Ministri i Jashtëm i Palestinës: Vendimi i SHBA-ve për largim nga UNESCO “iniciativë për politizim”

Ministri i Punëve të Jashtme të Palestinës, Rijad Maliki tërheqjen e SHBA-ve nga Organizata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) e vlerësoi si “iniciativë për politizim” të aktiviteteve të organizatës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Maliki në një deklaratë me shkrim, të transmetuar në agjencinë zyrtare të lajmeve palestineze WAFA tha se “Vendimi i SHBA-ve është dëshpërues dhe një iniciativë për politizimin e aktiviteteve të kësaj organizate të rëndësishme”.

Ai theksoi se është “dëshpëruese” marrja e këtij vendimi në bazë të arsyetimeve dhe logjikës së gabuar.

“Akuza e drejtuar ndaj UNESCO-s se ‘ka qëndrim anti-izraelit’ është ‘i gabuar dhe i papërgjegjshëm’. Iniciativa për t’i ofruar mbrojtje absolute Izraelit përkundër përgjegjësisë për llogaridhënie dhe masave ligjore të cilat aplikohen për të gjitha shtetet të lidhura me ligjin, është e rrezikshme dhe mashtruese. Kjo iniciativë do të ketë efekt të kundërt”, deklaroi Maliki.

Sipas tij, “vendimet e UNESCO-s reflektojnë vullnetin dhe mendimet kolektive të shteteve anëtare dhe se një shtet nuk ka të drejtë të sfidojë ose të ndryshojë këtë politikë”.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se SHBA-ja është larguar nga UNESCO për shkak të “qëndrimit anti-izraelit” dhe “nevojës së reformës strukturore”.

“Departamenti Amerikan i Shtetit më 12 tetor 2017 ka përcjellë te Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s Irina Bokova, vendimin për largimin nga UNESCO dhe vendimin për të qenë vëzhgues i përhershëm në këtë institucion. Ky nuk është një vendim i lehtë, por është reflektim i shqetësimeve të SHBA-ve për vazhdimin e qëndrimit anti-izraelit dhe nevojës së reformës strukturore në institucion”, thuhej në deklaratë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne