Mesazhe kundër racizmit nga presidenti gjerman

Presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ngrihen kundër racizmit dhe diskriminimit.

“Një dyshim i përhershëm ndaj emigrantëve, pa marrë parasysh se sa kohë kanë jetuar ata në Gjermani, nuk është vetëm dëm për individin, por është një shkak turpi për vendin tonë”,- tha ai të mërkurën.

“Racizmi dhe diskriminimi shkelin dinjitetin njerëzor dhe dëmtojnë demokracinë tonë. Ata zhvlerësojnë atë që ne kemi arritur në këtë vend”, theksoi ai gjithashtu.

Steinmeier ftoi një grup të vogël të qytetarëve turq e gjermanë në pallatin presidencial të mërkurën për të dëgjuar pikëpamjet e tyre mbi migracionin, integrimin, diskriminimin dhe racizmin në jetën e përditshme.

Takimi erdhi disa javë pasi futbollisti gjermano-turk, Mesut Ozil shkaktoi një debat në vend me vendimin e tij për të lënë ekipin kombëtar të Gjermanisë, për shkak të asaj që ai e konsideronte si diskriminim dhe propagandë raciste me të cilën ishte përballur kohët e fundit.

Steinmeier shprehu keqardhjen për shumë raporte të racizmit dhe diskriminimit, pasi përdoruesit e mediave sociale filluan të tregonin përvojat e tyre personale me hashtagun #MeTwo.

“Nuk mund t’i harroj këto histori. Më bëjnë të ndihem i shqetësuar. Ne si shoqëri nuk duhet të jemi indiferent ndaj tyre, dhe ne me siguri nuk duhet t’i fshijmë ato nën qilim”, tha kreu i shtetit gjerman.

Steinmeier nënvizoi se emigrantët e kanë pasuruar Gjermaninë dhe kanë të njëjtat të drejta dhe detyra si qytetarët e tjerë.

“Pa ata, pa familjet e tyre që u bashkuan më vonë, pa fëmijët dhe nipërit e mbesat, prosperiteti ekonomik i vendit tonë, në të vërtetë shoqëria e sotme, do të ishte e pakonceptueshme”, tha ai.

“Ne e kemi arritur këtë së bashku – dhe si president i këtij vendi, do të doja t’ju falënderoj për këtë!”

Sipas zyrës statistikore federale, rreth 19,3 milionë njerëz nga 81,7 milionë banorë që ka Gjermania janë emigrantë ose pasardhësit e tyre.

Njerëzit me origjinë turke vazhdojnë të jenë grupi më i madh në Gjermani me një popullsi prej 2,8 milionë banorësh, pasuar nga polakët me 2,1 milionë dhe rusët me 1,4 milionë.

Gjermania ka dëshmuar një racizëm në rritje gjatë viteve të fundit, fenomen i nxitur edhe nga partitë e ekstremit të djathtë, të cilat kanë shfrytëzuar frikën e qytetarëve për krizën e refugjatëve dhe terrorizmin./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne