Ministrit Bardhi: Mungojnë 300 byzylykë të të dënuarve

Ministri i Drejtësisë Gazment Bardhi ka lëshuar alarmin se, institucionit të tij i mungojnë 300 byzylykë për mbikëqyrje elektronike, të personave që kanë masa ndaluese për shkak të kryerjes së veprave penale.

Sipas shkresës, që Bardhi ia drejton bashkimit të operatorëve, në mars të këtij viti Ministria ka marrë në dorëzim prej tyre 300 byzylykë të mbikëqyrjes elektronike, së bashku me kartat SIM, me një vlerë prej afro 2 milionë euro.

Në shkresë thuhet se, këto pajisje ia ka kaluar për administrim sallës së mbikëqyrjes elektronike pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Provës. Por ky dorëzim, sipas ministrit është bërë pa kryer procedurat ligjore të kalimit të kapitalit, nga aparati i Ministrisë së Drejtësisë te Shërbimi i Provës.

Ndërkohë, në daten 11 prill të këtij viti, Shërbimi i Provës nëpërmjet një akti dorëzimi me numër protokolli 834, i ka dërguar 300 byzylykët elektronikë sërish bashkimit të operatorëve. Nga ana tjetër, këto të fundit, kërkesës së ministrit Bardhi për t’i kthyer mbrapsht byzylykët i janë përgjigjur se kontrata për shitjen e tyre është zbatuar njëherë dhe se Ministria e Drejtësisë i ka marrë në dorëzim. Gjithashtu se kërkesa e Bardhit është abuzive për të vënë nën presion bashkimin e operatorëve për qëllime korruptive.

Por pavarësisht kësaj korrespondence, ministri Bardhi konstaton se institucionit që drejton i mungojnë 300 byzylykë, me një vlerë prej 2 milionë eurosh dhe se dokumentacioni tregon se këto pajisje po administrohen në mënyrë të paligjshme nga bashkimi i operatorëve dhe jo nga Ministria e Drejtësisë që i ka blerë. Për këtë arsye, Bardhi ka paralajmëruar se në rast të mos kthimit të 300 byzylykëve, çështja do t’i referohet Prokurorisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne