Misteri i luftëtarëve të organizatës terroriste ISIS… Ku “u zhdukën” hordhitë e saj dhe ushtria e saj e panumërt?

“Megjithë vrasjen e një numri të tyre, mijëra të tjerë mbijetuan dhe mundën të largoheshin nga Siria. Sot është e sigurt se një numër i tyre ndodhen në Ballkan, ku qëndrojnë larg nga qendra e vëmendjes, duke pritur një shans për t’u infiltruar në Evropë.” *Bruce Hoffman, studiues amerikan i specializuar në çështjet e terrorizmit.

Dr. Nebil Najili*

Analistët dhe strategët kanë konfirmuar tashmë se luftëtarët e organizatës terroriste ISIS (DAISH) – në radhët e saj u përfshinë rreth 40 mijë luftëtarë të huaj (!) – iu bashkuan asaj organizate pasi ajo bëri thirrje për “kalifatin” e të ashtuquajturit “Shteti Islamik në Siri dhe Irak” (ISIS). Pavarësisht nga sulmet e koalicionit ndërkombëtar, avionëve luftarakë rusë dhe sulmeve të ushtrisë siriane, ka disa që ende vazhdojnë të na shurdhojnë veshët me këtë shifër. Atëherë, si dhe ku janë “zhdukur” nga veshët lajmet e këtyre hordhive?! Si dhe ku janë fshehur nga faqet e raporteve dhe tabelave statistikore?! Nëse supozojmë se mijëra apo qindra prej tyre luftuan së fundi për të mbrojtur bastionin e tyre të fundit, çfarë ndodhi me të tjerët?! Cilat janë arenat e tjera tek të cilat janë transferuar – me hir apo me pahir -, apo tek të cilat janë dërguar ose janë detyruar që t’i pranojnë, në mënyrë që të mos lihen në dorë të vdekjes së pavlerë tani pasi përfunduan misionet e tyre të pista në Siri dhe Irak dhe pasi nuk janë më të mirëpritur në burgun e Guantanamos si afganët, apo pasi nuk mund të gjenden për ta “pika të zeza” (Black Sites)?!

Gjithashtu, edhe “ekspertët” amerikanë kanë pranuar para naivëve apo skeptikëve se ata luftëtarë “nuk janë asgjësuar të gjithë në luftime, pavarësisht vrasjes së një numri të madh të tyre në fushatat e bombardimeve ajrore intensive” dhe se ata tani “përbëjnë një kërcënim – lexo: një burim shantazhi – të madh në muajt dhe vitet e ardhshëm”.

Seth Jones, drejtori i Qendrës Ndërkombëtare për Siguri dhe Mbrojtje në korporatën studimore Rand Corporation, shtron pyetjet e ndërgjegjshme vijuese: “Sa është numri i të vdekurve? Sa prej tyre janë ende gjallë, gati për të vazhduar luftën?” duke shtuar: “Sa prej tyre kanë hequr dorë nga lufta ose shkuan diku tjetër për ta vazhduar atë? Unë nuk jam në dijeni të vlerësimeve të besueshme.”

Sipas disa informacioneve të cituara nga burime evropiane, disa prej atyre që flasin frëngjisht kanë kaluar në Evropë nëpërmjet Turqisë duke shfrytëzuar situatën e kaosit që mbizotëronte në Siri dhe në disa zona të tjera duke shfrytëzuar marrëveshjet e evakuimit të cilat u negociuan me fraksionet kurde “për të hedhur poshtë armët dhe për t’u integruar me turmat e refugjatëve civilë të cilët do të tuboheshin masivisht nëpër kampe në të gjithë rajonin”.

Madje edhe dëshmitë e disa kontrabandistëve në kufirin sirian-turk konfirmuan se “flukse luftëtarësh nga organizata terroriste synojnë të hyjnë në Turqi duke u paguar shuma të mëdha kontrabandistëve”; kjo, nëse ekipet e operacioneve speciale nuk i shohin dhe nuk i likuidojnë!

Të tjerë zgjodhën Libinë, vendet e Sahelit, Afganistanin, zonat fisnore të Pakistanit, Somalinë dhe Jemenin, ose në përgjithësi, vendet që disa “diplomatë” dhe “ushtarakë” të ngjyrave i konsiderojnë “zona gri” (gray zones) në botë!

Dikush mund të pyesë se ku janë këto “zona gri” apo shumica e tyre? Dhe pse në to instalohen dordolecë, apo trajtohen si vjega apo justifikime për ndërhyrje ushtarake “humanitare” duke i kthyer ato në shtete të dështuara dhe në terrene për ushtritë e gjeneratës së katërt të luftërave? Apo në karta presioni mbi fuqitë rivale në rritje për aq kohë sa ne jemi bërë fushë dhe gurë shahu të cilat kombet i hedhin sa andej këndej?!

A vazhdon ende të pyesë veten dikush se si këto organizata veniten për të pjellur të tjera? I çuditshëm ky mazokizmi juaj kronik!!!

* Autori është hulumtues në mendimin strategjik amerikan në Universitetin e Parisit. Ky opinion i tij është publikuar më datë 16.12.2017 në gazetën elektronike “Ra’jul Jeum”./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne