Ministri Çavusoglu takon homologët e tij nga Japonia dhe Irani

Në kuadër të punimeve të mbledhjes së 51-të të Unionit të Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) që po mbahet në Singapor, ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu pati takime të ndara me ministrat e Jashtëm të Japonisë, Taro Kono dhe të Iranit, Xhevad Zarif.

Gjatë takimit me ministrin japonez Taro Kono të dy ministrat i bënë një vlerësim hapave që do të hidhen në fushat e bashkëpunimit dypalësh, në projektin e centralit bërthamor në Sinop dhe të hapave për hapjen brenda një kohe sa më të shkurtë të Universitetit Turqi-Japonez të Shkencës dhe Teknologjisë.

Çavusoglu dhe homologu i tij japonez gjithashtu biseduan për çështjet rajonale, me në krye zhvillimet në Irak dhe Siri.

Në një postim të bërë në llogarinë e tij në Twitter në lidhje me takimin, Çavusoglu tha: “Kemi fituar shtysë të rëndësishme në shumë fusha në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Japonisë. Duam që këtë shtysë ta vazhdojmë me vizita reciproke të nivelit të lartë. Gjatë takimit në Singapor me ministrin e Jashtëm të Japonisë, Taro Kono biseduam për çështjet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale”.

Më pas Mevlut Çavusoglu u takua edhe me homologun e tij iranian, Xhevad Zarif.

Burimet diplomatike konfirmuan se ministrat Çavusoglu dhe Zarif shkëmbyen mendimet në lidhje me çështjet dypalëshe dhe ato rajonale.

Dje ministri Çavusoglu pati takime të ndara me homologen e tij indoneziane, Retno Marsudi dhe me Zëvendëskryeministrin dhe njëherësh ministrin e Jashtëm të Vietnamit, Phan Binh Minh./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne