Ministri Akar i bindur se Maqedonia e Veriut do të luftojë konkretisht FETO-n

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar, shprehu të mërkurën bindjen se Maqedonia e Veriut do të ndërmarrë hapat e nevojshme për organizatën terroriste gyleniste (FETO).

Në kryeqytetin Shkup të Maqedonisë së Veriut për një vizitë zyrtare, Hulusi Akar u prit në Ministrinë e Mbrojtjes së këtij vendi me ceremoni ushtarake nga zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

Pasi zhvilluan takimin kokë më kokë dhe drejtuan atë ndërmjet delegacioneve përkatëse, ministri Akar dhe homologia Shekerinska iu përgjigjën interesit të gazetarëve në një konferencë të përbashkët shtypi.

Shefi i mbrojtjes turke, i cili gjatë kontakteve të tij në Shkup u ndal veçanërisht mbi luftën kundër organizatave terroriste, tha se disa liderë terroristë të FETO-s ndodhen aktualisht në Maqedoninë e Veriut.

Hulusi Akar theksoi se përpjekjet e Turqisë do të vazhdojnë deri sa të neutralizohet edhe terroristi më i fundit.

“Autoritetet turke dhe maqedonase kanë realizuar shumë aksione në lidhje me këtë çështje. Do të ishte në dobinë e të dyja vendeve që të shpëtojmë nga ky terrorizëm me hapa më konkrete gjatë periudhës në vijim”, shtoi ai.

Më tej, ministri Akar vuri në pah se Turqia mbështet fuqimisht anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Kurse Radmilla Shekerinska deklaroi se pjesa kryesore e rrugëtimit të Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në NATO është përshkuar falë dyerve që u janë hapur nga Turqia. Ajo nënvizoi se Turqinë dhe Maqedoninë e Veriut i bashkon një miqësi dhe një bashkëpunim i ngushtë prej dekadash të tëra.

Duke folur gjithashtu për kooperimin në fushën e mbrojtjes, ministrja Shekerinska rikujtoi se më datë 5 shkurt ka hyrë në fuqi marrëveshja ushtarake e nënshkruar më parë ndërmjet Shkupit dhe Ankarasë për modernizimin e ushtrisë së vendit të saj, ndërsa sqaroi se misionet ushtarake jashtë shtetit janë po ashtu shembulli më i mirë i bashkëpunimit të suksesshëm mes dy vendeve.

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut bëri me dije edhe se numri i personelit ushtarak maqedonas që trajnohet në akademitë ushtarako-luftarake të Turqisë, ka rritur në mbi 1.200 veta.

“Unë dua të shpreh falënderimin tonë për mbështetjen që Turqia i ka dhënë vendit tonë në procesin e nënshkrimit të protokollit të anëtarësimit në NATO. Kjo ishte shumë e rëndësishme për ne”, tha Shekerinska mes të tjerash./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne