Ministri turk: Greqia është kthyer gati në qendër grumbullimi të kriminelëve

Ministri turk i Drejtësisë, Abdulhamit Gul, deklaroi të shtunën se Greqia është kthyer gati në qendër grumbullimi të kriminelëve.

Abdulhamit Gul i dërgoi një letër homologut të tij grek, Stavros Kontonis, në shenjë reagimi ndaj vendimit të Këshillit të Shtetit të Greqisë për të rilënë të lirë përkohësisht me kusht kontrolli të dyshuarin Suleyman Ozkaynakçi, një nga 8 puçistët e arratisur në këtë vend pas tentativës së dështuar për grusht shteti dhe që Ankaraja i kërkon Athinës t’i ekstradojë.

Në këtë letër, ministri turk i Drejtësisë rikujton se 8 ish-ushtarakët në fjalë, pjesë e grupit të terroristëve që martirizuan 251 persona dhe plagosën mbi 2.000 të tjerë gjatë tentativës për grusht shteti të FETO-s më 15 korrik 2016, janë arratisur në Greqi duke grabitur një helikopter nga ushtria turke.

“Kemi mësuar me hidhërim lirimin e një terroristi”, thekson ai duke shtuar se kërkesa e Turqisë për ekstradimin e këtyre 8 personave është refuzuar për të tretën herë nga autoritetet greke.

Gul shpjegon se Greqia, si një vend fqinj dhe mik, ishte ndër shtetet e para që deklaroi se nuk e pranonte kurrsesi, e vlerësonte të paligjshme dhe e dënonte tentativën për grusht shteti kundër demokracisë, institucioneve demokratike, presidentit dhe qeverisë së zgjedhur në Turqi; ndërsa në procesin në vijim kanë vënë re se Greqia filloi t’i mbronte terroristët dhe të mbante një qëndrim mikpritësi të tyre, gjë që errëson solidaritetin ndërmjet dy vendeve.

Ai tërheq vëmendjen se deklaratat e ministrit Kontonis, të cilat sinjalizojnë se ish-ushtarakët puçistë do të lirohen, mbështesin terrorizmin dhe autorët e akteve terroriste.

Shefi i drejtësisë turke përmend gjithashtu faktin që një numër i konsiderueshëm gjykatësish e prokurorësh anëtarë të FETO-s, si dhe disa pjesëtarë të tjerë të kësaj organizate terroriste, janë kapur në tentativë për t’u arratisur në Greqi.

“Një diçka që kemi vërejtur qysh nga tentativa për grusht shteti e këtej, është se Greqia rezulton një port i sigurt për kriminelët e vendit tonë. Dihet që në gati 2 vite kohë, anëtarët me duar të përgjakura të organizatave terroriste në vendin tonë strehohen në Greqi, kalojnë ose kapen në përpjekje për të kaluar në Greqi me rrugë ilegale. Greqia është transformuar gati në qendër grumbullimi të kriminelëve”, vlerëson ministri turk.

Më tej, Abdulhamit Gul nënvizon se ish-ushtarakët puçistë duhet t’i dorëzohen Turqisë dhe drejtësisë turke.

“Duam të shohim që mbështetja, të cilën Kryeministri Alexis Tsipras dhe qeveria greke nëpërmjet tij i dha Turqisë pas tentativës terroriste për grusht shteti, të mos mbetet vetëm në fjalë. Hapi i parë për këtë është të shpallet se terroristët puçistë s’mund të qëndrojnë në Greqi dhe në vijim të ekstradohen urgjentisht në vendin tonë. Pres që të merrni iniciativën duke deportuar terroristët, që nuk duhet të gjejnë mbrojtje në asnjë vend të botës. Është domosdoshmëri e së drejtës ndërkombëtare që të shohim se këta terroristë nuk janë të mbrojtur. Është një akt i detyrueshëm i luftës së përbashkët kundër terrorizmit. Është qëndrimi që duhet të mbajë çdo vend, i cili e konsideron veten shtet ligjor. Unë besoj se asnjëri prej nesh nuk dëshiron që kjo çështje të mbetet si një plagë ndërmjet popujve tanë”, shprehet ministri turk i Drejtësisë në fund të letrës në adresë të homologut të tij grek./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne