Mbyllet protesta e studentëve para Kryeministrisë: Kthehemi sërish nesër

Mbyllet pas afro 4 orësh protesta e studentëve para godinës së Kryeministrisë në ditën e parë për vitin 2019. Protestuesit kanë njoftuar se do mblidhen sërish nesër në të njëjtën orë.

Gjatë ditës së sotme studentët kanë bojkotuar auditorët duke dalë në protestë për plotësimin e 9 kërkesave të tyre duke përfshirë edhe anulimin e ligjit të arsimit të lartë.
Studentët janë mbledhur nga ora 08-09:30 para fakulteteve për t’u bashkuar më pas në orën 10:00 para Kryeministrisë. Ata kanë gozhduar dhe kyçur dyert e disa fakulteteve. Në protestën e sotme, studentët kanë ftuar të gjithë qytetarët që duan të protestojnë për të drejtat e tyre.

Studentët janë shprehur se ka numër të ulët të studentëve në shesh krahasuar me protestat e para, pasi sipas tyre po protestohet në dy fronte. Fronti i parë vetëm bojkot i auditorëve dhe fronti i dytë bojkot dhe protestë në sheshe.

“Edhe nëse nuk protestojmë në shesh do ketë bojkot total të universiteteve”- thotë një studente.

Pavarësisht disa vendimeve të Këshillit të Ministrave si dhe paktit për Universitetin të propozuar nga qeveria, studentët kanë paralajmëruar se nuk do të bëjnë kompromis dhe se do të kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre, jo me VKM por me votë në parlament. Sipas studentëve, drafti për universitetin nuk është i plotë dhe i saktë, ndaj edhe protestat do të vazhdojnë.

Kujtojmë se ishte 5 dhjetori i vitit të kaluar, kur studentë të universiteteve publike të Tiranës marshuan para Ministrisë së Arsimit duke kërkuar fillimisht shfuqizimin e pikës 4 të VKM 288, që përcaktonte një tarifë shtesë për provimet e mbartura.
Por pas plotësimit të kësaj pike, studentët shtuan edhe kërkesa të tjera sic janë rritja e buxhetit për arsimin, ulja e tarifave, si dhe përmirësimi i kushteve në universitete dhe konvikte.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne