MELIKA SALIHBEG BOSNEWI (1945-2017)

Shkruan: Ismail BARDHI, Shkup

Pak më parë e kuptova se sot në Sarajevë ishte bërë për rahmet një muslimane tepër e “çuditshme”, tepër e mençur dhe e guximshme, Melika Salihbeg (Bosnewi). Para vitit 1983 nuk e kisha takuar me të, për arsye se ajo edhe asokohe ishte mjaft e guximshme dhe guximi i saj shpeshherë krijonte incidente, ndërsa me kalimin e saj nga “komunizmi” në Islam, duke e pranuar atë si fe, si mënyrë të jetuari dhe të menduari, faktikisht e nxori në shesh atë hapësirën e një guximi të veçantë, që rrallë herë kemi pasur mundësi ta shohim në jetën tonë të përditshme. Disidentët e asaj kohe ishin të rrallë, dhe ishin të dashur për kohën dhe për një ardhmëri më kuptimplote, e Melika ishte ndër ta: disidente e shquar me incidente. Sapo e pranoi fenë dhe gjeti qetësinë shpirtërore e intelektuale në Kur’an dhe në hadithin e Pejgamberit a.s., ajo filloi me gjuhën e një intelektualeje të mprehtë ta luftojë mendimin ekzistues intelektual marksist-komunist, që mbisundonte asokohe në Jugosllavi. Sarkazmin e kishte tepër të fortë dhe me të e mbyste idenë marksiste-komuniste të asaj kohe, saqë haptas thërriste në “dyluftim” idesh, për të treguar se komunizmi është i dëmshëm dhe i harxhuar, dhe se nuk mund t’i jepte asgjë njeriut, përpos mjerimit dhe varfërisë shpirtërore. Shkrimet e saj kanë qenë të një zhanri të veçantë, mes letërsisë dhe filozofisë, por edhe poezinë e kishte me një specifikë të veçantë tamam të ndrequr nga Melika, mjeshtre e poezisë. Gjuha e saj nuk ishte aq shumë e “filozofuar”, e ngarkuar me terme të rralla, por disi e thjeshtë, edhe pse e djersiste lexuesin.

Siç thashë, deri para vitit 1983 unë nuk e kisha takuar atë, edhe pse e dija se kush është. Kjo që të mos e takoj ishte vendim i shokëve të mi, sepse kishim frikë nga sistemi, e ajo ishte tepër e guximshme dhe para se të “fliste”, ajo vepronte. Por, pasi u lirua nga burgu, ku u dërgua atë vit, unë dhe një shok ishim ndër të parët që e vizituam dhe fjala e parë që më tha ajo në shtëpinë e saj ishte: “Ku jeni ju që i harroni njerëzit t’i vizitoni? A thua vallë keni frikë nga ky pushtet, ose edhe nga Bashkësia Islame e Jugosllavisë?!?” Iu përgjigja, por përgjigjja ime mbeti disi e varur, dhe me mundësinë që në takimin e ardhshëm të shkaktojë “incident”, sepse koha kur ajo doli nga burgu ishte koha e revolucionit islamik në Iran, ndërsa ajo me atë erudicionin e saj intelektual e jetonte, e përjetonte atë, respektivisht shiizmin. Në fakt, mospajtimi im me të ishte pikërisht kjo: se ajo atë e shihte si formë që muslimanët duhet ta pranojnë dhe ta praktikojnë, ndërsa unë atë e shihja si një dhuratë e gjerësisë së fesë islame, ku mund ta gjenden gjëra të bukura dhe të lezetshme që ka arti dhe filozofia persiane. Sidoqoftë, vizita ishte me një qëllim tjetër, jo që të “bisedojmë” me të, se asaj ishte e pamundur t’i ndryshonte mendimi; se vetëm atëherë kur ajo vetë vendoste, e ndryshonte mendimin për diçka. Qëllimi i vizitës ishte se ajo ishte larguar nga puna dhe ne me disa shokë i treguam se ka njerëz që interesohen, si aty ashtu edhe jashtë vendit, që t’i mundësojnë ta kalonte jetën disi më lehtë. Faktikisht, disa shokë nga Turqia u munduan t’i ndihmonin, por ajo asnjëherë nuk e pranonte ndihmën si ndihmë, por si diçka të domosdoshme dhe kalimtare, si nevojë e jetës, ndërsa disa shokë për fat të keq vetëm premtonin, ndërsa rrallë herë e plotësonin premtimin në kohën e duhur. Shumë interesante ishte se mosmbajtja e fjalës, premtimit, atë e bënte tepër të vështirë dhe të pamëshirshme.

Në bisedat që kishim ajo ishte tepër e interesuar për kulturën shqiptare, sidomos e kishte shumë mirë të njohur rastin e dënimeve që u bëheshin shqiptarëve nga sistemi i asaj kohe, duke filluar nga diskriminimi që ishte shumë mirë i planifikuar nga serbët. Por, ajo shprehte habinë se si mundet që shqiptarët të jenë akoma marksistë-leninistë, e të mos flas për rastin e Shqipërisë, i cili e linte atë pa tekst, ngaqë habitej se si mundet që një popull i lashtë me traditë fetare, me fe monoteiste, të lejojë një gjë të tillë: në vend që ta kuptojnë kohën dhe problemet e saj, ata për fat të keq me vonesë janë pjesëmarrës të asaj që ndodhte. Ajo disa herë e ka vizituar edhe Shkupin dhe disa familje këtu dhe në Tetovë. Me një rast, kishte qëlluar në Tetovë mu në kohën e 10 ditëve të para të muajit Muharrem, kur përkujtohet shehadeti i Imam Husejnit, dhe kishte parë disa ahengje familjare, tipike për ne, ndaj me guximin e saj tha: a janë të vetëdijshëm këta njerëz, që në vend që ta përkujtojnë shehadetin e Imam Husejnit, bëjnë salltanete që nuk kanë aspak lidhje me fenë?

Ajo ishte ndër femrat e para intelektuale, me plotëkuptimin e fjalës, edhe në qarqet prestigjioze të asaj kohe, si ato letrare dhe filozofike, dhe nuk e fshihte idenë dhe superioritetin e filozofisë islame dhe thellësinë e misticizmit, sufizmit jashtë-institucional. Disa shkrime i botoi nëpër revista të ndryshme, si “Odjek”, “Dijalog”, “Polje”, “Zarez”, “Knjizevne novine” etj., ku shihej se ato kishin peshë dhe se ishin mendime alternative për kohën dhe për lehtësimin e mendimit të robëruar që ekzistonte asokohe. Shumë interesante është se edhe mbulesa e saj ishte një temë në vete; ajo i ndiqte me dashuri të madhe pjesët teatrale, pavarësisht se sa “fetare” ishin ato. Ajo dinte ta shkundte artin, ndonjëherë aq mirë, aq lezetshëm e shante çmendurinë e artit, por në të njëjtën kohë thoshte se pa art, letërsi dhe thellësitë e saj nuk mund të zhvillohet kënaqësia e të menduarit të njeriut.

Ajo kishte shikimin e saj kritik ndaj institucionit më të lartë fetar islam të ish-Jugosllavisë; e akuzonte atë; thoshte se si mundet që një institucion të lejojë të jetë shërbëtor i sistemit, gjegjësisht të lejojë pranimin e një sistemi marksist-leninist, pa marrë parasysh “socializmin” e njohur, i cili nuk ishte asgjë, përpos një loje të politikës dhe mbisundimit të sistemit, ndërsa asaj bashkësie fetare që jeton dhe mbijeton mbi postulate të veta, ato ia ndalojnë një gjë të tillë. Me sarkazmin e vet, njëherë na tha: a u kënaqët kur e patë në revistën “Glasnik” fotografinë e Titos!?! Sinqerisht, përgjigjja ime ishte: “po e pashë, dhe më pëlqeu që kishte vdekur, por pa marrë parasysh këtë Bashkësia Islame akoma ka frikë”. Ndërsa për injorancën e muslimanëve ajo e fajësonte institucionin e Bashkësisë Fetare Islame të asaj kohe, e në atë kohë ai institucion në vend që t’i përkrahte të burgosurit politik të procesit të vitit 1983, ai u radhit në anën e sistemit jugosllav dhe i dënoi ata, përpos rahmetli Ahmed Smailoviqit, i cili kishte urdhëruar që Bashkësia Islame e Bosnjës dhe Hercegovinës t’iu ndihmojë familjeve të të burgosurve, derisa ata ishin në burg, pa marrë parasysh se a pajtohej me mendimet e tyre apo jo, ngaqë ai njihej mirë me disa nga të burgosurit. Melika po ashtu kishte kontakte me disa teologë muslimanë, si rahmetli Husein Gjozo, dhe kërkonte nga ata që të marrin guximin dhe ta kryejnë misionin e tyre qoftë intelektual, qoftë institucional. Për një gjë të tillë ajo kishte edhe argumente të forta: kisha katolike në njërën anë dhe ajo ortodokse zhvilloheshin në një formë ndryshe, përmes botimeve, shkollimit të lartë deri në nivelin e doktoratës; ndërsa Bashkësia Fetare Islame, pavarësisht numrit të besimtarëve të saj, ishte një mjerim i llojit të vet.

E di se ky shkrim është tepër i vobektë, por ndjeva një thirrje nga brendësia ime që medoemos të shkruaj diçka për një motër muslimane, e cila e donte të vërtetën dhe e mbronte të vërtetën; asaj nuk i interesonte uni i vet, kur bëhej fjalë për drejtësinë dhe urtësinë. Ishte aq e guximshme saqë edhe pas daljes nga burgu ajo të thotë se burgu kishte qenë më i mirë se “liria”; e në një mënyrë iu dëshmuan edhe mendimet dhe fjalët se asnjëherë nuk guxojmë të jemi të papërgatitur për ndryshimet që vijnë, ngaqë ndryshimet që vijnë nga mospjesëmarrja jonë janë në dëmin tonë.
Allahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me xhennet./ almakos

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne