Qeveria Rama-Meta ka realizuar një sërë reformash në 4 vitet e qeverisjes. Kryefjala e reformave të realizuar është ajo në arsim.
Këtë e ka shprehur ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi në emisionin e mëngjesit në “News24”.

Përpos arritjeve gjatë 4 viteve të qeverisjes, ministrja Ekonomi ka përmendur edhe ato reforma që nuk janë realizuar plotësisht. Ajo tha se duhet të punohet më tej për reformën në shëndetësi, dhe për fuqizimin e rolit të gruas.

Sakaq, ministrja përmendi si një premtim të parealizuar plotësisht krijimin e 300 mijë vendeve të punës.

Ekonomi tha se në programin e PS për qeverisjen në 4 vitet e ardhshme, parashikohet të realizohen këto objektiva.

“Jo vetëm unë, por të gjithë ne që kandidojmë për listën e PS në Durrës përpiqemi të japim pjesë nga programi Shqipëria 2021. Ndalemi tek reformat e arritur dhe më pas tregojmë ato që duam të arrijmë. Në këto muaj kemi renditur punën tonë në 10 reforma. Me reformën në drejtësi treguam një angazhim të madh, dhe një kokëfortësi shqiptare, që e nisëm dhe dot a çojmë deri në fund. Me rëndësi është padyshim edhe reforma e re territoriale. Me interes ka qenë edhe reforma për rritjen e rolit të gruas. Jemi të ndërgjegjshëm për disa gjera që nuk i realizuam dot.

Reforma për fuqizimin e gruas duhet të ecë më tej. Po kështu edhe reforma në shëndetësi nuk është ajo që duam, dhe në këtë drejtim do të vijojmë më tej. Nuk mundëm të realizonim objektivin për 300 mijë vende pune. Ne arritëm të krijonim vende pune për 183 mijë vetë, dhe sistemuam në zyrat e shërbimit të punësimit rreth 45 mijë vende pune që kanë nevojë të përmbushen me profesionistë. Dhe kjo do të vazhdojë në programin e ardhshëm. Vëmendja jonë do të jetë drejt bujqësisë, punësimit dhe industrializimit të vendit”, tha ministrja Milva Ekonomi.

7