MBI DEBATIN PËR SKËNDERBEUN

Hysamedin Feraj

Debati për mendimin politik të Skënderbeut është i hershëm. Orientimi i tij politik është vënë në dyshim dhe madje është kundërshtar nga një pjesë e shqiptarëve që për të gjallë dhe gjatë kohës së veprimtarisë së tij si nga Hamza Kastrioti, Dukagjinasit, Moisi Golemi etj., dhe ka vazhduar deri në ditët e sotme. Në dy vitet e fundit ky debat është rikthyer.

Shkas për rikthimin e debatit u bë libri politik “Skicë e mendimit politik shqiptar” botuar në Tiranë më 1998, por shkak edhe më i rëndësishëm janë rrethanat politiko-shoqërore shqiptare, konflikti shqiptaro-serb e shqiptaro-grek, ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni dhe përgjithësisht reflektimi i shqiptarëve mbi qenjësimin e vet politik të sotëm dhe të kaluar si përpjekje për të kuptuar gjendjen e vet të sotme dhe për të dhënë zgjidhje në rrethanat e sotme. Për të hyrë drejtpërdrejtë në temë, konteksti i debatit dhe çka thuhet në libër, megjithëse është element i rëndësishëm i kuptimit të këtij debati, do të lihet për në fund. Tani ia vlen të përmendet vetëm një moment sqarues:

kundër përshkrimit në libër të mendimit politik në periudhën e Skënderbeut janë shprehur vetëm nivele të ulëta mendore, kryesisht në gazeta si “Zëri i Kosovës”, “Balli Kombëtar” (i Abaz Ermenjit) dhe ndonjë organ tjetër i këtij niveli, ndërsa profesionistët, studiuesit ose kanë heshtur, ose e kanë vlerësuar pozitivisht librin. Prandaj përfshirja në këtë debat u bë e nevojshme për të sistemuar debatin, për të vënë rregull së paku përshkrues, sepse duke pasur nivel të ulët mendor, debatuesit i kanë bërë rrëmujë argumentet e veta. Kjo do të ketë rrjedhojë ndër të tjera përpjekjen time për t’u ulur në nivelin e kritikëve dhe shmangien e disa karakteristikave të debatit profesional si referimet tek autorët e burimet, heqjen e përkufizimit të koncepteve, mospërmendjen e problemeve njohëse dhe epistemologjike, mungesën e shqyrtimit të teorive ndihmëse, metodologjisë etj., etj. Argumentet e paraqitura në debat nuk janë të miat, janë të shpërndara nëpër autorë të ndryshëm, ndërsa merita ime është vetëm të përshkruaj qartë dhe në mënyrë të sistemuar debatin e shpërndarë. Debati zhvillohet ndërmjet dy qasjeve: njëra qasje ngul këmbë se Skënderbeu nuk duhet shqyrtuar në mënyrë kritike qoftë edhe sikur t’i ketë shkaktuar fatkeqësitë më të mëdha popullit shqiptar, tjetra ngul këmbë se Skënderbeu duhet t’u nënshtrohet rregullave të të menduarit logjik dhe shqyrtimit kritik racional si çdo objekt tjetër i studimit. Nuk ekziston ndonjë qasje konseguente e tipit të parë, dmth që Skënderbeu të mos shqyrtohet në mënyrë kritike, por më tepër është fjala për një qëndrim që thotë se “kur e kritikoj unë, kritika është e lejueshme dhe e drejtë, kur e kritikon tjetri, kritika nuk është e lejueshme dhe e drejtë”. Kështu për shembull, historiografia enveriste vetë e ka kritikuar Skënderbeun në shumë drejtime si për natyrën klasore, kufizimet ideologjike, naivitetin e besimit tek Vatikani etj., etj., por kur kritikohet nga ndonjë këndvështrim tjetër, për shembull ka këndvështrimi i logjikës nacionaliste, atëherë historianët enveristë dalin në mbrojtje të paprekshmërisë së figurës së Skënderbeut, akuzojnë palën kritike se po fyen heroin kombëtar dhe ndjenjat e shqiptarëve, etj., etj. Megjithkëtë ky lloj qëndrimi këtu do të trajtohet si një qasje e vetme që thotë se Skënderbeu duhet përjashtuar nga shqyrtimi racional si objektet e tjera të studimit.

Gjatë gjithë historisë së debatit në mbrojtje të përjashtimit të Skënderbeut nga rregullat e studimit si çdo objekt tjetër janë sjellë dy lloje argumentash: argumentet shkencore dhe argumentet praktike, (ose me terma të tjerë, argumentet ‘prudenciale’, pragmatiste, politike). Përmbledhtas janë sjellë këto argumente teoriko-shkencore: 1-Skënderbeu është mbrojtës i Evropës për çerek shekulli; 2-Skënderbeu është mbrojtës i krishtërimit;
3-Skënderbeu është krijuesi i miqësisë së popullit shqiptar me popujt e tjerë të Ballkanit (sllavët dhe grekët); 4-Skënderbeu është shëmbëlltyra e luftës së një populli për liri dhe pavarësi; 5-Skënderbeu është krijues i shtetit shqiptar; 6-Skënderbeu është mit dhe simbol i shqiptarëve dhe teorikisht është argumentuar se mitet dhe simbolet duhet të lihen të kryejnë funksionin e tyre si të tilla.

Argumentet praktike mund të përmblidhen: 1-Pavarësisht si është e vërteta për Skënderbeun, duke e paraqitur si mbrojtës të Evropës, shqiptarët përfitojnë përkrahjen e Evropës për synimet e veta politike të kohës;
2-Pavarësisht si është e vërteta duke e paraqitur Skënderbeun si mbrojtës të krishtërimit, shqiptarët fitojnë përkrahjen politike të kristianëve për interesat e kohës; 3-Pavarësisht nga rrjedhojat që ka sjellë politika e Skënderbeut dhe figura e tij duhet të ruhet për shkak të frymëzimit që jep tek shqiptarët për luftën për liri dhe për pavarësi.

Ndaj të gjitha këtyre argumentave janë paraqitur argumenta alternative, të tjera, që do të përshkruhen më hollësisht në vijim, po ashtu në të dy dimensionet: teorike dhe praktike.

1-Skënderbeu për çerek shekulli është mbrojtës i Evropës në kuptimin ushtarak dhe në kuptimin e mbrojtjes së qytetërimit evropian, qytetërimit perëndimor përballë barbarisë lindore osmane. Ky argument thotë se Skënderbeu e mbrojti Evropën drejtpërdrejtë, duke mos lejuar kalimin e pushtuesve osmanë islamikë nga bregdeti shqiptar dhe territori i zotëruar prej tij në Evropë dhe tërthorazi duke angazhuar forca të mëdha ushtarake osmane në luftë kundër vetes dhe shqiptarëve dhe kështu duke dobësuar fuqinë e saj pushtuese ushtarake ndaj Evropës. Duke e mbrojtur Evropën nga pushtimi ushtarak osman, Skënderbeu ka mbrojtur qytetërimin evropian perëndimor.

Ndaj këtij argumenti janë bërë vërejtje të shumta dhe janë paraqitur argumente lternative: së pari, a nuk kishte rrugë të tjera Perandoria Osmane për pushtimin e Evropës, por vetëm nga Shqipëria e Mesme (e sotme) dhe nga Durrësi? Në periudhën e Skënderbeut, Perandoria Osmane shtrihej në gjithë Bosnjen e Serbinë deri afër Beogradit (që mbahej nga hungarezët) prej nga mund të depërtonte në Evropë nëpër luginën e Danubit dhe po ashtu, kishte mundësi të kalojë Adriatikun në vendkalimin më të ngushtë, Otranto, e nuk kishte pse të kalonte patjetër nga Durrësi. Së dyti, pse nuk e pushtoi Evropën pas vdekjes së Skënderbeut, kur nuk mbrohej më prej tij ? Pas vdekjes së Skënderbeut fuqia pushtuese e Perandorisë Osmane nuk kishte rënë, por përkundrazi përparoi deri afër Vjenës. Për më tepër, megjithëse e futi në dorë bregdetin shqiptar, përparimin kah Evropës e ndoqi në rrugë tokësore, bregut të Danubit deri afër Vjenës dhe nuk ndërmori sulme kundër Italisë e papatit nga Durrësi. Së treti, a duhej të mbrohej qytetërimi dhe kultura perëndimore e asaj kohe ? Qyetërimi dhe kultura evropiane e asaj periudhe dhe shumë më pas, ishin ndër të tjera, qytetërimi dhe kultura e kryqëzatave, inkuizicionit, djegies së rreth 700 mijë plakave të pafajshme të akuzuara si shtriga, e shfarosjes së hebrejve etj., etj. Vetë evropianët kishin filluar dhe pak pas vdekjes së Skënderbeut i kishin shpallur luftë qytetërimit dhe kulturës së deriatëhershme evropiane, elementëve thelbësorë të mesjetës të cilën e quanin periudhë të “vdekjes” dhe përpiqeshin ta zëvendësonin me “rilindjen”, periudhë dehumanizmi dhe përpiqeshin ta zëvendësonin me humanizmin, periudhë të errësirës dhe flakjen e saj e quajtën periudhë të ndriçimit (iluminizmit). Mund të thuhet se Skënderbeu mbrojti kushtet që evropianët vetë të fillojnë luftën kundër kësaj kulture perëndimore, por ky interpretim nuk qëndron, sepse lufta evropiane kundër kulturës evropiane mori vrull pikërisht pas vdekjes së Skënderbeut. Nga kjo rastisje në kohë ndoshta nuk del as se Skënderbeu ishte pengesë e vrullit të humanizmit, rilindjes dhe iluminizmit evropian, por vetëm se Skënderbeu nuk kishte rol të rëndësishëm as për mbrojtjen, as për ndryshimin e kulturës evropiane. Sidoqoftë, sipas vetë evropianëve, gjëja që duhej më së paku të bëhej në atë ishte mbrojtja e kulturës së atëhershme evropiane, perëndimore etj..

2-Skënderbeu është mbrojtës i krishtërimit perëndimor. Ky argument thotë se luftërat antiosmane të Skënderbeut kanë qenë njëkohësisht luftra për ruajtjen e kristianizmit perëndimor kundër islamizmit, se Skënderbeu ishte projektuar të vihej në krye të kryqëzatave, se është vlerësuar “Atleti i Krishtit”, se këshilltar kryesor kishte peshkopin Pal Engjëlli dhe se përfundimisht në orientimin e vet politik ishte thellësisht kristian perëndimor.

Ndaj këtij argumenti janë paraqitur kundërargumente të prirjeve të ndryshme që tregojnë marrëdhënie më të ndërlikuara ndërmjet Skënderbeut dhe kristianizmit. Së pari, historigrafia enveriste është përpjekur të zvogëlojë motivin fetar kristian të Skënderbeut duke nxjerrë pavarësinë e vendit si motiv të parë të luftërave të tij, duke treguar pabesitë e papës ndaj Skënderbeut etj. Së dyti, cilin kristianizëm perëndimor mbronte Skënderbeu?

Edhe në qoftë se Skënderbeu ishte mbrojtës i katolicizmit papnor, nuk del se është mbrojtës i kristianizmit perëndimor, sepse kristianizmi perëndimor ishte ndarë në drejtime që nuk pranonin katolicizmin papnor dhe autoritetin e papës së Romës. Pak para periudhës së luftërave të Skënderbeut, konflikte kishin shpërthyer madje edhe ndërmjet vetë kandidatëve për selinë e papës, një prej të cilëve e zhvendosi atë në Avinjon të Francës, e në të njëjtën kohë ekzistonin tre papë që lëshonin mallkime kundër njëri-tjetrit. Gjatë periudhës së Skënderbeut kishin filluar dhe jo shumë pas vdekjes së tij morën vrull lëvizjet reformiste në Gjermani me Martin Luterin, në Francë me Kalvinin etj., për shkëputjen e kishave nga katolicizmi papnor që përfunduan në luftëra të përgjakshme si masakra kundër hugenotëve në natën e Shën Bartolemeut, inkuizicioni, luftërat ndërmjet Spanjës dhe Hollandës etj., etj. Njëri pas tjetrit kisha dhe popuj evropianë ishin shkëputur nga katolicizmi dhe autoriteti papnor duke krijuar kishën anglikane, protestantët, kalvinistët, luterianët, baptistët etj., etj., kështu që termi “mbrojtje e katolicizmit” nuk mbulon termin “mbrojtje e kristianizmit perëndimor”, por vetëm tregon marrjen e anës së njërës palë kristiane në luftën kundër palës tjetër kristiane perëndimore.

Së treti, a ishte luftë për mbrojtjen e kristainizmit kundër islamizmit pjesëmarrja e Skënderbeut në luftën e një princi kristian (psh princit të Napolit) kundër një princi tjetër po kristian në gadishullin italik?
Skënderbeu del se ka zhvilluar luftëra edhe kundër kristianëve dhe kjo mund të interpetohet si luftë e Skënderbeut kundër kristianizmit (siç interpretohet si luftë për mbrojtjen e tij, meqenëse është në anën e një udhëheqësi kristian) jo vetëm kur ishte në shërbim të sulltanit, por edhe kur ishte kundërshtar i tij, ose mund të interpretohet se në politikën e vetë Skënderbeu nuk udhëhiqej nga motivi fetar, por i forcimit të fuqisë së vet ose se Skënderbeu ishte një palë kristiane në luftën kundër islamizmit dhe kristianizmit tjetër perëndimor etj., etj. Po ashtu, si mbrojtës i kristianizmit perëndimor, Skënderbeu nuk del as kur bën aleanca me princër dhe mbretër të kristianizmit ortodoks lindor si ata serbë, bullgarë, grekë etj. Së katërti, devotshmëria katolike e Skënderbeut është e dyshimtë, sepse vetë ai një kohë të gjatë kishte jetuar si mysliman, sepse familja e tij ishte e njohur nga njëra anë për ndërrimet e shpeshta fetare dhe nga ana tjetër, pjesa më e madhe e familjes së tij ishte nën ndikimin ortodoks të nënës që shprehet në ortodoksë-sllavë të vëllezërve dhe motrave si Reposhi, Konstantini, Vllajka, Jella etj., deri tek varrimi i vëllait të tij me nderim të madh në manastirin e shenjtë e Hilanadarit në Greqi. Siç u tha edhe në prirjet politike tek Skënderbeu konstatohen prirje drejt kristianizmit ortodoks lindor. Së pesti, Skënderbeu mund të interpretohet si udhëheqësi shqiptar që përuroi fillimin e luftërave fetare ndërmjet shqiptarëve. Kështu mund të interpretohet sjellja e tij ndaj besimeve të tjera fetare në Shqipëri pas kthimit në Krujë, kur kërkoi nga kolonistët dhe të konvertuarit në myslimanë të zgjedhin ndërmjet kristianizmit e vdekjes dhe të gjithë ata që nuk pranuan të braktisin islamin i masakroi. Masakra masive si këto nuk janë kryer gjatë gjithë periudhës së sundimit osman dhe përgjithësisht kjo sjellje e Skënderbeut nuk u pasua nga udhëheqës të tjerë (ndoshta me përjashtim të Pjetër Bogdanit dhe ndonjë rasti tjetër të rrallë) e nuk u shndërrua në traditë tek shqiptarët. Përkundrazi, traditë u bë toleranca fetare që është një përvojë dhe karakteristikë tipike shqiptare.

Por në qoftë se do të ishte vazhduar qëndrimi i Skënderbeut, atëherë atij do t’i takonte merita e themeluesit të intolerancës dhe luftërave fetare ndërmjet shqiptarëve. Sidoqoftë nga të gjitha këto, sjellja e Skënderbeut nuk mund të përmblidhet nën termin “mbrojtës I kristianizmit perëndimor”, as nën termin “mbrojtës i kristianizmit”, sepse në veprimtarinë e tij ka edhe luftëra kundër kristianëve, sidomos kundërshtarëve të Papës, edhe aleanca me ortodoksinë që nuk është kristianizëm perëndimor etj. Sigurisht, në krahasim me islamizmin, të gjitha format e kristianizmit kanë diçka të përbashkët, por kjo e përbashkët është e pamjaftueshme që veprimtaria e Skënderbeut të përfshihet nën termin “mbrojtës i kristianizmit” edhe kur lufton kundër kristianëve.

3-Skënderbeu ka vlerën dhe meritën se është krijues i miqësisë së popullit shqiptar me popujt e tjerë të Ballkanit, me sllavët para së gjithash me serbët, malazezët, bullgarët dhe me grekët, përmes kërkesave për aleanca kundër Perandorisë Osmane, përmes shembullit të vet dhënë këtyre popujve për luftën çlirimtare, përmes frymëzimit dhe nxitjes së besimit në mundësinë e thyerjes e të fitores kundër Perandorisë Osmane etj. Kjo miqësi dhe admirim për Skënderbeun shfaqet në këngët popullore që i kanë kushtuar popujt e Ballkanit dhe në vlerësimin që i bënin udhëheqësit ballkanikë rolit të Skënderbeut në planet e tyre politike. Kjo miqësi e forcuar nga Skënderbeu është vazhduar në luftërat e mëvonshme të përbashkëta të shqiptarëve dhe ka qenë bazë e bashkëpunimit të shqiptarëve me serbët dhe grekët kundër “armikut të përbashkët” deri në ditët tona.

Edhe ndaj këtij argumenti janë bërë vërejtje të rëndësishme. Së pari, gatishmëria dhe përpjekjet e Skënderbeut për të bashkëpunuar me udhëheqësit politikë sllavë, para së gjithash serbë dhe udhëheqësit politikë grekë, nuk e kanë bërë politikën serbe e greke miqësore ndaj shqiptarëve në asnjë periudhë dhe për asnjë ngjarje. Së dyti, me bashkëpunimin e tij me serbët dhe grekët, Skënderbeu ndikoi në krijimin e një tradite të bashkëpunimit të politikanëve të mëvonshëm shqiptarë me politikanët serbë dhe grekë kundër “armikut të përbashkët” që përgjithësisht përfundonin në humbje të shqiptarëve në kuptimin e nënshtrimit të politikës shqiptare ndaj asaj serbe dhe greke që mbetën armiqësore. Së treti, përpjekja për të ndarë konceptim “miqësi mes popujsh” nga “miqësi mes politikanësh” të popujve të ndryshëm nuk ka vlerë, sepse ajo që quhet “miqësi mes popujve” në fakt është “miqësi” ose bashkëpunim mes politikanëve. Për të bërë të vlefshëm dallimin ndërmjet termit “miqësi mes popujsh” nga termi “miqësi mes politikanësh”, duhen treguar raste kur politikanët shqiptarë ishin kundër bashkëpunimit me politikanët serbë dhe grekë ndërsa populli kërkonte bashkëpunim dhe bënte presion mbi politikanët për bashkëpunim. Mirëpo si rregull konstatohen vetëm raste të kundërta, kur politikanët kanë qenë për bashkëpunim dhe popujt kundër bashkëpunimit, kur pjesë të popullit shqiptar kritikojnë politikanët e vetë pse bashkëpunojmë me serbët dhe grekët dhe pjesë të popujve serb dhe grek kritikojnë politikanët e vetë pse bashkëpunojnë me shqiptarët. Po ashtu, raste të bashkëpunimit mes pjesëve të popujve fqinjë konstatohen vetëm kur përfundonin miqësitë mes politikanëve. Për këtë nuk ka rëndësi nëse popujt kanë qenë të manipuluar nga politikanët, sepse me manipulim nga politikanët mund të shpjegohen njëlloj edhe armiqësitë, edhe miqësitë mes popujve fqinjë (bashkëpunimi mund të jetë në fakt manipulimi i një popullsie për interesa bashkëpunimi të elitave politike) dhe sepse, manipulimi nuk e ndryshon faktin se popujt kishin miqësi kur kishin miqësi politikanët dhe armiqësi kur kishin miqësi politikanët. Prandaj, ajo që është quajtur “miqësi mes popujve fqinjë” është miqësi e politikanëve shqiptarë me politikanët serbë dhe grekë dhe Skënderbeu është i rëndësishëm në krijimin e traditës së bashkëpunimit të krerëve dhe politikanëve shqiptarë me serbët dhe grekët e jo i miqësisë ndërmjet popujve të Ballkanit. Së katërti, “miqësia me popujt e Ballkanit” ka qenë arsye e armiqësimit në radhët e vetë shqiptarëve, sepse ata shqiptarë që vuanin nga sundimi serb me të cilët bashkëpunonte Skënderbeu e shikon me revoltë vetë këtë udhëheqës dhe shqiptarët që e mbështesnin. Prirja e Skënderbeut për miqësi dhe aleanca politike përveç me sundimtarin serb të Bosnjes edhe me sundimtarin serb të Kosovës, despotin Gj. Brankoviç ka qenë shkak i armiqësisë së popullsisë shqiptare që vuante terror nën sundimin e Brankoviçit ndaj Skënderbeut. Po ashtu, edhe princa dhe udhëheqës të rëndësishëm si Dukagjinasit u vunë kundër Skënderbeut për shkak të miqësisë së tij me serbët. Territoret e Dukagjinasve kufizoheshin me territoret shqiptare të sunduara nga Brankoviçi dhe aleati politik i Skënderbeut që shfaroste shqiptarët në principatën e vetë (Kosova) dhe nga kjo fqinjësi, ndërmjet Dukagjinasve dhe Brankoviçit kishte konflikte. Mbështetja e Dukagjinasve nga popullsia dhe kundërshtimi i Skënderbeut për arsye të miqësisë së tij me Brakoviçin kanë bërë që në traditën popullore në Krujë e sipër të jetojë Lekë Dukagjini, ndërsa Skënderbeu është dërguar vonë nëpërmjet sistemit arsimor në popullsi, kurse në kujtesën popullore dhe në odën tradicionale shqiptare ka qenë i harruar. Në këtë argument po të pyetet se pse e “tradhëtuan” Dukagjinasit Skënderbeun, përgjigja është se Skënderbeu i kishte tradhëtuar më parë duke lidhur miqësi me armikun kryesor të tyre, me serbët dhe Gj. Brankoviçin. Sipas këtij argumenti Dukagjinasit përfaqësojnë politikën e armiqësisë me serbët, Skënderbeu të bashkëpunimit me serbët.

4. Skënderbeu është shëmbëlltyra e luftës së një populli për liri dhe pavarësi. Me luftërat e tij për gati një çerek shekulli, Skënderbeu është shembulli i virtytit dhe kryerjes së detyrës ndaj atdheut, i luftës për çlirim nga pushtuesit më të egër të vendit. Ai po ashtu është shembulli i trimërisë dhe strategut ushtarak, meqenëse u ndesh me një fuqi shumë më të madhe se ushtria e tij dhe doli fitimtar.

Edhe ndaj këtij argumenti janë paraqitur vërejtje të ndryshme dhe interpretime alternative.

Së pari, a është Skënderbeu shëmbëlltyrë e luftëtarit për liri apo siç është e zakonshme në politikën e shqiptarëve edhe ai është bashkëpunëtor me një pushtues dhe sundimtar kundër një pushtuesi dhe sundimtari tjetër? Skënderbeu ka qenë bashkëpunues politikisht me serbët, veçanërisht sundimtarin e Kosovës Brankoviç. Prandaj përgjigja në këtë pyetje është e lidhur me përgjigjen në një pyetje tjetër: a është Kosova toka shqiptare, do të thotë atdhe, pjesë e atdheut ? Në qoftë se po dhe ndodhej nën sundimin serb, atëherë del se bashkëpunimi me serbët është bashkëpunim me pushtuesit e atdheut. Në qoftë se Kosova nga udhëheqësit shqiptarë nuk konsiderohet tokë shqiptare, pjesë e atdheut, atëherë bashkëpunimi me serbët nuk është bashkëpunim me pushtuesit e atdheut, por vetë politikani shqiptar sillet dhe mendon njëlloj si politikani serb, domethënë jo si bashkëpunëtor i serbëve, por si vetë sebët. Sepse konsiderimi i Kosovës tokë joshqiptare është karakteristikë themelore e mendimit të çdo politikani serb. Në të dy rastet, bashkëpunimi i Skënderbeut me serbët tregon rreshtimin e tij në anën e pushtuesve, përkatësisht të armiqve të shqiptarëve. Argumente të ndryshme janë zhvilluar për të treguar se serbët gjatë pushtimit osman kanë qenë edhe vetë të pushtuar dhe prandaj nuk ka kuptim të quhen pushtues (psh historiografia enveriste), por argumente janë zhvilluar për të treguar se edhe osmanët pas disa shekujve të qëndrimit në Ballkan, nuk ishin më pushtues, por vetëm popull sundues (psh Castellan). Sidoqoftë, më tepër se çështje përkufizimi teorik, cilësimi i serbëve dhe osmanëve si pushtues është i lidhur me përjetimin e tyre nga popullsitë e sunduara. Dhe, edhe pas shekujsh sundimi si serbët, si osmanët, përjetoheshin si pushtues dhe sundimtarë. Nga bashkëpunimi me serbët Skënderbeu nuk del shembull i luftëtarit për liri dhe pavarësi, por i bashkëpunimit me njërin nga pushtuesit (serbët) në luftë kundër pushtuesit tjetër (osmanëve).

Së dyti, cili ka qenë pushtuesi ose po të përdoret termi i Castellan, sundimtari më i rrezikshëm për shqiptarët: sundimtari serb apo osman ? Dëshmitë tregojnë bindshëm se jo vetëm para, por edhe pas pushtimit osman për shqiptarët rreziu kryesor, sundimtari dhe pushtuesi më i rrezikshëm mbeten sllavët dhe grekët. Prandaj të gjithë politikanët shqiptarë zgjodhën ndërmjet rrezikut më të madh dhe rrezikut më të vogël dhe jo ndërmjet lirisë dhe robërisë, zgjodhën bashkëpunimin me armikun dhe pushtuesin më pak të rrezikshëm osman, ose me armikun dhe pushtuesin më të rrezikshëm sllav e grek. Bashkëpunimi i Skënderbeut me serbët dhe grekët tregon se ai ka qenë bashkëpunëtor me armiqtë dhe pushtuesit më të rrezikshëm sllavë dhe grekë. Bashkëpunimi i Skënderbeut me serbët dhe grekët tregon se ai ka qenë bashkëpunëtor me armiqtë dhe pushtuesit më të rrezikshëm e jo luftëtar i lirisë.

Së treti, a ka qenë Skënderbeu shëmbëlltyrë e luftëtarit të lirisë apo të vasalit? Skënderbeu nuk kishte pranuar vasalitet ndaj sulltanit, por kishte pranuar vasalitet ndaj Venedikut. Nga kjo del se Skënderbeu nuk ka qenë shëmbëlltyrë e luftëtarit të lirisë, por vasal, sepse fakti që nuk është vasal i sulltanit, por i Venedikut nuk e ndryshon faktin se ka qenë vasal. Kjo përsëri është vetëm çështje e zgjedhjes: vasal i kujt? Këtu shtohet edhe se Venediku po ashtu mbante nën sundim territore dhe portet më të rëndësishme shqiptare dhe Skënderbeu ishte vasal i një sundimtari e pushtuesi.

Së katërti, Skënderbeu vërtetë është shëmbëlltyra e strategut ushtarak, por raporti ndërmjet luftës dhe politikës tek ai është i përmbysur, sepse lufta shikohet si kryesore dhe politika dytësore, ndërsa politika do të duhej të ishte mbi luftën.

Së pesti, në luftërat e tij Skënderbeu ka qenë i manipuluar nga agjentura joshqiptare, para së gjithash papati, Venediku, hungarezët etj., etj., të cilët e kanë përdorur Skënderbeun për të dobësuar rrezikun osman ndaj tyre duke zhvilluar luftërat në territor shqiptar. Duke e konceptuar si politikan injorant, këto fuqi kanë arritur ta fusin Skënderbeun në luftë kundër superfuqisë më të madhe të kohës (si t’u shpallë sot Shqipëria luftë SHBA-ve), luftërat janë zhvilluar në territor shqiptar, për rreth një çerek shekulli shqiptarët as kanë mbjellë, as kanë korrur, as kanë zhvilluar tregtinë, zejet etj., është shkatërruar një pjesë e madhe e popullsisë, e pasurive si: ullinjtë, vreshtat etj., etj. Nga të gjitha këto, nga kjo politikë e Skënderbeut mund të kenë përfituar popujt e ndryshëm, por kanë humbur shqiptarët.

Megjithë premtimin për të mos bërë digresione (degëzime) të argumentimit, këtu bëhet i nevojshëm një i tillë. Fjala është për argumentin se ndërmjet prirjes së Skënderbeut drejt katolicizmit dhe prirjes së tij drejt sllavizmit dhe ortodoksisë ka një kontradiksion të papajtueshëm, së paku në kontekstin e marrëdhënieve ndërmjet katolicizmit shqiptar dhe sllavëve ortodoksë, në radhë të parë serbëve. Në traditën katolike shqiptare ka pasur një rrymë të fortë të konfliktit me ortodoksizmin serb që kur u ndanë kishat në romake dhe bizantine. Në kohën e Skënderbeut ende ishin të pathara damkat e hekurit të skuqur të përdorur nga serbët e Stefan Dushanit e pasardhësit të tij, masakrat, shpronësimet, ndarjet e burrit nga gruaja, e fëmijëve nga prindërit si presion për konvertimin e shqiptarëve katolikë në ortodoksë. Përdorimi i shkallës kaq të lartë të dhunës për konvertim, është tregues edhe i shkallës së lartë të kundërshtimit të shqiptarëve katolikë për t’u kthyer në ortodoksë që e bënte të nevojshme përdorimin e mjeteve ekstreme mesjetare të dhunës. Prirja e Skënderbeut për aleanca me nipin e Car Lazarit, Brankoviçin, ishte krejt në kundërshtim me këtë qëndresë popullore dhe me rrymën e klerit katolik shqiptar që përpiqej të ruante lidhjet me papatin dhe katolicizmin nga ortodoksizmi sllav. Qëndresa e klerit katolik shqiptar jo vetëm me bazë fetare, por edhe mbi bazë etnike ndaj sllavizimit të kishës shqiptare vërtetohet përgjatë gjithë shekujve. Ata, që në atë kohë janë ngritur kundër mbushjes së kishave shqiptare me klerikë të besimit katoloik, por etnikisht sllavë (psh raguzianë) siç dëshmohet në dokumentat e kohës dhe kjo ndeshje e klerit katolik me klerin sllav, qoftë edhe katolik, gjendet gjatë gjithë historisë së katolicizmit shqiptar deri sot. Armiqësia e lashtë e ortodoksizmit sllav ndaj katolicizmit shqiptar u vërtetua si edhe më e dhunshme në vitet 1913-1914 në masakrat e kryera nga qeveria malazeze ndaj popullsisë myslimane e katolike shqiptare për konvertimin e tyre në ortodoks. Prandaj Skënderbeu me prirjen e tij drejt sllavizmit dhe ortodoksisë është në kundërshtim me qëndresën popullore dhe të klerit katolik shqiptar kundër ortodoksizmit sllav, sepse nuk mund të ishte njëkohësisht edhe mik i sllavëve, edhe mbrojtës i katolicizmit shqiptar.

5. Skënderbeu ka meritë të jashtëzakonshme për shqiptarët, sepse është krijues i shtetit shqiptar. Ky argument ose thotë se Skënderbeu e ripërtëriu traditën e shtetit shqiptar duke i dhënë formë më të plotë kësaj tradite të mëhershme, ose thotë se Skënderbeu është krijuesi i shtetit të parë të mirëfilltë shqiptar.

Ndaj këtij argumenti, në formën e parë, nga autorë shqiptarë nuk janë paraqitur vërejtje dhe argumente të kundërta. Ndërsa në formulimin e tij të dytë është kundërshtuar nga shumë drejtime. Sipas disa autorëve, shteti i parë shqiptar në mesjetë është shteti i Progonit, ndërsa disat ë tjerë e shtrijnë shtetin e parë në territorin e Dardanisë (Kosovës). Sidoqoftë, vlera e Skënderbeut si përpjekje për krijimin e shtetësisë shqiptare nuk është vënë seriozisht në dyshim nga autorë shqiptarë të ndonjë drejtimi.

6. Skënderbeu është mit dhe simbol i shqiptarëve dhe teorikisht është e argumentuar se mitet dhe simbolet duhet të lihen të kryejnë funksionin e tyre si të tilla.

Ky argument nuk është formuluar saktësisht në këtë formë. Por sikur debatuesit të kishin njohuri për teoritë postmoderne, do të kishin mundësi ta formulonin. Meqenëse debatuesit siç u tha, janë kryesisht nivel i ulët teorik dhe kulturor, atëherë ky argument është e drejtë të formulohet për ta edhe pse nuk e dinë, duke supozuar se po ta dinin, do ta kishin paraqitur. Në të vërtetë, karakteristikë e modernes ka qenë edhe përpjekja për të ndarë qartë shkencën nga miti, arti, ideologjia, politika dhe feja. Karakteristikë e modernes ka qenë dhe përpjekja për demitizimin e mitit, legjendës, ideologjive etj. Tipike moderne janë psh përpjekjet e Kadaresë për të demitizuar mitet dhe legjendat shqiptare e botërore (psh në poezinë “Laookonti”), ose ta zëmë, përpjekja për të interpretuar në frymën e frojdizmit (tani gati i harruar) legjendën e Konstandinit dhe të Doruntinës, për ta interpretuar jo si mesazh të forcës dhe të besës, por si inçest, si dashuri seksuale ndërmjet motrës e vëllait, si legjendë në të cilën shqiptarët kanë ruajtur dhe çliruar perversitetet e veta seksuale. Në këtë vijë janë përpjekjet e tij të fundit për të interpretuar sjelljet tradicionale të shqiptarëve të Veriut si sjellje që shpjegohen me impulse homoseksuale të personifikuara në personazhe që përfaqësojnë shqiptarët tradicionalë etj.

Pra, në këtë frymë të modernes teorikisht jo vetëm nuk mund të kërkohet që Skënderbeu të mos shqyrtohet në mënyrë kritike, sepse përbën mit dhe legjendë të shqiptarëve, por përkundrazi pikërisht sepse përbën mit do të kërkohej demitizimi i tij nga shkenca. Teoritë që i janë kundërvënë modernes dhe që mëtojnë të provojnë se mitet duhet të lihen mite, se mitet e kryejnë funksionin e tyre vetëm si mite, se procesi i demitizimit është pa kuptim dhe edhe vetë përbën një mit etj., janë teoritë postmoderne. Mirëpo në këtë rast mund të thuhet se ky argument ka vlerë po të përdoret kundër procesit që ka ndërmarrë Kadareja për të demitizuar legjendat e mitet duke i interpretuar në një frymë të dalë mode, si psh frojdizmi që ka qenë në modë në vitet ’70 dhe për t’i paraqitur shqiptarët si perversë. Por argumenti “të lihen mitet mite” nuk mund të përdoret në rastin e Skënderbeut, sepse Skënderbeu nuk është mit po personazh konkret historik dhe si i tillë i nënshtrohet studimit shkencor si çdo object tjetër.

Me kaq në rend vjen shqyrtimi sipas radhës, i argumenteve që mund të quhen praktike, politike apo prudenciale.

1. Pavarësisht si është e vërteta për Skënderbeun, duke e paraqitur si mbrojtës të Evropës shqiptarët përfitojnë përkrahjen e Evropës për synimet e veta politike të kohës. Në plan të parë është interesi praktik kombëtar i shqiptarëve për të pasur përkrahjen evropiane. Për shqiptarët më e mençur (prudenciale) është të përdorin Skënderbeun për interesin politik të kohës se sa të merren me spekullime historiko-teorike etj., etj. Mbi arsyetimin se Skënderbeu dhe shqiptarët kanë mbrojtur Evropën nga pushtimi osman, është kërkuar nga Evropa që “tani që shqiptarët kanë nevojë për ndihmën e Evropës, Evropa duhet t’u kthejë borxhin”.

Ndaj këtij arsyetimi mund të paraqiten vërejtje të ndryshme, sidomos duke u kthyer tek supozimi i tij themelor. Ky argument mbështetet në supozimin se politika e sotme në marrjen e vendimeve mbështetet në ndjenjën e kthimit të borxheve nga e kaluara. Ndaj këtij supozimi janë të vlefshme argumente të tilla: së pari, politika e sotme ngul këmbë që politika të mos bëhet mbi bazën e borxheve të së kaluarës, qoftë të një borxhi shpërblyes, qoftë të një borxhi ndëshkues. Studimet e procesit të vendimmarrjes vërtetë kanë provuar se në procesin e vendimmarrjes nga vendimmarrësit politikë merren parasysh shumë faktorë, por jo ndjenja e kthimit të ndonjë borxhi të së kaluarës. Pasi merren vendimet mbi bazën e peshimit të faktorëve të ndryshëm politikë, ndjenja e borxhit të së kaluarës mund të përdoret nga politikanët për të siguruar mbështetjen e publikut dhe mobilizimin e popullsisë për realizimin e vendimit të marrë. Së dyti, po të ishte faktor i rëndësishëm në marrjen e vendimeve ndjenja e borxhit të së kaluarës, atëherë borxhin më të madh ndaj shqiptarëve e kanë Serbia dhe Greqia dhe do të duhej pritur miqësi prej tyre, por pikërisht këto shtete dhe popuj vazhdojnë të tregohen më armiqësorët ndaj shqiptarëve. Nga ana tjetër, në qoftë se shqiptarët besojnë se marrja e vendimeve politike bazohet në ndjenjën e borxhit, atëherë do të duhej t’u drejtoheshin në radhë të parë vendimmarrësve grekë dhe serbë për t’u kthyer borxhin shqiptarëve dhe të prisnin (në llogaritjet e tyre politike) se do të kenë mbështetjen e Greqisë e të Serbisë. Së treti, shqiptarët kritikojnë Evropën pse i ka ndihmuar Serbinë dhe Greqinë në dëm të interesave të shqiptarëve dhe mbi këtë bazë kërkojnë t’u kthejë borxhin në të cilin ka hyrë me këtë ndihmë të padrejtë. Mirëpo krijimin e shtetit serb dhe grek, forcimin dhe shtrirjen e tyre në territoret shqiptare e kanë ndihmuar edhe më shumë se Evropa disa rryma politike dhe figura të njohura shqiptare. Në qoftë se ndihma dhënë grekëve e serbëve për të krijuar shtetet e tyre, për t’i forcuar dhe për t’i shtrirë ato edhe në territoret shqiptare, përbën padrejtësi dhe krijon borxh ndaj shqiptarëve, siç thuhet për Evropën, atëherë padrejtësi dhe borxh ndaj shqiptarëve kanë në radhë të parë këto figura dhe rryma politike shqiptare. Derisa Evropa fajësohet dhe i kërkohet kthimi i borxhit për ndihmën që i kanë dhënë Serbisë dhe Greqisë në dëm të shqiptarëve, të njëjtt autorë i kanë lavdëruar dhe ngritur në nivelin e heronjve të popullit shqiptarët që kanë kryer të njëjtin faj me Evropën dhe madje kanë ndihmuar edhe më shumë Greqinë e Serbinë në dëm të shqiptarëve.

3. Pavarësisht nga rrjedhojat që ka sjellë politika e Skënderbeut figura e tij duhet të ruhet për shkak të frymëzimit që jep tek shqiptarët për luftën për liri e pavarësi. Skënderbeu dhe lufta e tij është përdorur si frymëzim për luftërat për liri dhe pavarësi nga shqiptarët dhe ai mbetet burim frymëzimi sa herë të paraqitet nevoja praktike.

Ndaj këtij argumenti po ashtu formulohen vërejtje të ngjashme. Së pari, figura e Skënderbeut nuk ka qenë burim frymëzimi i shumë ngjarjeve tepër të rëndësishme për shqiptarët, duke përfshirë dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912 etj., etj. Së dyti, Skënderbeu mund të përdoret dhe është përdorur për të frymëzuar politika dhe ngjarje që kanë çuar në rrënimin e shqiptarëve. Kështu, prirja e Skënderbeut për të bashkëpunuar me sllavët dhe grekët “kundër armikut të përbashkët” jashtëballkanik (osman) është përdorur për të legjitimuar bashkëpunimin e mëvonshëm të udhëheqësve shqiptarë me serbët dhe grekët kundër “armiqve të përbashkët” jashtëballkanikë. Në planet e tyre për të gjetur bashkëpunëtorë shqiptarë që të fusin në luftë shqiptarët me osmanët, që të dobësohen të dy palët, nga agjenturat politike serbe dhe greke përdorej shembulli i Skënderbeut. Figura e tij sipas situatës së ditës, mund të rikujtohet si shembull i marrëdhënieve të mira ndërfetare tek shqiptarët, sepse bashkoi fisnikët katolikë e ortodoksë shqiptarë, mund të rikujtohet për të nxitur urrejtje fetare dhe luftëra fetare mes shqiptarëve, sepse masakroi fshatarët e Krujës për të filluar luftëra kundër superfuqive si ai kundër osmanëve etj.

Ndaj të tri këtyre argumenteve mund të bëhen disa vërejtje të përbashkëta. Së pari, e përbashkëta e të trijave është gatishmëria për të shpërfillur të vërtetën, është gjykimi i tipit “pavarësisht si është e vërteta…” nga Skënderbeu duhet krijuar një figurë simbol për përdorim të politikës së kohës, se popujt kanë nevojë për heronj qoftë edhe të rrejshëm, se popuj të tjerë (veçanërisht serbët) krijojnë heronj edhe kur nuk i kanë fare etj., etj. Në themel të këtij arsyetimi për të tri argumentet praktike qëndron supozimi i nënkuptuar se e vërteta dhe interesi i shqiptarëve janë në kundërshtim me njëri-tjetrin, se e vërteta mund të jetë ndryshe, por interesi shqiptar kërkon të kundërtën. Fshehja e së vërtetës për Skënderbeun vërtetë e shpëton madhështinë e figurës së tij, por i rëndon shqiptarët me akuzën se e vërteta është kundër interesit të shqiptarëve, se interesi i shqiptarëve mbrohet vetëm me gënjeshtra ose thënë ndryshe e shpëton Skënderbeun, por e rëndon popullin, kombin. Përballë tij vihet argumenti se e vërteta dhe interesat shqiptare nuk janë në kundërshtim me njëri-tjetrin, nuk janë përjashtues dhe se përkundrazi, e vërteta dhe interesat shqiptare përputhen. Popujt e tjerë mund të kenë nevojë për heronj të rremë, madje mund të jenë vërtetë të dobishëm praktikisht, ndërsa në interes të shqiptarëve janë heronjtë e vërtetë. Së dyti, e përbashkëta e të tri këtyre argumenteve është natyra e tyre praktike, prandaj qëndrueshmëria e tyre është çështje e rezultatit praktik: në qoftë se kur janë përdorur kanë dhënë rezultat praktik, atëherë përdorshmëria dhe qëndrueshmëria e tyre është vërtetuar, në qoftë se jo, nuk është vërtetuar. Të tri këto argumente janë formuluar dhe përdorur nga rilindasit shqiptarë, domethënë ka mbi një shekull e gjysëm që përdoren pa dhënë rezultat: as Evropa, as kristianizmi nuk i ka përkrahur shqiptarët nga ndjenja e borxhit ndaj tyre i krijuar nga mbrojtja që i ka bërë Skënderbeu Evropës dhe kristianizmit përballë sulmit osman. Për më tepër, nuk ka historian evropian apo kristian që t’i besojë këto mëtime të shqiptarëve, që të konsiderojë rolin e Skënderbeut vendimtar për mbrojtjen e Evropës dhe të kristianizmit. Pikërisht në kuptimin praktik historianët kritikë racionalë shtrojnë ato pyetje që u përmendën më sipër si: a nuk kishte rrugë tjetër tjetër Perandoria Osmane për të pushtuar Evropën veç territorit që mbrohej nga Skënderbeu ? Pse nuk e pushtoi pas vdekjes së Skënderbeut ? A mbronte kulturën perëndimore apo kulturën lindore kur mbronte ortodoksizmin bizantin dhe sllav ? etj., etj., etj. Shkurt, për mbi një shekull e gjysëm përdorshmëria e tyre praktike është dëshmuar e paqëndrueshme. Së treti, në pikëpamje praktike, shqiptarët me gjithë figurat e paraqitura si heroike, që kanë bërë zgjedhje të drejta e luftëra heroike gjenden në situatë më të keqe se të gjithë popujt e tjerë. Kjo e vështirëson shpjegimin se pse shqiptarët kanë kaq shumë figura të shquara dhe heronj dhe praktikën më të pafrytshme. Këta heronj nga njëra anë thuhet se kanë bërë gjithnjë zgjidhjet më të drejta në situatat e ndërlikuara dhe nga ana tjetër, rezultate të këtyre zgjedhjeve kanë qenë humbjet e shqiptarëve, shkatërrimi i gjithanshëm. Kjo praktikisht e shtron dilemën e shqiptarëve për të vazhduar apo për të mos vazhduar praktikat e këtyre heronjve, ndoshta lëkundjet për të parë drejt personazhesh të tjera historike shqiptare dhe drejt zgjidhjesh të tjera që janë bërë gjatë historisë, por që janë mundur nga këta heronj dhe aleatët e tyre sllavë dhe grekë. A ka qenë alternativa tjetër e kundërt me atë të Skënderbeut, domethënë bashkëpunimi me pushtuesit jashtëballkanikë (osmanët, italianët, gjermanët) kundër pushtuesve ballkanikë sllavë (serbë) e grekë zgjidhje më e mirë dhe mos janë ata politikanët që duhen ngritur në nivelin e heronjve? A është gjendja e sotme e mjerë e shqiptarëve, qenia e tyre të copëtuar në disa shtete etj., siç thonë zakonisht historianët, “rezultat i zgjedhjeve politike që kanë bërë ata që sot mbahen për heronj” ? Këto jaë dilema që i ka lindur tek shqiptarët situata shoqërore-politike e sotme, ndryshimet e mëdha që po ndodhin dhe reflektimi racional mbi vetveten. Me këtë arrihet tek konteksti i debatit për Skënderbeun që në fillim u premtua të trajtohet në fund, domethënë tani.

Konteksti i rikthimit të diskutimit për Skënderbeun është ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, konflikti shqiptaro-serb e shqiptaro-grek, përpjekjet e shqiptarëve për integrim në Evropë dhe zhgënjimi që nga “ftohtësia” evropiane ndaj tyre dhe përgjithësisht reflektimi i shqiptarëve mbi qenjësimin e vet politik të sotëm dhe të kaluar si përpjekje për të kuptuar gjendjen e vet të sotme e për të dhënë zgjidhje në rrethanat e sotme. Ky të menduar refleksiv, të menduar i drejtuar kah vetja, përfshinte si shqyrtimin kritik të sistemit që po ndryshohej, ashtu edhe të kaluarën. Mendimi për të kaluarën me përjashtim të një pjese të vogël të shqiptarëve mbizotërohej, por edhe kufizohej nga njohuritë e marra për historianë në sistemin arsimor, në njohuritë që ishin përzgjedhur dhe ishin dhënë pikërisht nga sistemi që synohej të përmbysej. Kjo ka krijuar një kontradiktë: nga njëra anë sistemi konsiderohet shumë i keq, nga ana tjetër njohuritë dhe vlerat e krijuara prej tij për ta mbajtur në këmbë janë gati të vetmet që njihen dhe mbështetja në to nuk e ndryshon sjelljen politike të shqiptarëve.

Sistemi që mbizotëronte mendimin dhe sjelljen e shqiptarëve ka qenë i prirjes drrejt lindjes, sllavizmit, panhelenizmit dhe ortodoksizmit: në Kosovë dhe Maqedoni kah “bashkim-vllaznimi” dhe në Shqipëri kah politika jugosllave, ruse e greke. Historia e shqiptarëve dhe sistemi arsimor që e ka futur atë në popullsi ka qenë e shkruar sipas kësaj prirjeje të sistemit në tërësi (dhe jo vetëm të politikës) duke qenë edhe vetë pjesë e sistemit. Njeriu kryesor i konceptimit dhe shkrimit të historisë së shqiptarëve, Stefanaq Pollo thotë se ne, historianët, kemi bërë projektimin e të sotmes në të kaluarën. Historiografia përbëhet para së gjithash nga përshkrimi dhe interpretimi i ngjarjeve, rrymave dhe individëve. Në qoftë se siç thotë Pollo është bërë projektimi i të sotmes në të kaluarën, atëherë del se në të kaluarën është projektuar ngjarja model, lufta “nacionalçlirimtare”, rryma politike model që është Partia Komuniste e Shqipërisë dhe individi model që është Enver Hoxha. Kështu në të kaluarën janë kërkuar, janë përzgjedhur për t’u lavdëruar dhe janë ngritur në model të sjelljes politike dhe të heroizmit të shqiptarëve ngjarjet që janë zhvilluar sipas prirjes politike të luftës “nacionalçlirimtare”, rrymat politike që kanë qenë në thelb të ngjashme me animin politik të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe individët që kanë qenë në thelb të ngjashëm me mendimin politik të Enver Hoxhës. Prandaj ngjarjet, rrymat politike dhe individët për të cilët shqiptarët kanë mësuar në shkollë (dhe vazhdojnë të mësojnë) si shëmbëlltyra të heroizmit, si shëmbëlltyra që duhen ndjekur, janë lufta “nacionalçlirimtare” e kohës për të cilën bëhet fjalë, Partia Komuniste e kohës për të cilën bëhet fjalë dhe Enver Hoxha(t) e kohës për të cilën bëhet fjalë. Në qoftë se karakteristikë e përbashkët e luftës nacionalçlirimtare”, Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe Enver Hoxhës ka qenë prirja kah lindja, sllavizmi, helenizmi dhe ortodoksizmi, atëherë “projektimi i të sotmes në të kaluarën” do të thotë se janë gjetur dhe janë ngritur në nivelin e heroizmave dhe heronjve ato ngjarje, rryma politike dhe individë të së kaluarës shqiptare që kanë qenë të prirur kah bashkëpunimi dhe aleancat me lindjen, sllavizmin, helenizmin dhe ortodoksizmin. Kështu për shembull, nga Kosova është nxjerrë në plan të pare dhe është ngritur në nivelin e heroit dhe të shëmbëlltyrës për t’u ndjekur nga shqiptarët Isa Boletini që ka qenë, siç është cilësuar “tribun popullor i bashkëjetesës” me serbët dhe është lënë në plan të dytë Hasan Prishtina që ka qenë siç thuhet “nacionalist i tërbuar”, sepse konsideronte serbët si armiq kryesorë të shqiptarëve; në jug është nxjerrë në plan të parë dhe është lavdëruar Çerçiz Topulli, Gjoleka etj., dhe është lënë në plan të dytë Abedin Dino që shpëtoi Çamërinë nga aneksimi grek, është nxjerrë në plan të parë Abdyl Frashëri që sipas projekteve nacionaliste serbe e futi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në luftë kundër osmanëve dhe solli shkatërrimin e saj dhe është lënë në plan të dytë Sami Frashëri që thotë se serbët dhe grekët janë armiqtë kryesorë të shqiptarëve, është glorifikuar Ali Pashë Tepelena që ka qenë vegël e nacionalizmit grek dhe janë lënë në plan të dytë Bushatllinjtë që kanë zhvilluar beteja fitimtare kundër serbëve dhe grekëve, është nxjerrë në plan të parë Pjetër Bogdani që bashkëpunoi me rusët, Arsenijen e III Cërnojeviq dhe aleatët e tyre austro-hungarezë dhe janë lënë në plan të dytë klerikët katoikë që luftuan kundër sllavizimit të kishës shqiptare, etj., etj. Kur nxirret në publik kjo punë që kanë bërë historianët dhe pohohet prej tyre, një pjesë e publikut shqiptar revoltohet jo ndaj historianëve, por ndaj atyre që bashkë me historianët tregojnë se çka është bërë.

Këtu lindin katër kontradikta të tjera: e para, edhe ajo pjesë e shqiptarëve që dëshiron të braktisë përvojën enveriste si përvojë të hidhur, kufizohet në hedhjen poshtë vetëm të Enver Hoxhës së fundit, por nuk tregohet e gatshme të hedhë poshtë edhe “enver hoxhët” e së kaluarës dhe ngul këmbë që të ruhen sipas tyre, “figurat e shquara të kombit” që janë “Enver Hoxha” i së kaluarës. Ato rryma politike që janë Partia Komuniste e së kaluarës dhe ato ngjarje që janë lufta “nacionalçlirimtare” e së kaluarës. E dyta, edhe ajo pjesë që është për hedhjen poshtë të sistemit enverist ngurron të hedhë poshtë historiografinë enveriste që është pjesë e sistemit. Natyrisht, kjo përmbysje e histoiografisë shqiptare nuk është produkt vetëm i historianëve enveristë, por e rrymës serbofile dhe grekofile para tyre. E pranishme për disa shekuj në radhët e shqiptarëve, por historiografia enveriste pati mundësi të punojë për një kohë më të gjatë, m të organizuar dhe të fusë idetë e veta si të vetmet në sistemin arsimor të socializmit në përgjithësi. E treta, edhe ajo pjesë e shqiptarëve që praktikisht është për luftë kundër nacional-shovinizmit serb e grek, ngurron të hedhë poshtë shëmbëlltyrat e bashkëpunimit me serbët dhe grekët në të kaluarën. Kjo pjesë e shqiptarëve dëshiron të zhvillojë luftën kundër nacional-shovinizmit serb dhe grek duke u udhëhequr nga “heronjtë” që kanë qenë për aleancë dhe bashkëpunim me serbët dhe grekët. E katërta, tek ata shqiptarë që në praktikë u angazhuan në luftë të armatosur kundër shovinizmit serb, është kontradikta ndërmjet mendimit të krijuar jashtë sistemit arsimor se serbët dhe grkët janë armiqtë kryesorë të shqiptarëve dhe mendimi që krijohet në shkollë nga lavdërimi i figurave, ngjarjeve dhe rrymave politike shqiptare që kanë qenë për miqësinë. Aleanca e bashkëpunimit me serbët dhe grekët: nëpërmjet përvojës, praktikës armiqësore shqiptaro-serbe dhe shqiptaro-greke dhe porosisë që jep historiografia shkollore për miqësi me serbët dhe grekët. Derisa nga përvoja praktike këta shqiptarë mendonin se serbët dhe grekët janë armiqësorë ndaj shqiptarëve, historiografia shkollore në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri është përzgjedhur sipas idesë qendrore të “bashkim-vëllazërimit” dhe janë glorifikuar ato figura, ngjarje dhe rryma politikë shqiptare që janë shembull bashkëpunimi me serbët dhe grekët.

Këto kontradikta veçanërisht nëpërmjet përvojës praktike të marrëdhënieve armiqësore me serbët dhe grekët dhe shëmbëlltyrave të dhëna nga sistemi arsimor për bashkëpunimin politik me serbët dhe grekët, krijojnë tensione brenda ndërgjegjes personale tek shumë shqiptarë.

Një tension tjetër vjen nga psiqika, nga frika se po të zbulohet e vërteta për ata që mbahen sot për heronj, shqiptarët do të mbesin pa heronj, pa mite, pa simbole, shumë keq. Kjo në gjuhën e psikologjisë është “fobi”, frikë e paarsyeshme dhe në masë të madhe është problemi i vetë atyre që e kanë dhe që duhet ta zgjidhin me psikiatrin ose psikologun. Për sferën e studimeve, me interes është qëndrueshmëria e pohimit se “mbetemi pa heronj, pa figura të shquara” etj. Pohimi se “po shemben këto figura, mbetemi pa heronj” nuk është i saktë, e para sepse çdo rrymë e të menduarit politik ka shëmbëlltyrat e veta të së kaluarës që zënë vendin e atyre që shemben dhe e dyta, se në botimet e dhjetë viteve të fundit (por edhe më parë) janë nxjerrë në dukje figura që në drejtimin e vet janë të adhërishme, që nuk krijojnë tension në ndërgjegjen e shqiptarëve nëpërmjet përvojës praktike që u thotë se serbët dhe grekët kanë qenë armiqtë kryesorë të shqiptarëve dhe historiografisë shkollore që u thotë se serbët dhe grekët kanë qenë aleatët kryesorë të shqiptarëve në luftën kundër “armikut të përbashkët”. Për këtë drejtim, që nuk krijon tension në plan të parë do të dilnin figurat e Hasan Prishtinës, Gjergj Fishtës, Haxhi Zekës, Sami Frashërit, Pashko Vasës, Petro Ninit, Papa Kristo Negovanit, Abedin Dinos dhe po të shkohet më tej gjenden figurat e Mehmet Peshë Bushatlliut (Plakut), Dukagjinasit etj., etj. Me ngritjen në plan të parë të këtyre figurave në ndërgjegjen e shqiptarëve nuk do të kishte tension nëpërmjet praktikës që u thotë se serbët dhe grekët kanë qenë armiqtë kryesorë të interesave shqiptare dhe heronjve, sepse edhe heronjtë thonë të njëjtën gjë.

Si terapi ndaj kësaj fobie shpesh jepet këshilla që “puna të fillojë me vlerësimin dhe ngritjen lartë të figurave që e meritojnë, por pa zhvlerësuar figurat ekzistuese”. Mirëpo procesi i rivlerësimit është më kompleks se kaq, sepse ngritja e figurave të reja nuk fillon në truall bosh. Po të përdoret paraprakisht një krahasim, as bashkia, as komuna nuk ka dhënë një truall (plac) bosh, por një truall ku ekziston një ndertëse e vjetër e vlerave, figurave etj. Kur në truallin e ndërtimit ekziston një ndërtesë, nuk mund të ngrihet e reja pa shembur fillimit të vjetrën. Pa shembur të vjetrën mund të bëhen riparime, lyerje, rikonstruktime të së vjetrës, por nuk mund të ndërtohet gjë e re, ndërtesë e fortë dhe e shëndoshë sipas standardeve bashkëkohore. Në procesin e reflektimit kritik për të kaluarën zhvillohen të ndërthurura përpjekjet për të ruajtur të vjetrën, për të ngjyrosur nga jashtë të vjetrën, për të shembur të vjetrën, për të ndërtuar të renë etj. Në diskutim nuk ka proces të thjeshtuar, vetëm me një zë, por një proces kompleks diskutimi ku secili do të peshojë personalisht. Procesi nuk është as vetëm sulm dhe shembje ndaj figurave ekzistuese, as vetëm mbrojtje e figurave ekzistuese, as vetëm rivlerësim i figurave të lëna në harresë, as vetëm përpjekje për t’i lënë në harresë ato që kanë qenë lënë të tilla. Si në çdo fushë, karakteristika e diskutimit shkencor në sistemin demokratik krijon mundësinë e zgjidhjes nga individi nëpërmjt alternativash të ndryshme: kush nuk dëshiron të lexojë për shembjen e figurave ekzistuese, të mos lexojë; kush dëshiron të lexojë le të lexojë etj. Psikologët kanë provuar se sa njerëz nuk duan të mendojnë vetë, se dëshirojnë që për ta të mendojnë të tjerët, se liria për të menduar u shkakton tension dhe se priren të ikin nga kjo liri. Ata duan një zë të vetëm, autoritar. Megjithë larmishmërinë e pikëpamjeve, as nëpërmjet historianëve dhe as nëpërmjet interpretuesve të tjerë profesionistë nuk ka dallime aq të mëdha sa duken në pamje të parë, qoftë lidhur me faktin, qoftë me klasifikimet. Dallimet më të mëdha kanë vlerësime dhe veçanërisht tek lexuesit.

Një pjesë e tensionit vjen ngaqë shqiptarët janë në proces të gjithanshëm kalimi (tranzicioni) që përfshin edhe ndryshimin e vlerave. Kjo është arsyeja që dallimi nëpërmjet historianëve është i vogël lidhur me faktet, por i madh është dallimi lidhur me vlerësimet dhe përjetimet e këtyre fakteve. Ajo që deri tani konsiderohej vlerë, tani konsiderohet antivlerë. Ajo që përbënte lëvdatë, tani përbën qortim etj. Kështu, po të përmendet vetëm një shembull, shembulli për Isa Boletinin: historianët, biografët e tij, gjithnjë kanë treguar dhe madje kanë shfaqur zell të veçantë për të dokumentuar se Isa Boletini ka qenë bashkëpunues me serbët kundër pushtuesve osmanë. Ky fakt nuk ka ndryshuar as sot. Çka ka ndryshuar është përjetimi i këtij fakti: në sistemin socialist dhe historiografinë socialiste të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, bashkëpunimi me serbët, miqësia me popujt fqinjë konsiderohej vlerë, lëvdatë, prirje, internacionaliste, revolucionare, për bashkim-vëllazërim etj. Duke e konsideruar vlerë, biografët e tij dhe historianët përgjithësisht kanë mbledhur dhe botuar një numër jashtëzakonisht të madh dokumentash që dëshmojnë se Isa Boletini ka qenë bashkëpunëtor i serbëve. Sot i njëjti fakt, bashkëpunimi i Boletinit me serbët, nga disa përjetohet si tradhëti, qortim etj. Duke mos qenë shumë i vetëdijshëm për procesin e ndryshimit të vlerave, disa lexues hidhen emocionalisht kundër historianëve dhe vazhdojnë të përsërisin faktin e përsëritur me dekada se Isa Boletini ka qenë bashkëpunëtor i serbëve. Ky zemërim është karakteristikë e përgjithshme e procesit të ndryshimit të vlerave dhe rivlerësimit të përvojave të vetvetes dhe jo vetëm të shqiptarëve.

“Projektimi i të sotmes në të kaluarën” për të cilën flet Stefanaq Pollo, është bërë edhe për të provuar vazhdimësinë e historisë së shqiptarëve, të asaj që projektohet. Ideja ka qenë për të vërtetuar se Enver Hoxha, Partia Komuniste e Shqipërisë dhe Lufta nacionalçlirimtare” janë vazhdim i traditave mijëravjeçare të popullit shqiptar. Dhe vërtetë, historianët kanë vërtetuar se ashtu si Enver Hoxha dhe Partia Komuniste në Shqipëri, apo Fadil Hoxha dhe Partia Komuniste në Kosovë etj., u bashkuan si aleatë me serbët dhe grekët dhe popujt e tjerë të Ballkanit në luftë kundër “armikut të përbashkët” që vinte nga jashtë Ballkanit, ashtu edhe në të kaluarën ka ekzistuar një traditë e fuqishme e bashkëpunimit të udhëheqësve shqiptarë me popujt e tjerë të Ballkanit, me serbët dhe grekët kundër “pushtuesit të përbashkët” që vine nga jashtë Ballkanit. Historianët kryesorë që i kanë dhënë vulën historiografisë shqiptare si Aleks Buda, Stefanaq Pollo e deri tek Skënder Luarasi dhe brezat e rinj të Shqipëri të riprodhuar nga Ali Hadri dhe pasuesit e tij në Kosovë, i kanë paraqitur si figurat qendrore shqiptare dhe pikat kulmore të bashkëpunimit me popujt e Ballkanit, sllavët dhe grekët, Skënderbeun, Pjetër Bogdanin, Esat Pashën, Isa Boletinin, Ahmet Zogun dhe me grekët Ali Pashë Tepelenën, Zenel Gjolekën e deri tek Fan Noli. Disa përvoja bashkëpunimi si ai i Toptanit dhe Zogut janë cilësuar tradhëti. Ndërsa bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të Serbisë dhe të Greqisë, Skënderbeu, Bogdani, Boletini, Ali Pashë Tepelena, Gjoleka, Noli etj., etj., janë lavëruar, glorifikuar dhe shpallur heronjtë e shëmbëlltyrat kryesore shqiptare që duhen ndjekur. Enver Hoxha, Partia Komuniste e Shqiëprisë, Lufta “nacionalçlirimtare” janë paraqitur si vazhdim i kësaj tradite të lavdishme e heroike shqiptare për të bashkëpunuar me sllavët dhe grekët. E përbashkëta e të gjithë këtyre figurave dhe e këtij kahu politik përgjithësisht ka qenë ideja e bashkëpunimit me popujt e Ballkanit, sllavët dhe grekët, kundër armikut të përbashkët që vinte nga jashtë Ballkanit. Argumenti kryesor legjitimues, por jo i vetmi, domethënë argumenti kryesor që mbështet përfundimin e këtyre historianëve, se bashkëpunimi me serbët dhe grekët ka qenë i drejtë dhe se prandaj ata shqiptarë që bashkëpunuan me ta janë heronjtë e vërtetë të shqiptarëve, është argumenti i “armiku të përbashkët të popujve të Ballkanit, pavarësisht nga dallime e tyre kombëtare” përballë armikut të ardhur prej jashtë Ballkanit. Siç kanë dëshmuar historianët për Skënderbeun, Bogdanin, Boletinin, Tepelenën, Gjolekën etj., armiku i përbashkët i shqiptarëve dhe serbëve dhe i grekëve ishte Perandoria Osmane, për Enver Hoxhën, Fadil Hoxhën etj., ishte përsëri armiku i përbashkët i ardhur nga jashtë Ballkanit, fashizmi italian dhe nazizmi gjerman. Për sot…

Kjo e vështirëson shpjegimin se pse shqiptarët kanë kaq shumë figura të shquara dhe heronj dhe praktikën më të pafrytshme. Këta heronj nga njëra anë thuhet se kanë bërë gjithnjë zgjidhjet më të drejta në situatat e ndërlikuara dhe nga ana tjetër, rezultate të këtyre zgjedhjeve kanë qenë humbjet e shqiptarëve, shkatërrimi i gjithanshëm. Kjo praktikisht e shtron dilemën e shqiptarëve për të vazhduar apo për të mos vazhduar praktikat e këtyre heronjve, ndoshta lëkundjet për të parë drejt personazhesh të tjera historike shqiptare dhe drejt zgjidhjesh të tjera që janë bërë gjatë historisë, por që janë mundur nga këta heronj dhe aleatët e tyre sllavë dhe grekë. A ka qenë alternativa tjetër e kundërt me atë të Skënderbeut, domethënë bashkëpunimi me pushtuesit jashtëballkanikë (osmanët, italianët, gjermanët) kundër pushtuesve ballkanikë slave (serbë) e grekë zgjidhje më e mirë dhe mos janë ata politikanët që duhen ngritur në nivelin e heronjve? A është gjendja e sotme e mjerë e shqiptarëve, qenia e tyre të copëtuar në disa shtete etj., siç thonë zakonisht historianët, “rezultat i zgjedhjeve politike që kanë bërë ata që sot mbahen për heronj” ? Këto jaë dilema që i ka lindur tek shqiptarët situata shoqërore-politike e sotme, ndryshimet e mëdha që po ndodhin dhe reflektimi racional mbi vetveten. Me këtë arrihet tek konteksti i debatit për Skënderbeun që në fillim u premtua të trajtohet në fund, domethënë tani.

Konteksti i rikthimit të diskutimit për Skënderbeun është ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, konflikti shqiptaro-serb e shqiptaro-grek, përpjekjet e shqiptarëve për integrim në Evropë dhe zhgënjimi që nga “ftohtësia” evropiane ndaj tyre dhe përgjithësisht reflektimi i shqiptarëve mbi qenjësimin e vet politik të sotëm dhe të kaluar si përpjekje për të kuptuar gjendjen e vet të sotme e për të dhënë zgjidhje në rrethanat e sotme. Ky të menduar refleksiv, të menduar i drejtuar kah vetja, përfshinte si shqyrtimin kritik të sistemit që po ndryshohej, ashtu edhe të kaluarën. Mendimi për të kaluarën me përjashtim të një pjese të vogël të shqiptarëve mbizotërohej, por edhe kufizohej nga njohuritë e marra për historianë në sistemin arsimor, në njohuritë që ishin përzgjedhur dhe ishin dhënë pikërisht nga sistemi që synohej të përmbysej. Kjo ka krijuar një kontradiktë: nga njëra anë sistemi konsiderohet shumë i keq, nga ana tjetër njohuritë dhe vlerat e krijuara prej tij për ta mbajtur në këmbë janë gati të vetmet që njihen dhe mbështetja në to nuk e ndryshon sjelljen politike të shqiptarëve.

Sistemi që mbizotëronte mendimin dhe sjelljen e shqiptarëve ka qenë i  prirjes drrejt lindjes, sllavizmit, panhelenizmit dhe ortodoksizmit: në Kosovë dhe Maqedoni kah “bashkim-vllaznimi” dhe në Shqipëri kah politika jugosllave, ruse e greke. Historia e shqiptarëve dhe sistemi arsimor që e ka futur atë në popullsi ka qenë e shkruar sipas kësaj prirjeje të sistemit në tërësi (dhe jo vetëm të politikës) duke qenë edhe vetë pjesë e sistemit. Njeriu kryesor i konceptimit dhe shkrimit të historisë së shqiptarëve, Stefanaq Pollo thotë se ne, historianët, kemi bërë projektimin e të sotmes në të kaluarën. Historiografia përbëhet para së gjithash nga përshkrimi dhe interpretimi i ngjarjeve, rrymave dhe individëve. Në qoftë se siç thotë Pollo është bërë projektimi i të sotmes në të kaluarën, atëherë del se në të kaluarën është projektuar ngjarja model, lufta “nacionalçlirimtare”, rryma politike model që është Partia Komuniste e Shqipërisë dhe individi model që është Enver Hoxha. Kështu në të kaluarën janë kërkuar, janë përzgjedhur për t’u lavdëruar dhe janë ngritur në model të sjelljes politike dhe të heroizmit të shqiptarëve ngjarjet që janë zhvilluar sipas prirjes politike të luftës “nacionalçlirimtare”, rrymat politike që kanë qenë në thelb të ngjashme me animin politik të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe individët që kanë qenë në thelb të ngjashëm me mendimin politik të Enver Hoxhës. Prandaj ngjarjet, rrymat politike dhe individët për të cilët shqiptarët kanë mësuar në shkollë (dhe vazhdojnë të mësojnë) si shëmbëlltyra të heroizmit, si shëmbëlltyra që duhen ndjekur, janë lufta “nacionalçlirimtare” e kohës për të cilën bëhet fjalë, Partia Komuniste e kohës për të cilën bëhet fjalë dhe Enver Hoxha(t) e kohës për të cilën bëhet fjalë. Në qoftë se karakteristikë e përbashkët e luftës “nacionalçlirimtare”, Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe Enver Hoxhës ka qenë prirja kah lindja, sllavizmi, helenizmi dhe ortodoksizmi, atëherë “projektimi i të sotmes në të kaluarën” do të thotë se janë gjetur dhe janë ngritur në nivelin e heroizmave dhe heronjve ato ngjarje, rryma politike dhe individë të së kaluarës shqiptare që kanë qenë të prirur kah bashkëpunimi dhe aleancat me lindjen, sllavizmin, helenizmin dhe ortodoksizmin. Kështu për shembull, nga Kosova është nxjerrë në plan të parë dhe është ngritur në nivelin e heroit dhe të shëmbëlltyrës për t’u ndjekur nga shqiptarët Isa Boletini që ka qenë, siç është cilësuar “tribun popullor i bashkëjetesës” me serbët dhe është lënë në plan të dytë Hasan Prishtina që ka qenë siç thuhet “nacionalist i tërbuar”, sepse konsideronte serbët si armiq kryesorë të shqiptarëve; në jug është nxjerrë në plan të parë dhe është lavdëruar Çerçiz Topulli, Gjoleka etj., dhe është lënë në plan të dytë Abedin Dino që shpëtoi Çamërinë nga aneksimi grek, është nxjerrë në plan të parë Abdyl Frashëri që sipas projekteve nacionaliste serbe e futi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në luftë kundër osmanëve dhe solli shkatërrimin e saj dhe është lënë në plan të dytë Sami Frashëri që thotë se serbët dhe grekët janë armiqtë kryesoë të shqiptarëve, është glorifikuar Ali Pashë Tepelena që ka qenë vegël e nacionalizmit grek dhe janë lënë në plan të dytë Bushatllinjtë që kanë zhvilluar beteja fitimtare kundër serbëve dhe grekëve, është nxjerrë në plan të parë Pjetër Bogdani që bashkëpunoi me rusët, Arsenijen e III Cërnojeviq dhe aleatët e tyre austro-hungarezë dhe janë lënë në plan të dytë klerikët katolikë që luftuan kundër sllavizimit të kishës shqiptare, etj., etj. Kur nxirret në publik kjo punë që kanë bërë historianët dhe pohohet prej tyre, një pjesë e publikut shqiptar revoltohet jo ndaj historianëve, por ndaj atyre që bashkë me historianët tregojnë se çka është bërë.

Këtu lindin katër kontradikta të tjera: e para, edhe ajo pjesë e shqiptarëve që dëshiron të braktisë përvojën enveriste si përvojë të hidhur, kufizohet në hedhjen poshtë vetëm të Enver Hoxhës së fundit, por nuk tregohet e gatshme të hedhë poshtë edhe “enver hoxhët” e së kaluarës dhe ngul këmbë që të ruhen sipas tyre, “figurat e shquara të kombit” që janë “Enver Hoxha” i së kaluarës. Ato rryma politike që janë Partia Komuniste e së kaluarës dhe ato ngjarje që janë lufta “nacionalçlirimtare” e së kaluarës. E dyta, edhe ajo pjesë që është për hedhjen poshtë të sistemit enverist ngurron të hedhë poshtë historiografinë enveriste që është pjesë e sistemit. Natyrisht, kjo përmbysje e histoiografisë shqiptare nuk është produkt vetëm i historianëve enveristë, por e rrymës serbofile dhe grekofile para tyre. E pranishme për disa shekuj në radhët e shqiptarëve, por historiografia enveriste pati mundësi të punojë për një kohë më të gjatë, m të organizuar dhe të fusë idetë e veta si të vetmet në sistemin arsimor të socializmit në përgjithësi. E treta, edhe ajo pjesë e shqiptarëve që praktikisht është për luftë kundër nacional-shovinizmit serb e grek, ngurron të hedhë poshtë shëmbëlltyrat e bashkëpunimit me serbët dhe grekët në të kaluarën. Kjo pjesë e shqiptarëve dëshiron të zhvillojë luftën kundër nacional-shovinizmit serb dhe grek duke u udhëhequr nga “heronjtë” që kanë qenë për aleancë dhe bashkëpunim me serbët dhe grekët. E katërta, tek ata shqiptarë që në praktikë u angazhuan në luftë të armatosur kundër shovinizmit serb, është kontradikta ndërmjet mendimit të krijuar jashtë sistemit arsimor se serbët dhe grkët janë armiqtë kryesorë të shqiptarëve dhe mendimi që krijohet në shkollë nga lavdërimi i figurave, ngjarjeve dhe rrymave politike shqiptare që kanë qenë për miqësinë. Aleanca e bashkëpunimit me serbët dhe grekët: nëpërmjet përvojës, praktikës armiqësore shqiptaro-serbe dhe shqiptaro-greke dhe porosisë që jep historiografia shkollore për miqësi me serbët dhe grekët. Derisa nga përvoja praktike këta shqiptarë mendonin se serbët dhe grekët janë armiqësorë ndaj shqiptarëve, historiografia shkollore në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri është përzgjedhur sipas idesë qendrore të “bashkim-vëllazërimit” dhe janë glorifikuar ato figura, ngjarje dhe rryma politikë shqiptare që janë shembull bashkëpunimi me serbët dhe grekët.

Këto kontradikta veçanërisht nëpërmjet përvojës praktike të marrëdhënieve armiqësore me serbët dhe grekët dhe shëmbëlltyrave të dhëna nga sistemi arsimor për bashkëpunimin politik me serbët dhe grekët, krijojnë tensione brenda ndërgjegjes personale tek shumë shqiptarë.

Një tension tjetër vjen nga psiqika, nga frika se po të zbulohet e vërteta për ata që mbahen sot për heronj, shqiptarët do të mbesin pa heronj, pa mite, pa simbole, shumë keq. Kjo në gjuhën e psikologjisë është “fobi”, frikë e paarsyeshme dhe në masë të madhe është problemi i vetë atyre që e kanë dhe që duhet ta zgjidhin me psikiatrin ose psikologun. Për sferën e studimeve, me interes është qëndrueshmëria e pohimit se “mbetemi pa heronj, pa figura të shquara” etj. Pohimi se “po shemben këto figura, mbetemi pa heronj” nuk është i saktë, e para sepse çdo rrymë e të menduarit politik ka shëmbëlltyrat e veta të së kaluarës që zënë vendin e atyre që shemben dhe e dyta, se në botimet e dhjetë viteve të fundit (por edhe më parë) janë nxjerrë në dukje figura që në drejtimin e vet janë të madhërishme, që nuk krijojnë tension në ndërgjegjen e shqiptarëve nëpërmjet përvojës praktike që u thotë se serbët dhe grekët kanë qenë armiqtë kryesorë të shqiptarëve dhe historiografisë shkollore që u thotë se serbët dhe grekët kanë qenë aleatët kryesorë të shqiptarëve në luftën kundër “armikut të përbashkët”. Për këtë drejtim, që nuk krijon tension në plan të parë do të dilnin figurat e Hasan Prishtinës, Gjergj Fishtës, Haxhi Zekës, Sami Frashërit, Pashko Vasës, Petro Ninit, Papa Kristo Negovanit, Abedin Dinos dhe po të shkohet më tej gjenden figurat e Mehmet Peshë Bushatlliut (Plakut), Dukagjinasit etj., etj. Me ngritjen në plan të parë të këtyre figurave në ndërgjegjen e shqiptarëve nuk do të kishte tension nëpërmjet praktikës që u thotë se serbët dhe grekët kanë qenë armiqtë kryesorë të interesave shqiptare dhe heronjve, sepse edhe heronjtë thonë të njëjtën gjë.

Si terapi ndaj kësaj fobie shpesh jepet këshilla që “puna të fillojë me vlerësimin dhe ngritjen lartë të figurave që e meritojnë, por pa zhvlerësuar figurat ekzistuese”. Mirëpo procesi i rivlerësimit është më kompleks se kaq, sepse ngritja e figurave të reja nuk fillon në truall bosh. Po të përdoret paraprakisht një krahasim, as bashkia, as komuna nuk ka dhënë një truall (plac) bosh, por një truall ku ekziston një ndertëse e vjetër e vlerave, figurave etj. Kur në truallin e ndërtimit ekziston një ndërtesë, nuk mund të ngrihet e reja pa shembur fillimit të vjetrën. Pa shembur të vjetrën mund të bëhen riparime, lyerje, rikonstruktime të së vjetrës, por nuk mund të ndërtohet gjë e re, ndërtesë e fortë dhe e shëndoshë sipas standardeve bashkëkohore. Në procesin e reflektimit kritik për të kaluarën zhvillohen të ndërthurura përpjekjet për të ruajtur të vjetrën, për të ngjyrosur nga jashtë të vjetrën, për të shembur të vjetrën, për të ndërtuar të renë etj. Në diskutim nuk ka proces të thjeshtuar, vetëm me një zë, por një proces kompleks diskutimi ku secili do të peshojë personalisht. Procesi nuk është as vetëm sulm dhe shembje ndaj figurave ekzistuese, as vetëm mbrojtje e figurave ekzistuese, as vetëm rivlerësim i figurave të lëna në harresë, as vetëm përpjekje për t’i lënë në harresë ato që kanë qenë lënë të tilla. Si në çdo fushë, karakteristika e diskutimit shkencor në sistemin demokratik krijon mundësinë e zgjidhjes nga individi nëpërmjt alternativash të ndryshme: kush nuk dëshiron të lexojë për shembjen e figurave ekzistuese, të mos lexojë; kush dëshiron të lexojë le të lexojë etj. Psikologët kanë provuar se sa njerëz nuk duan të mendojnë vetë, se dëshirojnë që për ta të mendojnë të tjerët, se liria për të menduar u shkakton tension dhe se priren të ikin nga kjo liri. Ata duan një zë të vetëm, autoritar. Megjithë larmishmërinë e pikëpamjeve, as nëpërmjet historianëve dhe as nëpërmjet interpretuesve të tjerë profesionistë nuk ka dallime aq të mëdha sa duken në pamje të parë, qoftë lidhur me faktin, qoftë me klasifikimet. Dallimet më të mëdha kanë vlerësime dhe veçanërisht tek lexuesit.

Një pjesë e tensionit vjen ngaqë shqiptarët janë në proces të gjithanshëm kalimi (tranzicioni) që përfshin edhe ndryshimin e vlerave. Kjo është arsyeja që dallimi nëpërmjet historianëve është i vogël lidhur me faktet, por i madh është dallimi lidhur me vlerësimet dhe përjetimet e këtyre fakteve. Ajo që deri tani konsiderohej vlerë, tani konsiderohet antivlerë. Ajo që përbënte lëvdatë, tani përbën qortim etj. Kështu, po të përmendet vetëm një shembull, shembulli për Isa Boletinin: historianët, biografët e tij, gjithnjë kanë treguar dhe madje kanë shfaqur zell të veçantë për të dokumentuar se Isa Boletini ka qenë bashkëpunues me serbët kundër pushtuesve osmanë. Ky fakt nuk ka ndryshuar as sot. Çka ka ndryshuar është përjetimi i këtij fakti: në sistemin socialist dhe historiografinë socialiste të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, bashkëpunimi me serbët, miqësia me popujt fqinjë konsiderohej vlerë, lëvdatë, prirje, internacionaliste, revolucionare, për bashkim-vëllazërim etj. Duke e konsideruar vlerë, biografët e tij dhe historianët përgjithësisht kanë mbledhur dhe botuar një numër jashtëzakonisht të madh dokumentash që dëshmojnë se Isa Boletini ka qenë bashkëpunëtor i serbëve. Sot i njëjti fakt, bashkëpunimi i Boletinit me serbët, nga disa përjetohet si tradhëti, qortim etj. Duke mos qenë shumë i vetëdijshëm për procesin e ndryshimit të vlerave, disa lexues hidhen emocionalisht kundër historianëve dhe vazhdojnë të përsërisin faktin e përsëritur me dekada se Isa Boletini ka qenë bashkëpunëtor i serbëve. Ky zemërim është karakteristikë e përgjithshme e procesit të ndryshimit të vlerave dhe rivlerësimit të përvojave të vetvetes dhe jo vetëm të shqiptarëve.

“Projektimi i të sotmes në të kaluarën” për të cilën flet Stefanaq Pollo, është bërë edhe për të provuar vazhdimësinë e historisë së shqiptarëve, të asaj që projektohet. Ideja ka qenë për të vërtetuar se Enver Hoxha, Partia Komuniste e Shqipërisë dhe Lufta “nacionalçlirimtare” janë vazhdim i traditave mijëravjeçare të popullit shqiptar. Dhe vërtetë, historianët kanë vërtetuar se ashtu si Enver Hoxha dhe Partia Komuniste në Shqipëri, apo Fadil Hoxha dhe Partia Komuniste në Kosovë etj., u bashkuan si aleatë me serbët dhe grekët dhe popujt e tjerë të Ballkanit në luftë kundër “armikut të përbashkët” që vinte nga jashtë Ballkanit, ashtu edhe në të kaluarën ka ekzistuar një traditë e fuqishme e bashkëpunimit të udhëheqësve shqiptarë me popujt e tjerë të Ballkanit, me serbët dhe grekët kundër “pushtuesit të përbashkët” që vine nga jashtë Ballkanit. Historianët kryesorë që i kanë dhënë vulën historiografisë shqiptare si Aleks Buda, Stefanaq Pollo e deri tek Skënder Luarasi dhe brezat e rinj të Shqipëri të riprodhuar nga Ali Hadri dhe pasuesit e tij në Kosovë, i kanë paraqitur si figurat qendrore shqiptare dhe pikat kulmore të bashkëpunimit me popujt e Ballkanit, sllavët dhe grekët, Skënderbeun, Pjetër Bogdanin, Esat Pashën, Isa Boletinin, Ahmet Zogun dhe me grekët Ali Pashë Tepelenën, Zenel Gjolekën e deri tek Fan Noli. Disa përvoja bashkëpunimi si ai i Toptanit dhe Zogut janë cilësuar tradhëti. Ndërsa bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të Serbisë dhe të Greqisë, Skënderbeu, Bogdani, Boletini, Ali Pashë Tepelena, Gjoleka, Noli etj., etj., janë lavëruar, glorifikuar dhe shpallur heronjtë e shëmbëlltyrat kryesore shqiptare që duhen ndjekur. Enver Hoxha, Partia Komuniste e Shqiperisë, Lufta “nacionalçlirimtare” janë paraqitur si vazhdim i kësaj tradite të lavdishme e heroike shqiptare për të bashkëpunuar me sllavët dhe grekët. E përbashkëta e të gjithë këtyre figurave dhe e këtij kahu politik përgjithësisht ka qenë ideja e bashkëpunimit me popujt e Ballkanit, sllavët dhe grekët, kundër armikut të përbashkët që vinte nga jashtë Ballkanit. Argumenti kryesor legjitimues, por jo i vetmi, domethënë argumenti kryesor që mbështet përfundimin e këtyre historianëve, se bashkëpunimi me serbët dhe grekët ka qenë i drejtë dhe se prandaj ata shqiptarë që bashkëpunuan me ta janë heronjtë e vërtetë të shqiptarëve, është argumenti i “armiku të përbashkët të popujve të Ballkanit, pavarësisht nga dallime e tyre kombëtare” përballë armikut të ardhur prej jashtë Ballkanit. Siç kanë dëshmuar historianët për Skënderbeun, Bogdanin, Boletinin, Tepelenën, Gjolekën etj., armiku i përbashkët i shqiptarëve dhe serbëve dhe i grekëve ishte Perandoria Osmane, për Enver Hoxhën, Fadil Hoxhën etj., ishte përsëri armiku i përbashkët i ardhur nga jashtë Ballkanit, fashizmi italian dhe nazizmi gjerman. Për sot…
Në librin “Skicë e mendimit politik shqiptar” që u bë shkak për rikthimin e debatit për Skënderbeun nuk u bëhet asnjë ndryshim këtyre pohimeve të Aleks Budës, Stefanaq Pollos, Ali Hadrit etj., etj. përkundrazi, ato teza pranohen si të vërteta dhe të bazuara mirë në dokumenta. Po ashtu pranohet si i vërtetë edhe pohimi i tyre se historia e këtyre figurave dhe ngjarjeve përfaqëson historinë e pjesës më të vogël të popullit shqiptar, e pjesës më të prapambetur dhe më të izoluar nga qytetërimi. Por pas kësaj fillon një pjesë e rëndësishme e punës së “Skicës…” : a ka pasur traditë tjetër politike të shqiptarëve ? Cila është historia e pjesës më të madhe të popullit shqiptar, e pjesës më të zhvilluar dhe më të ekspozuar ndaj qytetërimit ? Në “Skica…” konstatohet se ka edhe një traditë politike tjetër të shqiptarëve: të bashkimit me pushtuesit jashtëballkanikë kundër pushtuesve ballkanikë sllavë dhe grekë, ortodoksë. Kjo traditë përbëhet nga bashkëpunimi me osmanët kundër serbëve dhe grekëve, me gjermanët etj., kundër serbëve dhe grekëve. Meqenëse kjo traditë nuk është bërë e njohur nga historiografia shqiptare në “Skicë…” është përshkruar më gjerësisht. Vetëm duke i përfshirë të dy traditat politike shqiptare, traditën e bashkëpunimit me sllavët dhe grekët në të cilën Skënderbeu ka vendosur një gur të rëndësishem dhe traditën e luftës kundër sllavëve dhe grekëve në të cilën Rilindja Kombëtare Shqiptare ka vendosur një gur të rëndësishëm, shqiptarët do të mësojnë historinë e plotë shqiptare.

Kështu, konstatohet se gjatë historisë njëmijëvjeçare janë krijuar jo një, por dy tradita politike të shqiptarëve: njëra që bashkohet me pushtuesit ballkanikë sllavë dhe grekë kundër pushtuesve jashtëballkanikë dhe tjetra, që bashkohet me pushtuesit jashtëballkanikë osmanë kundër pushtuesve ballkanikë. E para bashkohet me sllavët dhe grekët kundër “armikut të përbashkët osman”; e dyta bashkohet me osmanët kundër “armikut të përbashkët” sllav dhe grek. Por nga kjo del se argumenti i “armikut të përbashkët” mund të përdoret nga të dy rrymat për të legjitimuar veprimtarinë e vet si të drejtë dhe jo vetëm nga njëra siç e ka përdorur historiografia zyrtare shqiptare. Këtu fillon momenti tjetër I punës së “Skicë…”, meqenëse të dy traditat kanë bashkëpunuar me nga një pushtues kundër tjetrit dhe meqenëse të dyja mund të përdorin argumentin e “armikut të përbashkët” atëherë si mund të zgjidhet çështja dhe cila ka të drejtë? Për të zgjidhur këtë çështje është marrë shkalla e rrezikshmërisë së pushtuesit me të cilin ka bashkëpunuar njëra traditë dhe shkalla e rrezikshmërisë që ka paraqitur pushtuesi me të cilin ka bashkëpunuar tradita tjetër. Kështu formulohet si një parim “metafizik” i qenjësimit politik të shqiptarëve situata e njëmijë vjetëve të fundit për të zgjedhur ndërmjet të keqes më të vogël dhe të keqes më të madhe, ndërmjet pushtuesit më të rrezikshëm dhe pushtuesit më pak të rrezikshëm dhe jo ndërmjet pushtimit e lirisë ose së paku historiografia nuk ofron raste të shëmbëlltyrës së luftëtarit të kulluar për liri. Meqenëse nga historiografia shkollore shqiptarët dinë vetëm për argumentet se pse pushtuesit ballkanikë kanë qenë më pak të rrezikshëm, në “Skicë…” janë përshkruar më hollësisht argumentet se pse pushtuesit jashtëballkanikë kanë qenë më pak të rrezikshëm. Ideja se pushtuesit janë ballkanikë, osmanë kanë qenë më pak të rrezikshëm në pikëpamje etnike, kombëtare për shqiptarët dhe që legjitimon bashkëpunimin me ta kundër pushtuesve ballkanikë që janë më të rrezikshëm është i hershëm me shekuj, por në mënyrë të qartë dhe shprehimisht është formuluar, mbrojtur dhe argumentuar nga Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe nga një numër i madh historianësh shqiptarë dhe joshqiptarë.

Kështu arrihet tek konstatimi i një fakti tjetër: tradita të cilës i takon Skënderbeu dhe tradita të cilës i takon nacionalizmi shqiptar, Rilindja Kombëtare Shqiptare në vijë logjike është vazhdim i traditës që thoë se pushtuesit osmanë janë më pak të rrezikshëm se pushtuesit sllavë dhe grekë dhe prandaj bashkëpunon me osmanët kundër serbëve dhe grekëve dhe jo e traditës së bashkëpunimit me sllavët dhe grekët, të cilës i takon Skënderbeu, (Bogdani etj.,) kundër osmanëve. Në fushën e studimit, rrymat politike që janë vijim logjik i traditës së Skënderbeut dhe nacionalizmi shqiptar (Rilindja Kombëtare Shqiptare) janë të kundërta, sepse pohimi i Skënderbeut se osmanët janë armiqtë kryesorë ndërsa sllavët dhe grekët janë aleatë dhe pohimi i Rilindje Kombëtare Shqiptare (nacionalizmit shqiptar) se sllavët e grekët janë armiqtë kryesorë të shqiptarëve, ndërsa osmanët janë “aleatë”, janë pohime të kundërta në pikëpamje të logjikës formale. Në “Skicë…” është treguar se si dhe pse, megjithëse logjika të kundërta, janë pikërisht rilindësit që kanë rikujtuar dhe një pjesë e tyre kanë filluar glorifikimin e Skënderbeut. Por Rilindja si praktikë është lëvizje politike-kulturore dhe jo vepër shkencore në të cilën nuk lejohet kontradikta logjike formale. “Skicë e mendimit politik shqiptar” është punim shkencor dhe koherenca logjike është kusht i domosdoshëm (por jo i mjaftueshëm) për t’u klasifikuar si punim shkencor.

“Skica…” përbëhet nga 372 faqe dhe Skëndebeut i kushtohet gjithsej një faqe. Nga kritikët e saj të krijohet përshtypja se Skënderbeut i është kushtuar tërë libri dhe janë renditur të gjitha argumentet e njohura kundër tij si dhe i janë shtuar të reja. Në “Skicë..” është thënë se Skënderbeu ka qenë për bashkëpunim me sllavët dhe grekët dhe kundër tij kanë qenë Dukagjinasit, Hamza Kastrioti, Moisi Golemi, Ballaban Pasha etj., por këto nuk janë zbulime të “Skicës…”. Ato janë zbulime dhe argumente të mbrojtura nga Aleks Buda dhe pasuesit e tij. Kur konstatohet se Skënderbeu përmendet në dy raste që zënë nga një gjysëm faqe libri që së bashku përbëjnë një faqe, në të cilën përsëriten konstatime që i ka çdo tekst historie i shqiptarëve dhe në të cilën nuk bëhet asnjë vlerësim për Skënderbeun, sepse punimi është përshkrues dhe jo vlerësues, atëherë del se arsyeja e sulmit kundër librit është tjetër. Dhe vërtet arsyeja të besohet se është tjetër.

Libri ka për objekt enverizmin dhe atë në një këndvështrim: a ka qenë enverizmi nacionalizëm shqiptar ? Për t’u përgjigjur në këtë pyetje është marrë në shqyrtim sjellja politike e enverizmit nëse ka qenë në përputhje apo e kundërt me parimet e nacionalizmit. Sipas teorive të nacionalizmit një nga format më të palejueshme të shkeljes së parimit nacionalist është kur njësinë politike të një kombi e drejton pakica kombëtare e asaj njësie. Psh, shkelje e tillë do të ishte po të udhëhiqte Serbinë ose Greqinë një elitë shtetërore, kulturore, arsimore etj., shqiptare kur nga këto vende shqiptarët konsiderohen pakica dhe grekët dhe serbët shumicë. Analiza e përbërjes së elitave drejtuese enveriste në politikë (Byroja Politike dhe Komiteti Qendror), elitave në art dhe kulturë, media dhe shkencë në periudhën e konsolidimit të tij të plotë (1870-1990) tregoi se shqiptarët janë sunduar nga elementi joshqiptar, kryesisht vlleh-ortodoks, grek dhe sllav.

Analiza sasiore e përpjesëtimeve etnike tregonte se mesatarja e kësaj periudhe e pjesëmarrjes së elementit joshqiptar në Byronë Politike ishte 31.8 përqind, Kandidatë të Byrosë Politike 50% dhe në Sekretariatin e KQ të PPSH 50 %. Përbërja e elementit joshqiptar ishte kryesisht vllehe, një sllav dhe një kandidat i BP ishte me origjinë greke. Mirëpo pas Kongresit të IX të PPSH-së, ky raport ndryshoi shumë në të mirë të elementit joshqiptar. Kështu pjesëmarrja e elementit joshqiptar rritet nga 31.8 për qind si mesatare e gjithë periudhës 1970-90, në 46.1 për qind pjesëmarrja në Kandidatët e Byrosë Politike rritet në 60% dhe e tejkalon pjesëmarrjen e shqiptarëve, ndërsa në Sekretariatin e KQ arrin në 80% duke e tejkaluar edhe këtu elementin shqiptar dhe duke iu afruar epërsisë absolute. Pas Kongresit të IX të PPSH, elementi joshqiptar, (vlleh dhe një grek) nuk përbën shumicën në Byronë Politike, por përbën shumicën e ndjeshme në Sekretariatin e KQ të PPSH-së dhe shumicën e Kandidatëve të Byrosë Politike. Gjendja nuk ka qenë e ndryshme as në struktura të tjera drejtuese si në qeveri apo në Kuvendin Popullor. Kështu, derisa kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor ishte shqiptar, nënkryetare e Presidiumit ishte një greke.

Institucionet e kulturës dhe të medias gjatë këaj periudhe janë drejtuar nga 57.8 % joshqiptarë dhe 42.1 % shqiptarë. Ndër elementin e huaj, shumicë mbizotëruese të pozitave drejtuese ka patur elementi vlleh me gjithsej 42.1% (sa edhe gjithë elementi shqiptar), pastaj elementi grek me 10.5% dhe në fund elementi sllav me 5.2%. Në institucionet shkencore gjatë kësaj periudhe elementi joshqiptar ka pasur epërsi të dukshme me gjithsej 66.6% ndaj 33.3% të elementit shqiptar. Ndër ta, vendin e parë e zë elementi vlleh me 33.3% (se edhe ai shqiptar) pastaj vijnë elmenti grek dhe hebrej me nga 16.6%. Nga pikëpamja fetare mbizotëron elementi ortodoks me 87.5%.

Publikimi i këtyre të dhënave dhe zbulimi nga fakti që mbahej i mbuluar se enverizmi ka qenë sundim i elementit joshqiptar, ortodoks, jugor, mbi elementin shqiptar dhe i shumë gjërave të tjera që lidhen me enverizmin, është shkaku i sulmit të vërtetë kundër “Skicë e mendimit politik shqiptar”. Ky fakt nuk vihet në dyshim në Shqipëri, por me sa thonë njerëzit rrugëve, nuk duhet thënë publikisht, sepse është e rrezikshme. Por “Skicë…” është punim shkencor dhe jo politikë praktike. Edhe sikur pohimi se “vllehët e kanë drejtuar Shqipërinë gjatë sundimit komunist” të ishte praktikisht i rrezikshëm, studimi që mëton të jetë shkencor në shqyrtimin e çështjes nëse ka qenë enverizmi nacionalizëm shqiptar nuk mund të anashkalojë shqyrtimin e njërës prej formave më të palejueshme të shkeljes së parimeve të nacionalizmit. Ndërkaq, studimi që mëton të jetë në fushën e shkencës politike nuk mund të shpërfillë metodat sociologjike në të cilat studimi i përbërjes së elitave në pikëpamje etnike, fetare, krahinore, arsimore dhe tregues të tjerë socialë sado të papëlqyeshme të jenë për politikën e ditës. Të mos përmenden vllehët, kjo është konsideruar një tabu më e madhe se sulmet më të pafytyra ndaj Skënderbeut.

Sulmi për shkeljen e kësaj tabuje nuk vonoi. Autori u kërcënua me burg nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit pse fyen vllehët. Pas tij, me një metodë më bizantine kundër librit ende të pabotuar doli një artikull i nënshkruar nga një mesues i frëngjishtes dhe përkthyes, Piro Misha, që thotë për vete se nuk e ndjen veten krenar që është shqiptar. Metoda është ortodokse-bizantine, sepse përkthyesi kundër autorit shqiptar dëshiron të ndërsejë shqiptarët dhe jo drejtpërdrejtë vllehët. Për këtë, për të ndërsyer shqiptarët, përkthyesi thotë se në “Skicë…” sulmohet Skënderbeu, cilësohet renegat etj. Dhe shqiptarët si shqiptarët: nuk e lexojnë librin, por një artikull për librin dhe fillojnë e kritikojnë librin pa e lexuar. Kështu u sollën së paku ata që e filluan debatin për Skënderbeun.

Për Skënderbeun siç u tha, janë bërë shumë kritika dhe të tjera mund të bëhen. Por ai nuk ka qenë objekt i studimit të “Skicë…” dhe asnjë nga argumentet që e paraqesin ndryshe pamjen e tij nuk janë zhvilluar në të. Kur të bëhet objekt studimi, ndoshta do të dalin cilësime edhe më të rënda për Skënderbeun dhe ato do të thuhen publikisht, ndërsa “Skica…” e përmend vetëm pak, në kontekst tjetër, kurse sulmi bëhet pse është analizuar enverizmi dhe pse është zhveshur tabuja e sundimit vlleh.

Veç zhveshjes së një tabuje që duhej të rrinte e bërë, por e pathënë, “Skica…” është sulmuar edhe se argumenton në mënyrë metodike e sistematike se cilat janë elementet themelore të ndërgjegjes së nacionalizmit shqiptar, se enverizmi ka qenë stalinizëm, pansllavizëm rus dhe rryma politike më e kundërt me nacionalizmin shqiptar, se ka qenë vazhdim i rrymave grekofile dhe serbofile, ka qenë vazhdim i traditës së bashkëpunimit me sllavët dhe grekët në të cilën Skënderbeu, sipas Aleks Budës, Stefanaq Pollos etj., etj., ka dhënë një kontribut vendimtar. Që Skënderbeu ka qenë për një bashkëpunim me popujt e Ballkanit, me sllavët dhe grekët dhe se kjo histori vijon nga Enver Hoxha dhe PPSH, është argumentuar nga Aleks Buda. “Skica…” vetëm e merr këtë përfundim në të cilin ka arritur historiografia shqiptare (e joshqiptare) dhe zhvillon, mbi bazën e saj, argumentime të mëtejshme.
Për fyerje të Skënderbeut është sulmuar edhe A. Baleta. As Baleta nuk ka botuar ndonjë studim që të merret vetëm me Skënderbeun. Çka ka thënë Baleta për Skënderbeun mund të përmblidhet kështu: edhe pse Skënderbeu është hero kombëtar, shqiptarët nuk duhet të vazhdojnë traditën e tij të bashkëpunimit me serbët në emër të luftës “kundër armikut të përbashkët”. Asnjë fyerje tjetër për Skënderbeun nuk është bërë prej tij. Megjithkëtë, ata që e kanë hapur debatin për Skënderbeun, qoftë mësues të frëngjishtes si Piro Misha, qoftë muratorë si Niko Kirka apo ndonjë prift si Ndoc Nogaj, e paraqesin gjendjen sikur Baleta i ka kushtuar pjesën më të madhe të shkrimeve të veta figurës së Skënderbeut. Meqenëse nuk është kështu, atëherë del e qartë se Baleta sulmohet pse ka thënë të mos vazhdojmë traditën e Skënderbeut për të bashkëpunuar me serbët. Kjo kërkesë e Baletës i ka shqetësuar kritikët e tij dhe kjo kërkesë e Baletës sipas tyre përbën fyerje për Skënderbeun.

Siç është thënë edhe në fillim, Skënderbeu mund të përdoret dhe është përdorur për qëllime shumë të ndryshme të politikës së ditës. Ai është përdorur nga rilindasit për të rikujtuar se shqiptarët kanë pasur një shtet të vetin, se kjo është shenjë e të qenit komb dhe se duhet të kenë përsëri njësinë e vet politike, për t’i çuar mesazh Portës së Larrtë se nëse nuk u jep shqiptarëve autonominë e kërkuar, mund të ngrihen në luftë për këtë, për të treguar tolerancë fetare duke i shkruar kujtimet më të mira letrare autorët myslimanë etj., etj. Nga historiografia zyrtare e pesëdhjetë viteve të fundit, figura e Skënderbeut është përdorur ndër të tjera edhe për të treguar se ndërmjet shqiptarëve e serbëve ka patur miqësi shekullore që është kalitur në fushën e luftërave të përbashkëta kundër të njëjtit armik etj. Veç këtyre, Skënderbeu mund të përdoret dhe është përdorur për të nxitur intolerancën fetare ndërmjet shqiptarëve, për të nxitur përçarje dhe konflikte politike ndërmjet shqiptarëve etj., etj. Por nga përdorimi më tepër gjykohen prirjet politike të përdoruesve, se sa vetë Skënderbeu. Në këto mundësi për t’u përdorur në mënyra të ndryshme është edhe një nga arsyet e rikthimit të debatit të sotëm për Skënderbeun. Kështu, në qoftë se njëra palë (psh Baleta) kërkon të argumentojë se Skënderbeu nuk duhet të përdoret për të ruajtur traditën e bashkëpunimit të shqiptarëve me serbët dhe grekët kundër armikut të përbashkët, pala tjetër (psh Ndoc Nogaj, Abaz Ermenji etj) kërkesën për të mos bashkëpunuar me servët e quan fyerje për Skënderbeun dhe kërkon ta ruajë përdorimin e kësaj figure për të vazhduar afrimin me serbët dhe grekët, kërkon ta ruajë përdorimin që ka qenë i theksuar për enverizmin. Bashkë me këtë, kritikët e “Skicës…”, Baletës etj., përpiqen të shfrytëzojnë mundësinë për të përdorur figurën e Skënderbeut për përçarjefetare dhe politike të shqiptarëve.

Në fund, në rrafshin praktik, debati nuk ka të bëjë fare me vlerësimin e figurës së Skënderbeut, por me skemat e sjelljes së sotme politike të shqiptarëve, me ruajtjen apo braktisjen e traditës së “armikut të përbashkët” me sllavët dhe grekët, e traditës së aleancave me popujt e Ballkanit kundër armikut jashtëballkanik, me ruajtjen apo braktisjen e parrullës “Ballkani i ballkanasve” dhe “Amerikanë jashtë nga Ballkani” etj. Rikthimi i debatit është instrumental, është përdorimi i Skënderbeut për të mbështetur qëndrime të caktuara politike të sotme të kundërta ose në mbështetje të interesave kombëtare. Në “Skicë…” nuk bëhet ndonjë “modernizim” i qenjësimit situacionist politik të shqiptarëve, domethënë situata në të cilën është ndodhur të zgjedhë Skënderbeu nuk konstruktohet nga pozita e sotme dhe dijet e sotme për zgjedhjet që kanë qenë të mundëshme në atë kohë, por vetëm përshkruhen zgjedhjet alternative ndaj politikës së Skënderbeut që kanë ekzistuar dhe janë bërë po në kohën e Skënderbeut: zgjedhje e tij për të bshkëpunuar me ballkanasit kundër osmanëve dhe zgjedhja e bashkëpunimit me osmanët kundër sllavëve e grekërve që bënë Hamza Kastrioti, Dukagjinasit etj.

Ndërsa debatit të sotëm nga kritikët e “Skicës…” iu dha ngjyrim vlerësues nga përdorimi i termave vlerësues si “fyerje”, “mistrecë” etj., etj. Në këtë kontekst vlerësimi të skemave dhe të subjekteve vepruese në histori e në praktikën e sotme, njëra palë psh “Skica…”, Baleta etj., duket se thotë se më i vlefshëm se çdo figurë e kombit shqiptar është vetë kombi shqiptar, se interesat e tij nuk duhen dëmtuar për hir të asnjë figure kombëtare, se sado e madhe të jetë një figurë historike, gabimet e saj nuk duhen vazhduar në qoftë se janë të dëmshme për kombin me arsyetimin se “duhen ruajtur figurat” dhe se figurat duhen ruajtur për çka kanë vepruar drejtë. Pala tjetër duket se thotë se disa figura historike janë më të rëndësishme se vetë kombi shqiptar dhe interesat e tij, se në qoftë se disa fatkeqësi që përjeton edhe sot kombi shqiptar kanë ardhur nga gabimet e këtyre figurave nuk duhet nxjerrë mësim dhe nuk duhet kërkuar të mos përsëriten, sepse kjo përbën “fyerje” të figurave. Në këtë debat praktik politik, secilit i bie barra të vendosë vetë, nëse më i rëndësishëm është kombi dhe populli shqiptar apo “pastërtia” folklorike e figurave historike. Ndërsa shkenca e shtron çështjen e zbatimit të kritereve shkencore dhe debati merr formë tjetër, nëse do të bëhet.

Gazeta “Rimëkëmbja”, 18 janar 2000 – 6 shkurt 2000, Tiranë

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne