Ministri gjerman viziton xhaminë në emër të solidarizimit me muslimanët

Ministri i Punëve të Brendëshme i shtetit federal të Saksonisë së Poshtme në Gjermani, Boris Pistorius, ka vizituar xhaminë në Hanover në shenjë solidariteti me muslimanët me rastin e sulmit terrorist në Zelandë të Re të premten e kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një adresim të tij para besimtarëve, ministri Pistorius tha se dëshiron të dëshmojë solidarizimin e tij me muslimanët, duke shtuar se nevojitet një qëndrim i prerë kundër terrorizmit.

“Kurrë nuk do të lejojmë që sulmet e tilla terroriste të arrijnë qëllimin, që është rrezikimi i paqes duke sjellë trazira në shoqërinë tonë. Ndaj dhimbjen me të gjithë muslimanët për shkak të barbarizmit që ka ndodhur në Zelandën e Re”, tha Pistorius.

Kryetari i Hanoverit, Stefan Schostok, i cili shoqëronte ministrin e Brendshëm, nga ana e tij theksoi se muslimanët, hebrenjtë dhe të krishterët që gjendeshin të pranishëm dëshmuan se tri fetë solidarizohen duke dërguar mesazhin e unitetit.

“Në qytetin tonë nuk ka vend për urrejtje, dhunë dhe sjellje çnjerëzore. Në qytetin tonë, do të vazhdojmë të jetojmë së bashku në paqe. U bëj thirrje miqve tanë muslimanë, jemi të pikëlluar për atë se çfarë ju ka ndodhur. Fati juaj është fati ynë”, tha Schostok.

Recep Bilgen, i cili priti delegacionin, shprehu falënderime për vizitën në xhaminë e muslimanëve.

“Duhet të jemi njëzëri dhe të themi hapur se urrejtja nuk ka vend midis nesh. Të gjithë jemi pjesë e një bashkësie, jemi njerëz pavarësisht dallimeve tona. Prandaj, duhet së bashku të luftojmë ndarjet në shoqërinë tonë, kundër racizmit, antisemitizmit dhe Islamofobisë”, tha Bilgen./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne