizuese të kryeministres së këtij vendi të begatë me qytetarët e tij muslimanë, është një pohim që shkon nga kufijtë e çmendurisë në kufijtë e kriminales. Për më tepër, kur këto limite përshkohen lirshëm në një emision në format monologu, pa mundësi replike, dialogu dhe debati mes palëve, ajo që mbetet nuk është më liri fjale, por liri e urrejtjes që përshfaqet në papërgjegjshmërinë e shkallës më të lartë publike.

(4) Në fund, me një gjuhë haptazi kërcënuese, ky emision televiziv paralajmëroi reagime dhe akte terroriste shumë më të forta në mungesë të marrjes së përgjigjes së duhur nga kryeministrja e Zelandës së Re dhe kryeministrat e vendeve të Europës.
Për sa më sipër, televizioni Ora News ka detyrimin ligjor, moral dhe qytetar që:
(1) Të distancohet me çdo mjet dhe formë nga qëndrimet e drejtuesit të kësaj hapësire televize;
(2) T’i kërkojë ndjesë teleshikuesve në përgjithësi dhe besimtarëve muslimanë në veçanti, për sa i takon ofrimit të kohës televizive dhe dhënies zë përkatësisht mesazheve që kanë për qëllim nxitjen e akteve të terrorit dhe agresionit ndaj popullsisë muslimane në vend, justifikimin dhe përshëndetjen e dhunës së dënuar botërisht në xhamitë e Christchurch, si dhe fyerjen e praktikave fetare të bashkësisë islame;
(3) Të fshijë nga çdo medium videon me mesazhet nxitëse të dhunës; dhe
(4) Të sqarojë publikun se çdo mesazh i tillë konfliktnxitës i transmetuar përmes ekranit të saj është një akt i dënueshëm.

Gjithashtu, i kërkojmë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë që të kërkojë vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore dhe morale të të gjithë personave përgjegjës për skenarin, realizimin dhe transmetimin e emisionit “Skënderbeu dhe vrasjet në xhamitë e Zelandës së Re” pranë RTV Ora News, i cili, e ritheksojmë e vuri hapësirën e tij televizive në funksion të përçimit të mesazheve që justifikojnë veprimet terroriste dhe nxisin dhunën ndaj muslimanëve.
I kërkojmë dhe ftojmë Autoritetin e Mediave Audiovizive, që me përgjegjësinë që i ngarkon ligji, mbi monitorimin e televizioneve në vend, të marrë masat e nevojshme, dukë nxjerrë në pah shkeljet e konstatuara dhe përgjegjësit për to.
Ftojmë organet kompetente përkatëse, në frymën e bashkëjetesës qytetare fetare që karakterizon realitetin tonë, në mbështetje të ligjeve më të larta të shtetit, të analizojnë transmetimin në fjalë dhe të marrin në konsideratë seriozisht angazhimin anti-ligjor, anti-qytetar, anti-kombëtar që një frymë e tillë mbart.
Ftojmë bashkëkombësit tanë që të dënojnë me të gjitha format dhe mjetet e komunikimit përdorimin e emrit të Heroit tonë Kombëtar në armën e një krimineli gjakftohtë, me të cilën ekzekutoi dhe preu në besë njerëz të pambrojtur, mes tyre gra dhe fëmijë.Në të njëjtën frymë, dënojmë bashkëvendosjen e fytyrës së një vrasësi përkrah portretit të Heroit tonë Kombëtar në emisionin e sipërcituar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne