Mianmar, u vihet zjarri dyqaneve dhe shkollave të Rohingyave

Sipas një raporti të një faqeje interneti të drejtuar nga Irlanda me qëllim të theksimit të gjendjes së popullit Rohingya, një grup ekstremistësh thuhet se u ka vënë zjarrin dyqaneve dhe shkollave Rohingya në fshatin Kun Taing në lagjen Buthidaung të Mianmarit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ky është një fshat musliman. Ne me breza kemi jetuar këtu në mënyrë paqësore. Ne i mirëpresim grupet e tjera fetare në fshatin tonë. Asnjëherë nuk kemi pasur probleme”, tha një i moshuar Rohingya, që kërkoi anonimitet nga frika e ndëshkimit.

Raporti i medias përfshiu një video 35 sekondëshe që tregonte banorët duke u përndjekur të shuajnë zjarrin. Nuk ishte e qartë nëse zjarri që dukej në video ishte në një shkollë apo në një dyqan, por edhe nëse pamjet ishin autentike.

“Një shkollë fillore qeveritare, një maktab arab, u shkatërrua plotësisht dhe 41 dyqane që i përkisnin popullit Rohingya u dogjën”, tha i moshuari Rohingya pa shtetësi.

Sipas raportit, Buthidaung tani është pikë qendrore e luftës midis ushtrisë së Mianmarit dhe Ushtrisë së Arakanit të Rakhinës, grup kryesisht me etni budiste që lufton për autonomi më të madhe të rajonit.

Më tej, theksohet se “zjarri i të enjtes u përdor nga ushtria për të ndarë dy komunitetet dhe për të devijuar vëmendjen nga abuzimet e tyre të të drejtave të njeriut mbi civilët në Rakhinë gjatë përleshjeve të vazhdueshme me Ushtrinë e Arakanit”.

Persekutimi i popullit Rohingya

Populli Rohingya, i përshkruar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.

Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.

Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.

Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017.

OKB-ja ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të tjera të kryera nga forcat shtetërore në Mianmar. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne