/Aldi D./

Rama ndërroi ministrat, por jo mënyrën e qeverisjes së tij. Ai i shkarkoi ministrat që i mbante prej pothuajse 5 vitesh (disa më pak), por nuk kritikoi asnjë për punën e bërë prej vitesh. Përkundrazi, një pjesë të mirë i lavdëroi për punën e bërë deri më sot duke e cilësuar si arritje të madhe për vendin. Kjo nënkupton që qeverisja e tij nuk ka ndonjë problem dhe ai do të vazhdojë në të njëjtën rrugë që ka ndjekur deri më sot.

Ai tha: “Ministrat që do të largohen sot kanë punuar shumë mirë, por ky ndryshim është i nevojshëm. Ata janë një pjesë e mirë e Partisë Socialiste. Janë investim strategjik i socialistëve. Të gjithë ata që kanë 5 vite në kabinet do ia lënë vendin të tjerëve. I falënderoj të gjithë dhe për punën e gjithsecilit mund të mbaja një fjalim më vete”. Lind pyetja: Kur paskan bërë punë kaq të mirë, ky budalla është që i hoqi?!

E lavdëroi Linditën për (ç)reformën në arsim duke e cilësuar si “një nga reformat më të thella pas tranzicionit dhe Linditën një nga personat thelbësorë në këtë reformë” dhe e zëvendëson me zëvendësen e saj. Por kur paska bërë një reformë kaq të suksesshme sa thua, pse po e heq?!

Le të fillojmë pak me ndërrime e tjera të bujshme: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës. Heq Damianin që bën një kilometër rrugë për 21 milonë € (më shtrenjtë se centimetri i floririt) duke u dhënë tendera kompanive offshore dhe vendos drejtoreshën e famshme Belinda Balluku. Belinda është drejtoreshë e përgjithshme e Albcontrol-it (shoqëria shtetërore që menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore shqiptare) dhe, sipas Ramës, ajo i ka të gjitha atributet për ta drejtuar me sukses këtë ministri. Dhe me thënë të drejtën i ka! Gjynah t’ia hash hakun kot. Gjatë kohës që është drejtuar nga Belinda Balluku, ky institucion (Albcontrol-i) u akuzua se abuzoi me fondet që u akorduan, ku hapi tender plot 66 milionë lekë për trajnimin e vetëm dy studentëve. Kujdeset shumë që të ketë staf të aftë përreth. Nuk punon me njerëz dosido!

Ka edhe më. Gojët e liga,në një nga portalet on line, shkruanin pak kohë më parë se Belinda Balluku dhe Këshilli Mbikëqyrës e kanë falimentuar Albcontrol-in jo me llogari “zero-zero”, por me rreth 94 milionë euro borxhe ndaj kontraktorëve vendas e të huaj, pa llogaritur detyrimet ndaj OSHEE, ujësjellësit, tatimeve, doganës, mjedisit etj. Me siguri i ka harxhuar për stafin. Thonë se ka zemër të madhe. Harxhon me qindra miliona lekë vetëm për t’i aftësuar në kurset specializuese më të mira. Çdo faturë lë pa paguar, ama punonjësve u bën supertrajnim (!!!)

Po që kujdeset edhe për shëndetin e tyre fizik!! Thonë që u ka bërë një alamet palestre në ambientet e punës. Në qershor të vitit 2016 një gojë e ligë (CNA.al) raportoi për një kontratë me vlerë 61 milionë lekë (të vjetra) që ka lidhur Albcontrol-i për blerjen dhe instalimin e disa pajisjeve palestre. Sipas dokumenteve të siguruara në atë kohë nga CNA.al (Citynews Albania), rezulton se ky institucion tashmë do të ketë pistë vrapimi, biçikletë, gira, gjyle etj. E shikoni se si nuk harxhon që t’i ketë punonjësit të bukur vetëm mendërisht, por edhe fizikisht?!

Me këtë ritëm që ka ndjekur gjatë pozitës si drejtoreshë, me siguri rekordet e Damianit në ndërtimin e rrugëve me 21 milion euro për kilometër do të jenë thjesht çështje kohe për t’u thyer. Kam besim se do t’ia dalë që në tenderin e parë që do të firmosë si ministre. Gjithashtu nuk do të habitesha nëse do ta falimentonte edhe këtë ministri ashtu siç bëri me Albcontrol-in. Edhe pse Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, falë të ardhurave që vijnë nga prodhimi dhe shitja e energjisë, është nga të vetmet fitimprurëse në vend, nuk do habitesha nëse Belinda do ta çonte gropë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë

Heq Ben anglofonin pasi i konsumoi të gjitha idetë e tij për favorizimin fiskal të oligarkëve. Përgjysmimi i tatimit të dividendit dhe kthimi pas i tij oligarkëve që nga viti 2015 ishte ideja e fundit fantastike që Beni mund të fuqizonte. Ben mendjendrituri pati hedhur edhe idenë madhështore të tatimit mbi të ardhurat personale të të gjithë personave që marrin rroga “të kamura” mbi 10,000 lekë (të reja) në muaj. Që realisht i bie të taksoje të gjithë të punësuarit formalë, pasi paga minimale sipas ligjit është 24.000 lekë (të reja). Si duket e ka bërë si parapritë për të zëvendësuar deficitin buxhetor që do të krijohej nga kthimi i dividendit oligarkëve. Si ekonomist me eksperiencë që është nuk do që në buxhet të ketë mungesë parash.

Gjatë pesë viteve të tij si ministër Beni është kujdesur gjithmonë për mirëqenien ekonomiko-sociale të shtresës në nevojë oligarkike duke i diskriminuar pozitivisht. Kështu bëri me taksimin progresiv, ku tatimi i punonjësve shkonte deri në 23%, kurse ai i korporatave vetëm 15%.

Gjithsesi ideja brilante e tatimit mbi të ardhurat personale të çdo “të kamuri” mbi 10.000 lekë të reja në muaj, për fatin e tij të keq, nuk u miratua. Me sa duket kjo do të ketë qenë edhe ideja e tij e fundit dhe truri i tij i shfrytëzuar natë e ditë – se si t’ua lehtësonte jetën oligarkëve të gjorë duke krijuar politika fiskale që ulnin shpenzimet e tyre dhe rrisnin fitimet e kompensimet nga ana e shteti për to (siç ishte edhe reduktimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar 6% për hotelet me 5 yje dhe kazinotë brenda tyre) – nuk arriti të prodhonte më. Dhe kur nuk arrin të prodhosh më, nuk je më i dobishëm e duhesh zëvendësuar. Njësoj si një punëtor që punon jashtë çdo kushti sigurie në fasoneri apo miniera në Shqipëri, në të zezë a në të bardhë, kur dëmtohet në vendin e punës dhe humbet aftësinë për punë, hidhet në rrugë nga pronari, edhe Beni ynë ka djegur trurin e tij prej anglofoni duke e tejpërdorur për oligarkët e gjorë.

Gjithsesi Beni nuk ngelet pa gjë. Është akoma deputet dhe i kanë tepruar miliona euro qindarka nga peshqeshet e oligarkëve dhe paratë “e tepërta” nga borxhet e jashtme. Beni, si djalë i kujdesshëm dhe nikoqir që është, i ka dërguar në parajsat fiskale, ku nuk paguan taksa për to dhe janë tejet sekrete. Në këto kushte është dashur një mëndje e re, e pashfrytëzuar më parë, për të vazhduar misionin e shenjtë të Ben anglofonit. Në këtë mision u emërua Anila Denaj. Presim me ëndje të madhe të shohim se çfarë idesh brilante do të na sjellë.

Por Rama nuk e la me kaq shtresën e vuajtur të shoqërisë shqiptare, oligarkët, apo siç i pëlqen atij t’i quaj sipërmarrësit. Shkojmë te Ministria e Sipërmarrjes. Për t’i përfaqësuar denjësisht në qeverinë e tij, ai vendosi në krye të ministrisë së krijuar posaçërisht për ta një adhurues të tyre të flaktë, të sinqertin Eduart Shalësi. Them të sinqertin për Shalësin pasi duket njeri i çiltër, që nuk mban gjë brenda. Madje edhe kur mendon, mendon me zë. Me siguri e mbani mend të gjithë se si gjatë një debati në emisionin Top Story me rivalët e tij (formalë) politikë, pak para zgjedhjeve të vitit 2013, u shpreh me çiltërsinë më të madhe: “Ne nuk do të vjedhim në mënyrë kaq flagrante sa këta.”

Dhe Shalësi kishte të drejtë. Me të ardhur në qeveri, PS nuk vodhi në mënyrë aq banale sa PD, por zgjuarsisht dhe gjithmonë në mënyrë ligjore. Ajo legjitimoi më parë me ligj çdo vjedhje dhjetëra e qindra miliona euroshe që i bëri popullit “të kamur” shqiptar përmes tenderave apo PPP të famshme. Kujtojmë këtu koncensionet, PPP me oferta të pakërkuara, si ajo për Teatrin Kombëtar, Rrugën Durrës-Kukës që u bë me lekët e kombit, por e mori Kastrati.

Për të treguar se pse Shalësi e meriton postin e ministrit të Sipërmarrjes dhe pse i përfaqëson denjësisht sipërmarrësit, do ju rikujtoj një histori. Në vitin 2016 Ed Shalësi riktheu në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese dhe më pas në parlament ligjin e mbetjeve (?).Ishte një ligj i miratuar nga qeveria Berisha dhe PS me të ardhur në pushtet në 2013, me një krenari të paparë, mbajti premtimin që kishte dhënë kur ishte në opozitë dhe e anuloi ligjin për importin e mbetjeve. Deputetët e PS, bashkë me Shalësin, votuan për anulimin e atij ligji që lejonte importimin e mbetjeve të vendeve të BE në Shqipëri. Por do ti që Shalësi u bë pishman dhe, pasi e ripa ligjin, kuptoi se nuk ishte edhe aq i keq, madje ishte i mirë dhe i nevojshëm për vendin. Si do thoni ju? Po ja, “industritë e riciklimit nuk kishin lëndë të parë për të përpunuar dhe po falimentonin prej kësaj gjëje”. Vazhdonte ai: “Disa vite më parë qeveria mori masën për moratoriumin e mbetjeve. Shpresonim që industria e riciklimit të përdorte lëndë vendase. Lënda ishte e pamjaftueshme për t’i mbajtur këto industri në gjendje pune.”

Dhe Shalësi, si djalë i shkathët dhe i dhimbsur për oligarkët e gjorë të industrisë së riciklimit, e merr ligjin, i bën gjoja disa ndryshime dhe e dërgon në parlament për ta votuar dhe miratuar. Edhe pse në Shqipëri, për vitin 2016 sipas INSTAT-it, vetëm 17.2% e mbetjeve totale ishin ricikluar dhe fabrikat punonin me kapacitete prej vetëm 25%. Fatkeqësisht për Shalësin (dhe fatmirësisht për shqiptarët) ligji nuk kaloi. Por gjithsesi ai luftoi me gjithë shpirt për të dhe oligarkët e gjorë të kompanive të riciklimit, edhe pse kishte kundër 3 milionë shqiptarë.

Sigurisht që kjo furtunë qeveritare nuk mund të linte pa gjë edhe prezantuesen e partisë, adhuruesen e Skënderbeut (jo të Skënderbeut hero kombëtar, por të atij që është më i madh se Skënderbeu) poeten, drejtoreshën e famshme të doganave, e cila pasi mori atë post, në darkë ishte një Hirushe e varfër dhe të nesërmen u zgjua në një princeshë të pasur: Elisa Spiropali. Për të u krijua një ministri e posaçme e quajtur Ministria e Marrëdhënieve me Parlamentin. Tani Hirushen tonë të kthyer në princeshë pas punës së palodhur dhe të ndritur në dogana mund ta zërë gjumi rehat. Më në fund është ministre. CV (apo VC) saj u plotësua. Babagjyshi Rama ia plotësoi dëshirën e shprehur për fundvit.

Edhe pse jam i lodhur, nuk mund të rri pa shkruar dy fjalë për zv.kryeministrin e ri, Braçen e vogël dhe të ndershëm. Njeriun punëtor që iu çanë kordat e zërit duke bërtitur në parlament dhe në komisionin e ekonomisë për hallet e popullit. Braçja është i ndershëm thonë, i thjeshtë, nuk vjedh etj. Por disa gojë të liga thonë që pas prishjes së Benz-it relik 240-sh ka marrë një makinë të re. Kësaj radhe thonë e ka lënë modestinë. Si fanatik i Benz-it, edhe kësaj radhe ka marrë një Benz A klas të viteve të fundit.

Po nejse, përsëri pyes veten: Një njeri “parimor” si Braçja, pse pranoi një post të tillë që nuk ka asgjë në dorë në të mirë të shoqërisë? Një post që gjënë më me vlerë që ka (edhe kjo simbolike) është që të jep mundësinë të ulesh në karrigen e kryeministrit në mbledhjet e Këshillit të Ministrave kur kryeministri mungon.

Meqenëse si përfaqësues i popullit është shkrirë i tëri duke qarë e zgjidhur hallet e popullit në çdo seancë, sidomos me atë këshillën e fundit që i dha Ramës për studentët që protestonin për të drejtat e tyre (në rast se nuk pranonin dialog, t’u çonte RENEA-n dhe t’i shpërndante me dhunë), mos vallë Braçja është lodhur gjë nga puna si deputet aktiv dhe do të qetësohet pak? Apo e ka pranuar postin vetëm për simbolikën që ka si numri 2 i qeverisë, e për të pasuruar CV me të? Apo thjesht e ka emëruar Rama dhe Braçja nuk e ka refuzuar për të mos e ofenduar si burrë me sedër që është?

Po Rama pse e vendosi si zëvendës vallë? Prej figurës së “pastër” që ka? Për t’i mbyllur gojën që të mos i kritikojë më anëtarët e qeverisë si “shenjtor moralist” në komisionin e ekonomisë që drejtonte? Apo mos ndoshta si “artist” që është e ka vendosur si zëvendës për të bërë kontrast me të si antonimi i tij fizik?

Me dëshirë do të komentoja edhe për të tjerët, por nuk i njoh edhe aq mirë. Dhe duke mos dashur të bëhem Nostradamus, po i lë të flasin më mirë përmes veprave të tyre që, me siguri, do të jenë të bujshme ashtu si të paraardhësve të tyre. Në fund të fundit, marionetat nga një mjeshtër drejtohen dhe mendja e tij një filozofi ndjek: Vjen në pushtet për të vjedhur shqiptarët dhe vjedh shqiptarët për të qëndruar në pushtet. Filozofi kjo e ndjekur me përpikmëri edhe nga kolegët dhe homologët e tij të partive të tjera parlamentare gjatë këtyre 28 viteve.

Me një fjalë, s’ka asgjë të re nga fronti qeverisë. Avazi i vjetër vazhdon./ teza11

18