MEK: Grupi që kërkon të përmbysë regjimin e Iranit (video)

Organizata iraniane MEK me bazë në Shqipëri e cila ka përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dëshiron ndryshimin e regjimit iranian.

“Ajo më mungon. E dua shumë, e dua shumë. E dua Somajen, të lutem dil jashtë”, ndërsa flet për vajzën e saj, Mahbube Muhammedi, nëna e një anëtareje të MEK-ut, se përmban dot veten, ja shkrep të qarit.

Somaja është anëtare e organizatës Muxhahedin Al Khalq, e njohur si MEK, një grup i mbyllur, i përkushtuar ndaj ndryshimit të regjimit në Iran.

“Vetëm më ndihmoni nëse mundeni ju lutem”, thotë nëna e Somajes.

Somaja qëndron në një kompleks sekret në Shqipëri në të cilin kontaktet me botën e jashtme janë të kufizuara prej organizatës.

Familja Muhamedi thotë se ata dikur e kishin përkrahur organizatën MEK, ndërsa tani ata duan që vajza e tyre vetëm të kthehet në shtepi.

“Përse nuk na japin ne si babë dhe nënë vetëm 10 minuta që ta shohim (vajzën)”, thotë Mustafa Muhammedi, babai i anëtares së MEK.

Mek luajti një rol të rëndësishëm gjatë Revolucionit Islamik por e humbi simpatinë tek Ajatollah Khomeni pasi grupi filloi të sulmonte civilë.

Vëllai i Mahbube Muhammedit, Hadi Hamzeh ishte anëtar i MEK-ut, i ekzekutuar me vdekje në moshën 28 vjecare nga regjimi i Iranit.

Më vonë MEK gjeti strehë të sigurt tek Sadam Hyseni. Ashtu sikurse shumë nga anëtarët e MEK-ut edhe motra e Mahbubes, Hurrieh Hamzeh Dolabi, vdiq duke luftuar për Irakun gjatë luftës Irak-Iran në vitin 1982 kur ishte vetëm 17 vjec.

Që nga rënia e Sadam Hysenit dhe deri në vitin 2012, SHBA e kishte klasifikuar MEK-un si organizatë terroriste. Megjithatë organizata ngeli në Irak nën mbrojtjen e SHB-së. Ndërkohë që ushtria amerikane u tërhoq dhe duke pasur frikën se mos grupi sulmohej nga përkrahësit e Iranit, Mek u zhvendos në Shqipëri.

E bija e familjes Muhammedi jeton tani brenda këtij kompleksi, pas telave me gjemba, i survejuar me një teknologji të fundit moderne dhe roje private të armatosur. Familjarët e saj dhe shumë nga personat e larguar tashmë nga grupi me të cilët ka folur gazetarja e TRT, thonë se Somaja mbahet përkundër vullnetit të saj të lirë, ajo nuk qëndron aty për rezistencën, grupi është një kult dhe se asaj i është bërë lavazh truri.

Kompleksi ndodhet në një zonë fshati, rreth gjysëm ore me makine larg nga Tirana. Aty ndodhen mbi 2500 anëtarë të cilët jetojnë brenda kompleksit.

MEK pretendon se familjarët janë spiunë të Iranit. Kohët e fundit disa anëtarë të MEK e sulmuan familjen e Somajes teksa ajo ndodhej në një pedonale të Tiranës.

“Kjo është zgjedhja ime për arsye se une dua të qëndroj me muxhahedinët”, thotë Somaja. Kohët e fundit Somaja i denoncoi prindërit e saj gjate një interviste të bërë brenda kompleksit për një shoqatë shqiptare.

“Nëse unë zgjedh që të largohem nga muxhahedinët, unë mundem ta bëj, por kjo nuk është zgjedhja ime”, thotë Somaja.

Merjem Raxhavi, liderja karizmatike e fuqishme e MEK-ut dhe grupit të saj mbrojtës, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (the National Council of Resistance of Iran), jeton në Paris ku financon mjaft konferenca të niveleve të larta.

“Ndryshimi i regjimit në Iran është shumë më afër, si kurrë më parë ndonjëherë”, thotë gjatë një konference liderja e grupit, Merjem Raxhavi.

Për shkak të thirrjeve të saj për ndryshimin e regjimit iranian ajo ka gëzuar për një kohë të gjatë përkrahje nga politikanët amerikanë, si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët, përfshirë këtu edhe Xhon Bolltonin, këshilltarin e presidentit amerikan Trump për sigurinë kombëtare si dhe avokatin e tij personal, ish kryebashkiakun e Nju Jorkut, Rudi Xhulianin. Shumë prej tyre marrin pjesë në konferenca dhe flasin në emër të grupit.

Me largimin e SHBA-së nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe retorikës së ashpër të administratës Trump kundër Iranit në OKB, disa besojnë se MEK mund të luajë një rol të madh në ndryshimin e regjimit iranian.

‘Që prej zhvendosjes në Shqipëri, rreth 120 anëtarë si këta këtu, e kanë braktisur organizatën”, thotë gazetarja e TRT. Shumica e tyre kanë ngelur pa shtetësi dhe pa dokumenta për të udhëtuar. Hasan Heyrani, sot 37 vjec, ju bashkua MEK-ut kur ishte vetem 23 vjec. Hasan Heyrani, ish anëtar i MEK-ut thotë: “Njëri nga shokët e mi shkarkoi këtë libër nga interneti”. Hasani qesh me ironi pasi shkrimet e Xhorxh Orwellit ishin ato që e inspiruan atë që ta lerë grupin.

“Pasi i shpenzova rreth 14-15 vjet me muxhahedinët arrita ta kuptoj, wou, paskam qenë në fermën e kafshëve”, thotë Hasan Heyrani.

Ndërkohë familja zemërthyer Muhammdi, bëri një video për Somajen për ditëlindjen e saj. Ajo sapo i mbushi 38 vjet, ku nga këto vite, 21 prej tyre i ka kaluar si anëtare e MEK-ut. Ata shpresojnë që ajo të mund ta shohë disi videon dhe të ndryshojë qëndrim.

burimi: trt/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne