Ministrja Kumbaro provokon bashkëjetesën ndërfetare

Ministrja e Kulturës Kumbaro nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, në faqet e Ministrisë së Kulturës dhe të sajin personal, ka bërë postimin show të radhës, ku njofton duke shkruar se, ‘Prezantuam projektin e rehabilitimit të plotë të Memorialit të varrit të Skënderbeut në Lezhë, në rrënojat e Kishës së Shën Kollit, i cili ka nevojë për ndërhyrje të thella rehabilituese dhe restauruese. Puna fillon së shpejti.’

Në këtë postim ajo e quan monumentin e kulturës, sot Mozeleumi i Skenderbeut, si Kisha e Shën Kollit. Në fakt Shqipëria njihet prej shekujsh si vend i bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare, e për këtë mburremi në tërë botën. Shqiptarët ndër shekuj ditën ta ruajnë këtë harmoni, duke e pranuar tjetrin siç është. Shumë objekte kulti ndërruan identitet me konvertimin e shqiptarëve në besime të ndryshme në mënyrë të natyrshme. Kështu shumë faltore pagane, u kthyen në kisha, kur shqiptarët u kristianizuan. Më pas u ndanë në kisha katolike dhe ortodokse dhe më pas disa prej tyre me islamizimin e plotë të popullsisë, ato u shndërruan nga vetë banorët në xhami, apo faltore islame. E tillë ishte edhe kisha e Shën Kollit, e cila me islamizimin e qytetit të lashtë të Lezhës u shndërrua dhe u njoh si xhamia Selimije, duke shërbyer për 500 vite me radhë si xhamia kryesore e qytetit për qytetarët lezhianë. Ajo kishte një minare mjaft elegante dhe restaurim plot finesë të shek. XX, duke u bërë objekt i shumë fotove të Marubit, deri në kohën e komunizmit, ku me mbylljen e institucioneve fetare, sistemi ateist ndërtoi mitin e ri të nacionalizmit dhe bazuar në disa hipoteza dhe gojëdhëna se Skenderbeu mund të jetë varrosur, diku pranë kësaj faltoreje me urdhër të Mehmet Shehut u shemb çatia, minarja dhe muret deri në gjysmë të xhamisë Selimije, duke lënë përshtypjen e një rrënoje, ashtu siç e beson edhe sot ministrja e Kulturës.

Në fakt nuk është e para herë që znj. Kumbaro dhe qeveria e saj provokojnë bashkëjetesën, siç ishte edhe rasti i kishës së Himarës, prishjes së murit rrethues të Katedrales ortodokse, xhamisë së kalasë së Shkodrës, lënia pas dore e xhamive shekullore, si xhamia Ethem bej në Tiranë e të tjera të mbetura nga regjimi i etërve të saj komunistë.

Ky ishte provokim, për të cilin pritet një reagim edhe nga drejtues të Komunitetit Mysliman të zonës së Shkodrës dhe Lezhës.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne