Media zvicerane: Ministrat e qeverisë Rama të përfshirë në trafik droge

Ish-shefi i Antidrogës në Policinë e Vlorës, Dritan Zagani, ka marrë azil politik në Zvicër. Lajmin e bën të ditur gazeta “Le Temps”. Kjo e fundit ka marrë në intervistë Zaganin, të cilin e quan Dermit për t’i mbrojtur identitetin. Më poshtë janë pjesë të shkrimit.

-“Personi më i kërkuar në Shqipëri merr statusin e azilantit politik në Zvicër. Pas dy vitesh pritje dhe pavarësisht dy kërkesave nga qeveria për ekstradimin e tij”.

-“Ky është fundi i një makthi të gjatë trevjeçar për një refugjatë të pazakontë”.

-“Për të kuptuar historinë e tij, duhet të kthehemi pas në vitin 2013. Ai po monitoronte një trafikant famëkeq, ai fikson targën e një Audi të zi me dritare të errëta. Kur kthehet në stacionin e policisë, ai tronditet kur zbulon emrin e pronarit të makinës: Saimir Tahiri, ministri i Brendshëm i qeverisë shqiptare. Kushërinjtë e tij, vëllezërit Habilaj e përdornin makinën zyrtare si mbulesë për abuzimet e tyre në qarkun e Fierit në jug të vendit”.

-“Kundër këshillës së eprorit të tij, Dermit bën një raport. “Interesat në lojë janë shumë të mëdha, lidhja e trafikantëve me disa ministra të qeverisë Rama është e madhe,” shkruan ai. Dermitin nisin ta përgjojnë. Tre makina e ndjekin nga pas në çdo lëvizje. “Sa herë që përgatisja një operacion, trafikantët paralajmërohëshin një ditë përpara dhe ishte gjithmonë vonë,” thotë ish-polici”.

-“Departamenti i Krimeve të Rënda në Tiranë e akuzon për shpërdorim të detyrës, për bashkëpunim në mënyrë të paligjshme me Italinë dhe me një grup mafioz. Në këtë rast, arrestimi i dy trafikantë dhe konfiskimi i 100 kilogramëve hashash, pengoi një operacion në shkallë më të gjerë. Ai akuzohet edhe se mbante kontakte të rregullta me disa oficerë të Guardia di Financas në Itali. “Kjo është qesharake. Hierarkia ime është e ditur, eprori im mdirekt është i njejtë me mua gjatë këtij operacioni,” thotë ai”.

-“Shtëpia e tij bastiset, policia i kontrollon telefonat dhe kompjuterat. Ai vetë ndalohet në burgun 313 të Tiranës. “Ky është vendi ku dërgohen të gjithë trafikantët e drogës dhe vrasësit. Ngjitur me qelinë time njoha një kosovar, të cilin e kisha arrestuar dhjetë ditë më parë në Fier me 3 kg heroinë. Refuzova të shkoj pasi kisha frikë për sigurinë time”. Gardianët e transferojnë Dermitin në ndarjen e rezervuar për të burgosurit me probleme psikologjike. Ai qëndron atje për gjashtë muaj e tetë ditë”.

-“Për Dermitin, ka edhe më keq se burgu. Familja e tij kërcënohet me vdekje. Duke çuar vajzat në shkollë, gruaja e Dermitit ndalohet nga një makinë e zezë. “I thuaj burrit tënd se ky është fundi i familjes së tij,” i thotë shjoferi. E pushtuar nga paniku, ajo vendos të largohet nga Shqipëria dhe merr strehim bashkë me tre fëmijët tek motra e saj në Milano.

Në korrik të vitit 2015, në mungesë të gjykimit, Dermiti lirohet. Drejtësisë i ka lënë pasaportën. Por ai vendos të largohet. Familja e tij arriti në Bazel në shtator. Por qeveria shqiptare nuk e la me kaq. Në dhjetor të vitit 2015, Interpoli i dërgon një kërkesë Zvicrës për ekstradimin e Dermitit sa më shpejt të jetë e mundur. Kryeministri Edi Rama shfaqet disa herë në ekrane duke sulmuar policin që u bë personi më i kërkuar në Shqipëri”.

-“Më 16 mars 2016 formulohet një tjetër kërkesë. Për shkak se administrata zvicerane po shqyrtonte kërkesën, Dermiti duhet të presë. “Për tre vite kam jetuar si një bimë pa ujë”. Ndërkohë nis të përhapet një tjetër praktikë e denoncuar nga Dermiti, ajo e trafikut të hashashit me avionë nga Shqipëria drejt Italisë. Bashkimi Europian, në veçanti Italia, kanë dyshime për vullnetin e qeverisë shqiptare për t’i dhënë fund trafikimit të hashashit dhe heroinës. Dy pilotë arrestohen nga Guardia di Financa, organi kryesor i luftës kundër trafikut të drogës në Itali, por edhe në “Kolumbinë e Europës”, që tani është Shqipëria”.

-“Kolegët e dikurshëm të Dermitit, disa prej tyre në Guardia di Financa, konfirmojë në kushtet e anonimatit se ai është një profesionist. “Dermit ishte një polic i shkëlqyer. Ne shpesh kemi bashkëpunuar. Por me zbulimet e tij, ai preku në Shqipëri. Ai na vuri Tiranën përballë kontradiktave. Nga njëra anë qeveria thotë se po përpiqet të ndalojë trafikun e drogës, nga ana tjetër i mbyll sytë para saj”.

-“Që nga fillimi i vitit, shërbimi ajror i Guardia di Financas në Bari ka konfiskuar mbi 10 ton hashash nga Shqipëria. Një rritje e madhe, që kundërshton deklaratat e qeverisë socialiste shqiptare për suksesin e politikës së saj ndaj drogës. Qeveria e mëparshme e kishte ndaluar lëvizjen e gomoneve, por qeveria aktuale e riktheu. Zvicra është mjaft e shqetësuar për trafikun e drogave të forta. “Mafia shqiptare është përgjegjëse për pjesën më të madhe të tregtisë së heroinës”, thotë Dermiti.”

-“Dermit thotë se nuk do të ndalet këtu. “Emri im dhe i familjes sime janë përbaltur për dy vjet nga mediat pro-qeveritare. Miqtë e mi nuk guxojnë të thonë atë që dinë, disa më kanë bllokuar në Facebook. Është shumë e vështirë edhe për vajzat e mia, për shumë kohë më kanë etiketuar si kriminel”. Tani, i lirë për të qëndruar në Zvicër, beteja e tij është vetëm fillimi. “Unë nuk do të ndalem derisa të rrëzohet sistemi i korruptuar në vendin tim. Deri në frymën e fundit”.”

-“Pas kërkesave tona, as Sekretariati për Emigrimin dhe as ambasada shqiptare në Zvicër nuk komentuan për vendimin e Zvicrës për t’i dhënë azil një polici shqiptar”./syri

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne