Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi se përsëri më shumë se 1 milionë fëmijë të Sudanit të Jugut e kanë braktisur shtetin e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të institucioneve të OKB-së, të cilat veprojnë lidhur me fëmijët dhe krizën e refugjatëve thuhet se “Përsëri më shumë se 1 milionë fëmijë janë detyruar të largohen nga Sudani i Jugut për shkak të luftës së brendshme”.

Në deklaratë thuhet se “62 për qind e refugjatëve të cilët largohen nga Sudani i Jugut përbëhen nga fëmijët, ndërsa 75 mijë fëmijë refugjatë mundohen të mbijetojnë të vetëm”.

Po ashtu theksohet se 75 për qind të fëmijëve nuk mund ta vijojnë shkollimin dhe se ky është numri më i madh i mosvijueshmërisë në shkollë në mbarë botën.

Në luftën e brendshme gjatë periudhës dhjetor 2013 – gusht 2015 ku humbën jetën rreth 50 mijë persona, më shumë se 2 milionë sudanezë të Jugut ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Ndërkaq Sudani i Jugut i cili përveç luftës së brendshme po ballafaqohet edhe me thatësirat e mëdha, 70 për qind e popullsisë nuk arrin t’i sigurojë nevojat themelore të saj si ushqimi dhe ilaçet.

Miliona persona të cilët po largohen nga Sudani i Jugut po vazhdojnë të strehohen në shtetet fqinje si Sudani, Etiopia, Uganda dhe Kenia.

16