Bislim Lakna

Kohët e fundit kemi parë të qarkullojnë në rrjetet sociale fotografi dhe postime të pafundme nga llogaritë tejet aktive të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe të kryeministrit Edi Rama: punimet, sukseset, arritjet, takimet, përurimet, të gjitha të kuruara vizualisht dhe estetikisht sikur të ishin fotografi të një fushate marketingu. Nuk është për t’u habitur, pasi ky është qëllimi i vetëm i gjithë këtij mobilizimi të jashtëzakonshëm të sektorëve të medias dhe komunikimit pranë qeverisë: propaganda dhe marketingu.

“Si fillim, nuk ka gjë më acaruese se një heroizëm pa objekt.” – thotë filozofi dhe kritiku i njohur francez Roland Barthes te njëra nga esetë e librit “Mitologjitë”. Do doja ta nisja me këto fjalë sepse çdo ditë e më shumë po shohim që t’na krijohet miti modern i heroit shpëtimtar, përmes imazhit të një “superkryetari”, siç e ka shprehur tashmë në mënyrë metaforike në një paraqitje publike ku na shfaqet i veshur me bluzën e “Superman”-it, e gjitha kjo në funksion të pushtetit, asgjë më shumë, pa objekt.

Kryefjalë e propagandës së ditëve të fundit ka qenë Pazari i Ri dhe sheshi “Skënderbej”. Foto, fjalime, emisione të tëra u përkujdesën të na kujtojnë orë e minutë marifetin e paparë ndonjëherë të projekteve që kalojnë përmasat e aftësive tona imagjinare. Mirëpo në këtë valë ne duam të sjellim ndër mend diçka tjetër. Nuk ka kaluar shumë kohë nga vdekja e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj dhe e gjitha u harrua, madje edhe pasi kryetari Veliaj u pa në drekë “pune” me kryeprokurorin e Tiranës, i cili supozohej se do të hetonte rastin, në të cilin padyshim palë është edhe Bashkia, si aksionere në landfillin ku ndodhi tragjedia. “Superkryetari” asnjëherë nuk dha përgjigje direkte në lidhje me rastin. Fjalët e tij në lidhje me rastin nuk dolën as edhe një shkronjë përtej frazave të zakonshme, bajate me frymën e shenjtë institucionaliste, ku sigurohen qytetarët se çështja është në duart e drejtësisë dhe gjykata do të thotë fjalën e vet. Gjykata e kujt, e kryeprokurorit të sipërpërmendur?! Faleminderit, por nuk i besojmë.

Nuk mund të harrohet lehtë edhe zhurma që u bë për parkun prej betoni brenda Parkut të Liqenit. Protestat, përplasjet, debatet, shoqërimet nëpër komisariate, ofendimet e paskrupullta drejtuar protestuesve, qëndresa paqësore disajavore në park — të gjitha u harruan. U harruan edhe paralajmërimet e protestuesve se parku prej betoni ishte vetëm hapi i parë i madh drejt shkatërrimit përfundimtar të krejt parkut nga mafia e betonit. Sot, pas rreth një viti, në park janë kryer disa ndërhyrje, të gjitha alla-beton. Hiq barin natyral, shtro beton, hidh bar artificial sipër. Me këto ritme pune, e ardhmja e Liqenit të Tiranës, si e vetmja oazë e gjelbër e qytetit është në pikëpyetje.

Një nga aktivistët e Organizatës Politike ka publikuar së fundmi një fakt interesant, i cili vetëm se e përmbushi edhe më shumë sagën e çudirave mediatike që bën kryetari me batalionin e tij për media dhe komunikim. Sipas këtij publikimi del që brenda një jave, ku kryetari ishte vetëm 2 ditë në Shqipëri dhe pjesën tjetër të javës ishte jashtë vendit, në profilin e tij janë postuar mbi 5 takime të ndryshme me qytetarë, sigurisht takime të bëra kushedi se kur, mbase për të na kujtuar që kryetari është me qytetarët edhe kur nuk është aty. Të mos harrojmë edhe faktin që Bashkia dërgon lajme dhe kronika të gatshme nëpër media. Një ekip prej afro 50 vetësh punojnë ditë e natë për imazhin e kryetarit. Fasada është elementi më i rëndësishëm i këtij pushteti. Sepse kur mungon përmbajtja, tentohet fasada. Kjo është motoja e kësaj qeverisjeje.

Në vazhdën e punëve “grandioze” nuk shpëtuan të paprekur të varfrit. Normalisht që të gjitha maskaradat do të bëheshin në kurriz të tyre. Sidomos romët e Bregut të Lumit, të cilët së fundmi e pësuan më së shumti. Shtëpizat e tyre u shkatërruan në emër të zgjatimit të bulevardit. Bashkia asnjëherë nuk i mori seriozisht, madje zëri i tyre u heshtua dhunshëm. Për dëmshpërblimet? Të mos flasim fare! Edhe rastin e 500 familjeve të varfra që shisnin në tregun pranë Spitalit nr. 5, të cilëve një mëngjes të bukur bashkia ua rrënoi të gjitha tezgat dhe tendat në të cilat këta njerëz siguronin mbijetesën. E gjitha në emër të “modernizimit të vendit dhe luftës kundër zhulit”. Nuk u kursyen as shitësit ambulantë. Kujtojmë sa e sa raste të publikuara në rrjetet sociale ku shihen shitës të vegjël ambulantë duke marrë gjoba e duke iu konfiskuar sasia modeste e mallit nga Policia Bashkia, poashtu në emër të “luftës kundër zhulit”, si shkatërruesit kryesorë të ekonomisë së vendit, nënë Zylja me tjerët u shporr brutalisht nga rruga, nga mundësia e fundit për të siguruar mbijetesën në mënyrë të ndershme.

Një tjetër moment është rritja e çmimit të biletës së transportit publik, e cila u harrua shumë shpejt. Me premtimin e rritjes së cilësisë, pronarët e kompanive private kërkuan rritjen e çmimit të biletës. Si gjithmonë pushteti u vu në shërbim të kërkesës së biznesit privat në kurriz të qytetarit të varfër. Çmimi i biletës u rrit, ndërsa zallamahia nëpër autobusët urbanë është edhe më e madhe se përpara. Së fundi janë dëgjuar disa zëra si nën hundë për një tjetër rritje të mundshme çmimi. Pale çfarë perle do na ofrojnë si arsyetim kësaj radhe!

Më e dhimbshmja ndër të gjitha është abuzimi që bën kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kryeministri me fëmijët dhe me pleqtë. Çdo ditë foto me fëmijë nëpër duar, me pleq të rrënuar nga jeta që i buzëqeshin megalomanisë së kryeministrit apo kryetarit. Pedofili mediatike e kanë quajtur disa. E neveritshme! Abuzim deri në perversitet! Në një video përurimi të një parku për fëmijë, “superkryetari” na del duke luajtur futboll me fëmijët. Teksa pret në portë, ndal gjuajtjen e një fëmije 7-8 vjeçar. Ndërsa në sekuencën tjetër “superkryetari” bën gol dhe gëzon me fëmijët e tjerë. Mesazhi? Kryetari ynë i pagabueshëm, superior, “superkryeK…”!

Në shoqërinë e konsumit duhet përshtatur me logjikën e tregut dhe konkurrencës që të arrish sukses. Meqë politika në kohët e fushatës elektorale më shumë ngjan me një treg ku oferta janë premtimet dhe kërkesa janë nevojat e elektoratit, padyshim që në terma të tillë do të zhvillohet i gjithë diskursi politik dhe me të njëjtat gënjeshtra do të niseni drejt kutive të votimit e me të njëjtat probleme do të përballemi edhe për katër vitet e ardhshme.

“Superkryetari” po krijon në mënyrë anakronike mitin e heroit shpëtimtar duke vendosur gjithmonë si antipod nivelin e pushteteve të kaluara. Vetë fakti që këtë mit po provojnë ta ndërtojnë duke vënë në pah antagonizmin me qeverisjen mizerabël të PD-së, në vetvete tregon nivelin edhe të pritshmërive që mund të kemi ne nga ata dhe që kanë ata nga vetja e tyre. Mirëpo, le tu tregojmë të vërtetën, t’ju tregojmë që shpëtimtarët e vetëm të këtij vendi janë qytetarët e organizuar dhe jo kryetarët e mitizuar, janë të rinjtë e sinqertë e të revoltuar dhe jo servilët partiakë të nënshtruar, janë fshatarët e varfër e të bashkuar dhe jo biznesmenët e degjeneruar e të korruptuar, janë gratë dhe vajzat punëtore dhe jo gratë e politikës tuaj ditore. Shpëtimi vjen nga bashkimi i mendjeve dhe zemrave, vetëm kështu e ardhmja mund të na përkasë të gjithëve.

Ne na mbetet vetëm të kuptojmë që jeta në shoqërinë e kapitalizmit të egër nuk është aspak e thjeshtë. Secili nga ne e vuan në mënyra të ndryshme, por me një të përbashkët: jetesën pa dinjitet. Ne na shkelet dinjiteti nga kryetari që abuzon me pushtetin, me median, me detyrimin e vet për të na mbajtur të informuar, nga pseudoaktivisti që abuzon me kauza të stisura e servilizëm herë ndaj njërit politikan e herë ndaj tjetrit, nga pedagogu me intelektin mediokër dhe librin e kopjuar nga interneti, nga gjykatësi dhe prokurori i korruptuar, nga fëmija i ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë që fshin djersën me 500 eurot e vjedhura nga buxheti i varfër i popullit të dërrmuar. Shkurt, me ne, popullin, abuzon pothuajse secila figurë idiote publike. Me ne do të abuzohet shumë gjatë, mbase edhe përgjithmonë po s’e ngritëm zërin dhe s’u bashkuam e organizuam.

Dua ta mbyll me disa vargje nga Bertolt Brehti, i cili u thërret njerëzve t’i hapin sytë dhe të pushojnë së prituri që të ndodhin mrekulli. Mrekullitë nuk ndodhin vetvetiu. Në shoqëri mrekullitë vijnë vetëm duke ngritur krye: “Kush është gjallë ende të mos thotë: kurrë; E sigurta nuk është e sigurt; Kështu si është nuk do të jetë; Pasi kanë folur sundimtarët; Do flasin të sunduarit.”/ OP

14