Ministri i ri mbledh drejtorët e policisë: Mos guxoni të dilni në fushatë

Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj ka zhvilluar një takim me drejtuesit kryesorë të Policisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku përcolli disa mesazhe dhe shpalosi prioritetet kryesore të mandatit të tij.

Ministri teknik ka kërkuar mospjesëmarrjen dhe mos përfshirjen e Policisë së Shtetit në aktivitetet e partive politike dhe fushatës zgjedhore.

“Cilido person me uniformë dhe pa uniformë pjesë e strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që përshihet në fushata duke shkelur parimet kushtetuese dhe ligjet që garantojnë procesin zgjedhor, do të mbajë përgjegjësi administrative dhe penale me largim nga detyra dhe ndjekje penale”, është shprehur ai.

“Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike është vepër penale dhe dënohet me burgim”, ka kujtuar Demiraj.

Porosia tjetër e ministrit të PD për vartësit ishte ashpërsimi i luftës kundër kanabisit. Ai tha se duhet të vijojë intensifikimi në luftën ndaj fenomenit, sidomos në parandalimin e saj në mbjellje apo kultivim. “Kontrolli i territorit është detyrë që çdo individ me uniformë policore duhet të angazhohet maksimalisht. Çdo tolerim ndaj këtij fenomeni do të penalizohet rreptësisht. I gjithë zinxhiri drejtues i policisë së shtetit do të mbajë përgjegjësi sipas përcaktimeve të ligjit’, tha ai, njofton zyra për mediat e Ministrisë së Brendshme.

Në fund, Demiraj kërkoi angazhim maksimal nga Policia e Shtetit për të garantuar rendin dhe qetësinë publike gjatë këtij sezoni veror dhe një përqendrim të veçantë në drejtim të parandalimit të aksidenteve dhe përmirësimit të qarkullimit rrugor.

Ministri i Punëve të Brendshme Demiraj garantoi mbështetjen e tij edhe për modernizimin e reparteve të policisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne