Ministri i brendshëm i Kosovës jep dorëheqje, thotë se nuk e dinte vlerën e gylenistëve

Flamur Sefaj i është përgjigjur kryeministrit Ramush Haradinaj duke dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme, pas  arrestimit dhe depërtimit të gjashtë shtetasve turq në Turqi.

Kjo është bërë e ditur nga partia e Sefajt, Aleanca Kosova e Re, përmes një komunikate për medie, transmeton Ekonomia Online.

“Në letrën e dorëheqjes, ministri Sefaj e ka informuar kryeministrin e Kosovës në detaje lidhur me procesin e deportimit të shtetasve turq dhe përfshirjen e tij në zbatim të ligjit në atë proces”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Aty thuhet se Sefaj nuk ka qenë faktor vendimmarrës në këtë rast dhe se vetëm ka zbatuar ligjin përkitazi me kërkesën së AKI-së.

Ndërsa sa i përket informimit të kryeministrit për këtë proces, në komunikatë theksohet se AKI-ja është e obliguar që t’i raportojë kryetarit të Qeverisë.

Sipas komunikatës, Sefaj nuk ka qenë fare në dijeni për atë se çka përfaqësojnë ata persona, por vetëm ka zbatuar ligjin.

“Për hir të opinionit bëjmë me dije se Ministri Sefaj nuk ka qenë faktor vendimmarrës dhe vetëm ka zbatuar ligjin përkitazi me kërkesën së AKI-së, institucion ky i cili sipas Kushtetutës ka vlerësuar se personat e lartcekur përbëjnë rrezik për sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës. Sa i përket informimit të Kryeministrit për këtë proces, AKI obligohet me ligj që t’i raportojë në të njëjtën kohë Kryeministrit, prandaj duhet të sqarohet nëse kjo ka ndodhur apo jo. Ministri Sefaj nuk ka qenë fare në dijeni se çka përfaqësojnë ata persona, por vetëm ka zbatuar ligjin i cili aktivizohet në rastet kur AKI vlerëson se po cenohet siguria shtetërore e Kosovës”, thuhet tutje në komunikatën e AKR-së.

Partia e Behgjet Pacollit thotë se Flamur Sefaj vazhdimisht ishte i vendosur për të mbrojtur Kushtetutën e Kosovës.

Këtu përmendet rasti i arrestimit të shefit të së ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili hyri ilegalisht në vendin tonë.

“AKR vlerëson jashtëzakonisht lartë punën dhe angazhimin e z.Sefaj në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ministri Sefaj, në vazhdimësi ishte i vendosur në mbrojtje të Republikës dhe Kushtetutës së vendit, sikur në rastin e ndalimit të Marko Gjuriq, i cili hyri jashtëligjshëm në territorin e Kosovës si dhe shumë detyra tjera, ne menyre institucionale e dinjitoze me pergjegjesi e rrespekt ndaj shtetit, ne rend te parë”, përfundon komunikata.

Kryeministri Haradinaj ditë më parë i liroi nga detyra, ministrin e MPB’së, Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashin. Për dallim nga Sefaj që tashmë ka pranuar lirimin nga detyra, një gjë të tillë nuk e ka bërë Driton Gashi.

Për shkarkimin e këtij të fundit, duhet të jap pajtimin e tij edhe presidenti Hashim Thaçi.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne