Kreu i shoqatës së romëve, Arben Kosturi: Kjo kategori rrezikohet nga trafikimi

Më shumë se 20 fëmijë të komuniteteve rome dhe egjiptiane në Korçë kanë mbetur të paregjistruar në zyrat e gjendjes civile. Fëmijët e paregjistruar janë evidentuar nga dy shoqatat e përmendura më sipër, ndërsa mendohet se numri i të paregjistruarve është më i madh se kaq. Nuk  bëhet fjalë vetëm për fëmijë, por edhe për qytetarë të moshave të ndryshme, burra dhe gra. Ata gjenden në qytete dhe në zona rurale të qarkut Korçë. Arsyet e mosregjistrimit janë të ndryshme, por në krye të renditjes së tyre, qëndron varfëria prej së cilës rrjedhin gjithë të tjerat: padija (mungesa e shkollimit) në radhët e komuniteteve rome dhe egjiptiane; frika se nuk mund të përballojnë dot financiarisht një proces gjyqësor; zgjidhja martesore e prindërve; lëvizja nga një vend në një tjetër për të gjetur mundësi tjetër jetese; lindja e fëmijëve në emigracion, lindja në kushtet e shtëpisë dhe jo në spital apo në rrethana të tjera, ku nuk mund të sigurohet dokumenti i lindjes etj. Në këtë renditje arsyesh bën pjesë edhe puna e dobët e institucioneve përgjegjëse. Shembujt konkretë do t’i rendisim në vijim të këtij materiali. Sipas Arben Kosturit, kryetari i shoqatës së romëve, “Disutni Albania” në Korçë, kjo kategori fëmijësh mbetet e rrezikuar prej trafikimit.

Puna e dobët e institucioneve përgjegjëse

Mosregjistrimi i fëmijëve, por edhe i të rriturve, të mbetur të paregjistruar është shqetësues, pasi të jesh i paregjistruar do të thotë të jesh i përjashtuar nga të gjithë të drejtat kushtetuese, madje në rast vdekjeje, as nuk mund të varrosesh. Dhe kjo situatë vijon të mbetet problematike prej disa vitesh, kur vendimi nr 7, datë 10.01.2012, “Mbi proceduarën dhe procesverbalet, që plotësohen nga përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe të bashkive/njësive bashkiake/ komunave, për rastet e fëmijëve të gjetur dhe të fëmijëve të paregjistruar në gjendjen civile”, po bën 7 vjet që ka dalë, ndërsa edhe sot e kësaj dite ende gjenden fëmijë dhe të rritur të paregjistruar. Veç sa më sipër, që nga viti 2012 janë të përcaktuara saktësisht edhe mënyra dhe procedurat që ndiqen nga ky komision deri në regjistrimin përfundimtar të fëmijëve. Regjistrimi i fëmijës është lehtësisht i mundshëm kur ka një certifikatë lindjeje, kjo edhe në rast të mungesës së prindërve, pasi fëmija mund të regjistrohet nga një i afërm i tij: gjyshi, gjyshja, njerka etj, dhe që nga ai çast përfaqësuesi i bashkisë dhe punonjësi i policisë, fillojnë procedurën e regjistrimit tek punonjësit e gjendjes civile. Vështirësia qëndron vetëm kur nevojitet procesi gjyqësor, dhe kur familja nuk paraqitet në gjykatë për shkak të mungesës së mjeteve financiare, pasi bëhet fjalë për familje tejet të varfra, të cilat e kanë të domosdoshme ndihmën e institucioneve shtetërore.

Familje të paregjistruara: nëna, bija dhe mbesa

Kryetari i shoqatës së romëve “Disutni Albania” në Korçë, Arben Kosturi, pasi ngriti shqetësimin e 20 fëmijëve të paregjistruar solli edhe një rast konkret, ku e paregjistruar rezulton, nëna, fëmija e saj, dhe mbesa. Ky rast i përket qytetarit Agron Rexha nga fshati Drithas i Korçës, i cili ka tre vajza, respektivisht sipas moshës 19, 17 dhe 15 vjeçe; asnjëra prej tyre nuk është e regjistruar në zyrën e gjendjes civile, sepse asnjëra prej tyre nuk ka certifikatë lindjeje. Ato kanë lindur në kushtet e shtëpisë në emigracion. Dy vajzat e rritura, 19 dhe 17 vjeçe janë martuar dhe të dyja kanë nga një vajzë, por edhe vajzat e tyre kanë mbetur të paregjistruara. Ka ndodhur kështu sepse Agron Rexha dhe bashkëshortja e tij, e patën të pamundur të celebronin martesën e tyre, sepse edhe e shoqja e tij figuronte e paregjistruar. Për pasojë, të paregjistruara mbeten edhe dy mbesat e Rexhës. Sipas arsyeve që jep Agron Rexha, mos regjistrimi i fëmijëve dhe mbesave nuk u bë i mundur, sepse  ai është i varfër dhe nuk mund të ndjekë një proces gjyqësor. “Pra, kjo është gjendja me fëmijët dhe të rriturit e paregjistruar, na thotë Arben Kosturi, madje ai shton edhe diçka tjetër: nëse ne si shoqatë do të ishim të përditësuar me vendimet dhe udhëzimet që dalin nga qeveria për regjistrimin e fëmijëve të paregjistruar, kjo situatë nuk do të ishte e tillë, por institucionet që duhet të na njohin me të rejat e legjislacionit, nuk e bëjnë këtë gjë. Për rrjedhojë edhe puna jonë nuk jep rezultatin e duhur. Ndaj kërkojmë që bashkëpunimi me institucionet e shtetit të jetë më i frytshëm.

Zyra e gjendjes civile

Ndërkohë, sipas burimeve pranë zyrës së gjendjes civile në Korçë, pranohet gjendja ekzistuese e personave të mbetur të paregjistruar, por informojnë se janë duke përgatitur dosjen mbi këto raste për t’ia dërguar Njësisë për mbrojtjen e fëmijëve. Në zgjidhjen e rasteve të identifikuara do të jetë edhe rasti i Agron Rexhës, pohojnë burimet e përmendura më sipër, por gjithsesi, atij do t’i duhet një proces gjyqësor, që ai e ka të pamundur për shkak të varfërisë, si do të zgjidhet kjo, le të presim.

7