Mendimet e Putin mbi politikat e Donald Trump

Presidenti rus, Vladimir Putin akuzoi kundërshtarët e homologut amerikan Donald Trump se kanë dëmtuar Shtetet e Bashkuara me “shpikjen e historive” rreth lidhjeve të tij me Rusinë.

Në një konferencë për shtyp tashmë traditë për çdo fundviti, Putin tha se kontaktet mes ekipit të Trump dhe zyrtarëve rusë ishin normale. “Janë të gjitha shpikje të kundërshtarëve të Trump, për të zhvlerësuar punën e tij”, tha Putin. Ai e vlerësoi presidentin amerikan për “disa arritje të rëndësishme”, por theksoi se nuk ka arritur të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë, diçka që ai shpreson të ndodhë shpejt. Nga ana tjetër Putin siguroi rusët që ushtrisë do t’i kushtohej vëmendje e veçantë, por hodhi poshtë pretendimet se vendi do të rifillonte një tjetër garë armatimesh si në kohën e Luftës së Ftohtë. Putin tha se goditja e Koresë së Veriut nga ana e Shteteve të Bashkuara do të kishte pasoja katastrofike dhe se shpresonte që të punonte me Uashingtonin për ta zgjidhur këtë krizë. Ai shtoi se Rusia nuk e pranon statusin bërthamor të Koresë së Veriut, por kujtoi se vendi komunist është provokuar nga disa veprime të Shteteve të Bashkuara.

“Besojmë se të dy palët duhet të mos e rëndojnë më gjendjen”, deklaroi presidenti rus. Përsa i përket politikës së brendshme, ish-agjenti i KGB-së tha se nuk shihte asnjë kundërshtar të fortë në garën presidenciale, në të cilën ka ndërmend të garojë si kandidat i pavarur. Megjithatë premtoi se do të punonte për të krijuar një sistem politik më të ekuilibruar. Ashtu si pritej gjatë konferencës vjetore me gazetarët, presidenti rus, Vladimir Putin është pyetur në lidhje me marrëdhëniet me SHBA-në dhe respektimin e marrëveshjeve për raketat. “Nuk ishim ne ata që u tërhoqëm nga traktati themelor i raketave “ABM” , por SHBA-ja,” deklaroi Putin. Presidenti tha se Rusia nuk planifikonte të tërhiqej nga asnjë traktat, por shtoi se SHBA-ja po shkelte rregullat duke instaluar raketa në Rumani. ” Nëse SHBA-ja tërhiqet nga traktatet, ajo padyshim se ndërmerr një hap të rrezikshëm. Ne do të ruajmë sigurinë tonë, por pa filluar një garë armësh”- u shpreh Putin – SHBA-ja ka instaluar raketa në Rumani ..raketat “Aegis” janë zhvendosur nga deti në tokë në Rumani.” Putin po u përgjigjet pyetjeve të 1,600 gazetarëve rusë dhe atyre të jashtëm, në një prej paraqitjeve më të mëdha publike, para se shteti të shkojë në zgjedhjet presidenciale në mars të vitit të ardhshëm./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne