Mbreti i Malajzisë bën thirrje për unitet në mesin e tensioneve racore

Mbreti i Malajzisë ka bërë thirrje për qetësi në mesin e një situate me tensione racore në rritje në vendin me shumicë muslimane. Situata vjen pasi një tërmet elektoral i muajit maj rrëzoi koalicionin e mëparshëm në Malajzi që e kishte qeverisur vendin për dekada të tëra.

Në fjalimin e tij për ligjvënësit gjatë sesionit të ri të parlamentit, Mbreti Sulltan Muhammed V i kërkoi çdo qytetari që të ruajë dhe forcojë paqen dhe unitetin e Malajzisë.

Raca, gjuha dhe feja janë të ndërlidhura ngushtë me politikën në Malajzi, ku malajzianët myslimanë përbëjnë rreth 60 përqind të popullsisë prej 32 milionë banorësh, të ndjekur nga pakicat e mëdha kineze dhe indiane.

Malajzia përjetoi trazira vdekjeprurëse në vitin 1969, të cilat ende vazhdojnë të ndihen edhe sot.

Tensionet janë rritur që nga zgjedhjet e 9 majit ku koalicioni Barional Nasional i udhëhequr nga ish-kryeministri Naxhib Razak u mund për herë të parë që nga pavarësia prej Britanisë në vitin 1957.

Partia e Naxhibit, Organizata Nacionale e Malajzianëve të Bashkuar (UMNO), ishte shtylla kurrizore e koalicionit dhe përkrahte të drejtat e malajzianëve, të cilët për një kohë të gjatë kanë gëzuar një pozicion të favorizuar në shoqëri.

Tani në opozitë, UNMO pretendon se qeveria po minon statusin e privilegjuar të malajzianëve.

Mbështetësit e saj kanë frikë se planet e qeverisë për të njohur zyrtarisht provimet e shkollave të mesme kineze do të sfidojnë statusin e gjuhës Malay si gjuhë zyrtare e vendit dhe gjithashtu akuzojnë qeverinë për shkurtimin e shpenzimeve për rizhvillimin e xhamive.

Lokman Adam, një anëtar i këshillit suprem të UMNO-së, i cili udhëhoqi rreth 300 anëtarë të partisë në një protestë të zhurmshme pranë parlamentit, tha për AFP se marrëdhëniet mes malajazianëve dhe minoriteteve të tjera ishin të tensionuara.

“Marrëdhëniet racore janë të tensionuara. Malajzianët janë të shqetësuar. Ne po shohim se Islami po trajtohet keq (nga qeveria e re).”

“Ne e ndjejmë se qeveria e tanishme nuk është në gjendje të mbrojë të drejtat e malajzianëve, Islamin, gjuhën Malay dhe sundimtarët malajzianë.”

Protestuesit që brohorisnin “Rroftë mbreti” dhe “Allahu Akbar”, u ndaluan nga policia që të marshonin drejt ndërtesës së parlamentit, ku më vonë mbreti mbajti fjalimin e tij.

Akuzat për korrupsion masiv ishin faktori kryesor i humbjes së koalicionit të gjatë të qeverisë së Naxhibit dhe ardhjes në pushtet të një aleance reformiste të kryesuar nga ish-kryeministri tashmë 93 vjeçar, Mahathir Mohamad.

Që prej humbjes se zgjedhjeve Naxhibi është akuzuar për korrupsion lidhur me një skandal financiar me shumë miliarda dollarë të përfituara nga fondi shtetëror 1MDB. Deri tani ai i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat. /AFP/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne