Mediat izraelite të alarmuara nga dhënia eventuale e sistemit raketor S-300 Sirisë

Deklarata e bërë nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, se Moska mund të rishqyrtojë shitjen e sistemeve S-300 Damaskut pas sulmeve ajrore amerikane dhe aleate, ka ngritur shqetësime në mesin e analistëve dhe gazetarëve izraelitë, të cilët janë të shqetësuar për kërcënimet e mundshme që mund të paraqesin këto sisteme për regjimin e Tel Avivit.

Gazeta Jerusalem Post ka paralajmëruar se “superioriteti ajror i Izraelit është në rrezik të sfidohet në një nga zonat më të vështira” nëse Rusia vendos t’i shesë Sirisë sisteme më të përparuara të mbrojtjes ajrore. Gazeta ka shprehur frikë se pilotët izraelitë mund të vriten nëse Damasku do të posedojë sisteme raketore më efektive. S-300, është një sistem raketash tokë-ajër me rreze të gjatë veprimi, i zhvilluar për tu mbrojtur kundër avionëve dhe raketave cruise. Sistemi është një nga armët më të avancuara në klasin e tij. Analisti i rrjetit izraelit të lajmeve I24, Ron Ben-Yishai, mbështeti këto shqetësime duke thënë se Izraeli do të duhej të merrte “masa paralajmëruese dhe parandaluese që ende nuk janë marrë deri më tani”. Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse, kolonel Sergej Rudskoi tha të shtunën se veprimet e SHBA në Siri kanë për qëllim destabilizimin e situatës tashmë të brishtë në të gjithë rajonin, duke shtuar se sistemi raketor S-300 mund të shpërndahet edhe në vende të tjera, përveç Sirisë. Moska deri tani kishte vendosur që të mos i shiste Sirisë sistemet S-300 për shkak të “kërkesës së ngutshme të disa prej partnerëve perëndimorë”. Por, siç tha koloneli Rudskoi, duke marrë në konsideratë ngjarjet e fundit, Rusia mund ta shqyrtojë shitjen e këtyre sistemeve jo vetëm për Siri, por edhe në shtetet e tjera të rajonit./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne