Ministri gjerman: Situata në Shqipëri e helmuar, dialogu i vështirë

Michael Roth, Ministri i Shtetit për Europën në Gjermani, ka thënë se situata politike në Shqipëri i duket “e helmuar” dhe e sheh shumë të vështirë një dialog mes opozitës dhe qeverisë. Michael Roth ka folur për “Deutsche Welle” pas takimit me Ministrin e Jashtëm shqiptar në detyrë, Gent Cakaj.

“Kam frikë se  atmosfera është helmuar aq shumë sa që nuk do të ketë më dialog mes partive të opozitës dhe qeverisë, edhe pse ky dialog është shumë i nevojshëm”, ka thënë Roth.

Ai gjithashtu është shprehur se Gjermania e konsideron veprimin e opozitës për djegien e mandateve, të papërgjegjshëm.

“E konsiderojmë të papërgjegjshëm bojkotin e parlamentit nga partitë opozitare. Sepse nuk është vetëm bojkot kundër parlamentit ose i qeverisë, por edhe ndaj demokracisë. Parlamenti është vendi, ku duhet bërë debati”, është shprehur ai për “Deutsche Welle”.

Por a mund të ndikojë kjo situatë politike në Shqipëri në një përgjigje negative të Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë?

“Është e rëndësishme që të ketë mirëkuptim thelbësor në disa çështje, pavarësisht se kush është në opozitë e kush në qeveri. Aty përfshihen çështjet kushtetuese, çështjet zgjedhore dhe, për mua, çështjet e afrimit me BE. Këto çështje duhet të mbështeten nga një konsensus i gjerë politik. Dhe sigurisht, konflikte të tilla kanë një efekt paralizues, sepse ato gjithashtu prodhojnë tituj negativë në media. Nga ana tjetër, reformat mund të fillojnë vetëm nëse vendosen në parlament”, është shprehur Roth, duke shtuar se vendimi i Gjermanisë do të bazohet në raportin e Komisionit Europian që do të publikohet më 29 maj dhe do të votohet nga Bundestagu.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne