Të ardhurat e qeverisë shqiptare për periudhën janar-gusht qenë 4.5 miliardë lekë (32 milionë euro) më pak se sa plani i përcaktuar në fillim të vitit, ku muaji gusht më vete shënoi një deficit prej 3.2 miliardë lekësh, bëhet e ditur nga të dhënat statistikore të publikuara nga Ministria e Financave.

Ministria e Financave ka realizuar të ardhura në përgjithësi në përputhje me planin e këtij viti për periudhën janar-korrik, por ndarja e të ardhurave vjetore sipas muajve tregon se plani është ndjeshëm më i lartë në pjesën e mbetur të vitit në krahasim me fillimin e saj.

Të ardhurat e muajit gusht qenë 32.6 miliardë lekë nga 35.8 miliardë qe qe parashikuar në plan. Pjesa më e madhe e deficitit duket se është shënuar në të ardhurat nga fondet speciale, ku përfshihen pagesat për sigurime shoqërore e shëndetësore ndërsa deficit kanë krijuar edhe të ardhurat nga Pushteti Vendor. Të ardhurat tatimore të qeverisë kanë shënuar gjithashtu deficit. Për muajin gusht më vete, tatimet dhe doganat mblodhën 883 milionë lekë (6.3 milionë dollarë) më pa se sa plani.

Plani i të ardhurave të qeverisë për vitin 2016, i përgatitur vitin e kaluar, parashikon të ardhura mesatare mujore prej 35 miliardë lekësh, por plani mujor varion nga 27.5 miliardë në muajin mars në 41 miliardë në muajin dhjetor, me një tendencë të dukshme rritëse për pjesën e mbetur të vitit. Për rrjedhojë, ekziston rreziku që deficiti në të ardhurat në krahasim me planin të vijojë të rritet në muajt në vazhdim.

E paaftë për të shpenzuar

Pavarësisht deficitit në të ardhura në krahasim me planin, buxheti i shtetit është aktualisht me suficit, një fenomen i panjohur për Shqipërinë që nga viti 2006, kur qeveria e atëhershme, e sapoardhur në pushtet, kishte vështirësi në realizimin në kohë të shpenzimeve.

Për periudhën janar-gusht, shpenzimet e qeverisë qenë 13,7 miliardë lekë më pak se sa të ardhurat, ndërkohë që plani vjetor është për të realizuar një deficit prej 50 miliardë lekësh. Gjergj Erebara/BIRN2626

21