Mbreti i Jordanisë anulon vizitën në Rumani, shkak vendimi për transferimin e ambasadës

Pas deklaratës që erdhi nga Kryeministrja e Rumanisë, Viorica Dancilla, se vendi i saj do ta transferojë në Jerusalem ambasadën që ka në Tel-Aviv, Mbreti i Jordanisë, Abdullahu II ka anuluar vizitën që do të fillonte sot në Rumani.

Këshilli Mbretëror i Jordanisë përmes një komunikate me shkrim njofton se Mbreti Abdullah, duke i dalë në mbështetje Jerusalemit, ka marrë vendim për të anuluar vizitën e planifikuar të fillonte sot në Rumani pas deklaratës së kryeministres rumune Dancila, se vendi i saj ambasadën në Izrael nga Tel-Avivi do ta transferojë në Jerusalem.

Kurse sipas një lajmi postuar në portalin online të gazetës izraelite “Yedioth Ahronoth” Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis e ka kritikuar vendimin e Kryeministres Dancila për transferimin e ambasadës rumune në Jerusalem.

“Me këtë vendim kryeministrja vërtetoi injorancën e saj në politikën e jashtme dhe sidomos në lidhje me Jerusalemin”, ka thënë presidenti rumun.

“Yedioth Ahronoth” shkruan në lajmin e saj se Presidenti Iohannis nuk ka marrë një vendim në lidhje me këtë çështje dhe sipas kushtetutës rumune një vendim i tillë nuk mund të merret pa pëlqimin e presidentit të vendit.

Në fjalën drejtuar konferencës vjetore të Komitetit Amerikano-Izraelit për Marrëdhëniet me Publikun (AIPAC), që mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Kryeministrja e Rumanisë, Viorica Dancila kishte njoftuar se qeveria që drejton ajo ka marrë vendim për transferimin në Jerusalem të Ambasadës së Rumanisë në Tel-Aviv.

Më 6 dhjetor 2017 presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar se e kishte njohur Jerusalemin si “kryeqytet të Izraelit” dhe se vendi i tij ambasadën në Tel-Aviv do transferonte në Jerusalem. Pas kësaj deklarate godina e re e ambasadës amerikane ishte hapur me ceremoni më 14 maj 2018./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne