“Mediat perëndimore mospërfillje për sulmet terroriste në Turqi”

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın, ka thënë se zyrtarët dhe mediat perëndimore kanë shfaqur mospërfillje për sulmin e fundit terrorist në të cilin terroristët e PKK-së brutalisht e vranë mësuesen e re të muzikës dhe një pjesëtar të xhandarmërisë në juglindje të Turqisë, duke shtuar se ky është treguesi më i mirë se në çfarë epoke të terrorizmit dhe hipokrizisë po jetojmë, raporton Anadolu Agency (AA).

Terroristët e PKK-së të premten, në qendër të Kozlukut kanë kryer atentat të pasuksesshëm ndaj kryetarit të qytetit Veysi Işık, dhe pastaj kryenë edhe një tjetër sulm në të cilin u vra mësuesja 22-vjeçare Senay Yalcin Aybüke dhe oficeri i xhandarmërisë Soner Fazlioglu.

Kalın në një kolumnë të publikuar nga gazeta “Daily Sabah”, akuzoi mediat perëndimore se kanë shfaqur mospërfillje për këtë sulm mizor të kryer nga terroristët në qendër të Kozlukut, në provincën Batman.

“Përveç disa gazetave nga Turqia që shkruajnë në gjuhën angleze, askush në Perëndim as nuk ka përmendur aktin terrorist në të cilin u vrau vajza e re. Ata kanë shprehur mos përfillje për këtë ngjarje pasi kjo nuk përputhet me pretendimet e tyre në lidhje me organizatën terroriste PKK dhe degën e saj siriane PYD. Mediat që nuk humbasin asnjë mundësi që të kritikojnë Turqinë dhe i bëjnë thirrje për dialog dhe justifikojnë terroristët e PKK-së, nuk kanë gjetur të arsyeshme që të dënojnë sulmin terrorist në të cilin u vra mësuesja 22 vjeçare në Batman”, ka thënë Kalın.

Duke kujtuar se degët e mediave të PKK-së në Gjermani, Austri dhe vende të tjera evropiane flasin me lëvdata për sulme të tilla në Turqi, Kalın tha se zyrtarët turq për këtë paralajmërojnë homologët evropianë, por se ata gjithmonë bëhen të shurdhët dhe përpiqen që këtë çështje të bartin në fushën e lirisë së shprehjes.

“Që kur kjo propagandë terroriste mund të mbrohet me lirinë e shprehjes. Sigurisht, se nuk ka asnjë justifikim për një gjë të tillë. Shikoni se si të gjithë në Evropë dhe SHBA reagojnë pas sulmeve terroriste për të dënuar terroristët dhe për të mbrojtur popujt e tyre. Askush nuk i pengon për një gjë të tillë dhe sigurisht që kanë të drejtën e tyre, por shohim qartë se këto vende të njëjta kanë standarde të dyfishta kur është fjala për luftën kundër terrorizmit në Turqi”, tha Kalın, duke shtuar se lufta kundër terrorizmit duhet të bëhet në nivel global.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne