Publicistika islame dhe lexuesi mysliman në Kosovë (Pjesa e dytë)

nga Faik Miftari

Në vazhdim të punimit me titull “Publicistika islame dhe lexuesi mysliman në Kosovë” në pjesën e dytë do të përqendrohem në atë se sa e lexon publicistikën islame besimtari mysliman në Kosovë si dhe shpërndarjen e saj në Kosovë.

Për momentin do të marr parasysh numrin përafërsisht të besimtarëve mysliman në Kosovë që e falin me rregull namazin e xhumasë në nivel qendror dhe atë vendor. Ky numër përafërsisht në nivel qendror është rreth 150.000 besimtar mysliman, ndërsa në atë vendor, në komunën e Prizrenit është rreth 15.000 besimtar mysliman. Po nga ky numër vetëm 10% të tyre të lexonin publicistikën islame do të ishte një e arritur e çmuar, e për momentin numri i besimtarëve mysliman që lexojnë publicistikën islame për fat të keq është katastrofal, ashtu që prej 150.000 besimtarëve mysliman, revistën Diturinë Islame e lexojnë vetëm 2% (3000 ekzemplar), Takvimin vjetor vetëm 3,3% (5000 ekzemplar), dhe revistën Edukatën Islame vetëm 0,4%(600 ekzemplar). Po kjo gjendje është edhe më katastrofale pasi që të gjitha ekzemplarë të publicistikës islame të botuar nuk shpërndahen, ashtu që nëpër xhamit tona mund të hasësh me qindra ekzemplar të revistave të botuara nga Bashkësia Islame e Kosovës që gjenden të grumbulluara dhe të skajuar nëpër qoshet e xhamive anembanë Kosovës. Në nivelin vendor të komunës së Prizrenit, nga numri i besimtarëve mysliman që falin namazin e xhumasë, 15.000, revistën Dituri Islame e lexojnë vetëm1,3%(200 ekzemplar), Takvimin vjetor, vetëm 2,6% (400 ekzemplar) si dhe revistën Edukata Islame vetëm 0,26%(40 ekzemplar). Shifrat e cekura pasqyrojnë gjendjen alarmante të publicistikës islame dhe lexuesin mysliman në Kosovë .

Shtrohet pyetja se cilat janë shkaqet dhe si të dilet prej kësaj gjendjeje alarmante? Për momentin imamët dhe xhematlinjë anembanë Kosovës shumë pak lexojnë, por edhe më pak shkruajnë. Arsyeja tjetër është në perceptimin tonë të fesë islame. Duke marrë parasysh ajetin(versetin) e parë kur’anor: ” Lexo, në emër të Zotit”, besimtarët mysliman në Kosovë shumë pak e përfillin këtë urdhër të prerë hyjnor. Po të lexonin vetëm 10% publicistikën islame nga numri i gjithëmbarshëm i besimtarëve mysliman në Kosovë që falin namazin e xhumasë, do të ishin 15.000 besimtar mysliman, ndërsa po të shkruanin vetëm 1% do të ishin 1500, që do të ishte një masë qëndrueshme të besimtarëve mysliman që lexojnë dhe shkruajnë, kundrejt numrit të tërësishëm të besimtarëve mysliman në Kosovë. Si rezultat i kësaj do të kishim botimin e revistës mujore, Diturisë Islame mujore në 15.000 ekzemplar, Takvimit vjetor në 30.000 ekzemplarë, si dhe 3000 ekzemplarë të revistës Edukatës Islame tremujore në nivelin qendror në Kosovë, ndërsa në nivelin vendor të komunës së Prizrenit do të kishim shpërndarjen e 1500 ekzemplarëve të revistës mujore Diturisë Islame, 3000 ekzemplarë të Takvimit vjetor, dhe 300 ekzemplar të revistës tremujore të Edukatës Islame.

Imamët tanë, kryesisht jo që nuk shkruajnë, por edhe nuk lexojnë e më së paku e shpërndajnë publicistikën islame në xhematin e tyre. Se si, një imam i xhamisë nuk është në gjendje, apo nuk përpiqet, që xhematit të tij prezent në xhuma, p.sh. nëse marrim si shembull që ka 100 besimtar, të shpërndajë bile 10 revista mujore të Diturisë Islame mujore, 20 Takvima vjetor dhe 2 revista tremujore të Edukatës Islame. Çka është më e keqe një numër i konsiderueshëm i imamëve as vet nuk e lexojnë publicistikën islame që botohet nga institucioni i Bashkësisë Islame të Kosovës, pjesë përbërëse e së cilës janë. Kësaj s’kam ndryshe si të them, çudi se jo mahi!!!

Kostoja vjetore e gjithëmbarshme e publicistikës islame që botohet në vit është vetëm 24 Euro, apo 2 Euro në muaj. Çdo njeri prej besimtarëve mysliman në muaj shpenzon së paku nga 10 Euro në muaj për kafe e çaj, e të mos flasim për ata besimtar që e pinë duhanin, shpenzimi i tyre është edhe më i madh, ndërsa mjaftojnë vetëm 2 Euro në muaj për të përcjell publicistikën islame gjatë tërë vitit. E di, dhe jam i sigurt që nuk është kostoja financiare shkaku që nuk lexohet publicistika islame, por problemi është mosangazhimi i duhur i imamëve për të lexuar dhe shpërndarë publicistikën islame, si rrjedhojë e të cilës pason edhe mosinteresimi, mosinformimi dhe mos leximi nga ana e besimtarëve mysliman. Çfarë do të kushtonte çdo imami të çdo xhamie në Kosovë, pasi të kryen hytben (ligjëratën) e xhumasë, të njoftojë xhematin e tij, për numrin e ri të Diturisë Islame, Edukatës Islame dhe Takvimit vjetor, që të blejnë dhe të lexojnë atë, duke marr parasysh rëndësinë e leximit, si urdhër i prerë nga Zoti fuqiplotë, i cili i është shpallur ajet(verset) i parë profetit tonë të dashur Muhamedit a.s.

Por për momentin në aktualitetin e tanishëm në Kosovë, mund të dëgjosh prej filan hoxhe apo xhematliut se p.sh. Hasani është pesëvaktli,, apo Hyseni ka shkuar 5-6 herë në Qabe apo Umre, e të tjera, ndërsa rrallë mund të dëgjosh për Hasanin i cili ka lexuar qindra libra, apo ka shkruar ndonjë libër, apo Hyseni i cili ka arritur të punësojë disa besimtar mysliman, etj. Për të përmirësuar dhe ndryshuar këtë gjendje katastrofale sa i përket publicistikës islame dhe lexuesit mysliman i Kosovës duhet të cekim këto dy arsye:

E para, gjendja e tanishme katastrofale në të cilin gjenden besimtarët mysliman në Kosovë sa i përket leximit të paktë dhe dijes të ulët, si rrjedhojë e së cilës është myslimani i sotshëm i cili në mungesë të leximit, dijes, perceptimit të duhur dhe mospranimit të kritikës, pason ngecja e tij, mos përshtatja dhe vonesa në hapa për t’u inkuadruar dhe vepruar në kuadër shoqërisë njerëzore që e rrethon dhe me të cilën bashkëvepron, bashkëpunon dhe bashkëjeton.

E dyta, është ndryshimi i perceptimit të Bashkësisë Islame të Kosovës, e cila në vend të investimeve të gjertanishme ” kryesisht në ndërtimin e xhamive”, tani e tutje do të duhej të përqendrohet dhe të investojë më shumë zgjerimin e botimit të revistave, librave dhe publikimeve tjera sa më shumë që mundet, dhe të gjejë mënyra të duhura për të shpërndarë publicistikën islame nëpërmjet imamëve të vet xhamive anembanë Kosovës, me të cilin do të mundësojë dhe do ve në lëvizje besimtarët mysliman drejt zgjerimit të njohurive të tyre jo vetëm fetare, por edhe politike, kulturore, informative, shoqërore, sociale, etj.

Kjo do të duhej të ishte është sfida kryesore me të cilin Bashkësia Islame e Kosovës në përgjithësi dhe besimtarët myslimanët në veçanti do të duhej të ballafaqoheshin gjatë shekullit XXI-të duke marr parasysh fjalën ”ilm” që do të thotë dije, e cila shpesh është e përmendur në Kur’an, si dhe thënien e të dërguarit të Zotit, Muhamedit a.s: ” ngjyra e lapsit të dijetarit është me e vlefshmja se gjaku i dëshmorit” .

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne