Mediet turke pranë presidentit Erdogan publikuan këtë të mërkurë pamjet e asaj që përshkruhet si “skuadër eliminimi” prej 15 anëtarësh, e cila pretendohet të jetë dërguar me objektivin për të vrarë gazetarin saudit, Jamal Khashoggi, si dhe një furgon të zi që kishte dalë më vonë nga Konsullata saudite në Stamboll, me destinacion shtëpinë e konsullit.

Publikimi i fotografive dhe një videoje shton presionin ndaj Arabisë Saudite, një javë pas zhdukjes së Khashoggit, gjatë një vizite që kishte për të bërë në Konsullatë për të tërhequr disa dokumente të nevojshme. Zyrtarët turq kanë dyshime të forta se kjo skuadër e ka vrarë shkrimtarin, një kritik i shquar i Princit të kurorës, Mohammed bin Salman.

Mbretëria arabe i ka quajtur “të pabaza” akuzat, por nuk ka ofruar asnjë provë se Khashoggi ka dalë i gjallë nga konsullata, madje as nuk është përgjigjur ndaj kërkesave për komente nga mediet e huaja gjatë së mërkurës.

“News Channel 24” transmetoi videon, përmes së cilës dyshohet se Khashoggi ndodhej brenda furgonit të zi Mercedes Vito, që i ngjante një automjeti të tillë të parkuar jashtë konsullatës kur shkrimtari hyri më 2 tetor. Kanali televiziv bënte gjithashtu të ditur se furgoni kishte udhëtuar edhe për dy kilometra drejt shtëpisë së konsullit, ku mbeti i parkuar brenda një garazhi.

Ndërkohë, gazeta “Sabah” ishte ajo që publikoi pamjet e “skuadrës së eliminimit”, teksa fotot e personazheve janë siguruar gjatë kontrollit të pasaportave. Sipas gazetësnë fjalë, ata kanë hyrë në dy hotele në Stamboll më 2 tetor, e më pas u larguan orët e vona të po asaj dite.

91