Mbyllja e hetimit për Ramën, Basha: Kësaj drejtësie do t’i vijë fundi shpejt

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas lajmit se Prokuroria nuk ka nisur procedim penal për kallëzimin e opozitës për kryeministrin Edi Rama.

Basha deklaron se Prokuroria ka refuzuar të hapë hetimet për Edi Ramën edhe pse ai mashtroi publikisht dhe sërish prokuroria nuk ka marrë nën hetim Ardi Veliun dhe Taulant Ballën.

Në anën tjetër kreu i PD sjell në kujtesë njerëzit e thjeshtë dhe kuksianët që u burgosën për shkeljet më të lehta si dhe hetimet ndaj gazetarëve. Por Basha thekson se kësaj “drejtësie” do t’i vijë fundi shumë shpejt!”

STATUSI I BASHËS
Prokuroria ka refuzuar të hapë hetimet për Edi Ramën, edhe pse ai mashtroi publikisht se kishte bërë ekspertizë private të audiopërgjimit, me qëllim të qartë që të mbronte një kriminel dhe për të ndikuar dhe kërcënuar organet e drejtësisë që të mos hetonin.
Gjithashtu, sot, prokuroria ka refuzuar të marrë nën hetim Ardi Veliun dhe Taulant Ballën. Po sot, prokuroria ka lëshuar përmes mediave të pushtetit lajmin se Saimir Tahiri e ka të ligjshëm gjithë luksin në të cilin jeton.
Është e njëjta prokurori që burgosi kuksianët, që burgos përditë njerëzit e thjeshtë për shkeljet më të lehta, që heton gazetarët kritikë dhe kundërshtarët politikë.
Në Shqipëri janë vendosur dy drejtësi: një për Edi Ramën dhe kriminelët dhe një tjetër për popullin. Edi Rama dhe kriminelët janë mbi ligjin, kurse mbi popullin ushtrohet dhunë duke abuzuar ligjin. Kësaj “drejtësie” do ti vijë fundi shumë shpejt!

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne