Mitrovicë: në kërkim të Gazi Isa Beg-ut, xhamisë themeluese të qytetit

Nga Shkëlzen Rrecaj

Mitrovica, qyteti historik tashmë i ndarë, vuan mungesën e një prej monumenteve të saj më simbolike, më indentifikuese; atë që në fakt është pikënisja e këtij qyteti si dhe e shumë të tjerave në hapësirat shqiptare: xhamia.

Fig. 2 Pamje e qendrës së qytetit të Mitrovicës në vitit 1923. E dallueshme xhamia Gazi Isa Beg dhe sahat kulla.

Shqiptarët mitrovicarë vuajnë djegien vite më parë të xhamisë së Ibrit, ndanë urës kryesore; por po aq përvuajtëse është dhe rrafshimi dhe mosekzistenca e Gazi Isa Beg-ut.

Ndaj, së fundi ka një inisiativë për ta rikthyer atë, rindërtuar siç ka qenë, si shprehje e identitetit të Mitrovicës, historisë së saj.

Sami Isufi, studiues i arkitekturës islame dhe udhëheqës i dokumentimit të trashëgimisë arkitekturore islame të Kosovës, thotë se Mitrovica ishte ndër qytet më të rëndësishme të gjysmës së dytë të shekullit e XV. “Rëndësia ju rrit pas luftërave austro-osmane (1683-1699 dhe 1737-1739) dhe në veçanti pas ndërtimit të vijës hekurudhore në vitin 1874. Qyteti trashëgoi nga periudha osmane tetë xhami (pesë nga të cilat u rrënuan), një medrese me internat (e rrënuar), një hamam, një sahat kullë (e rrënuar) etj., si dhe shumë ndërtime tjera profane. Sot qyteti numëron nëntë xhami, së bashku me zonat kadastrale të Zhabarit dhe Shipolit.”

Pamje nga rrënimi i xhamisë Gazi Isa Beg në vitin 1926.

Por ç’ndodhi me Gazi Isa Beg-un në zemër të qytetit?

“Rrënimi i trashëgimisë kulturore filloi nga fund viti 1912 dhe vazhdoi deri në qershor të vitit 1999. Pa dyshim që më rënda nga tragjeditë që pësoi qyteti ishte ajo e vitit 1926, kur u rrënua me themel xhamia Gazi Isa Beg. E themi tragjedi, ngase ajo xhami paraqiste nukleusin e qytetit nga zuri fill i tërë qyteti këtu e pesë shekuj e gjysmë më parë”, sqaron Isufi.

E tani, siç thotë ai, është marrë një iniciativë për rindërtimin e saj dhe për vetëdijesimin e qytetarëve për nevojën e rikthimit në atë vend të këtij objekti me rëndësi të madhe identitare dhe historike.

Por sipas Isufit, shtetit nuk po shfaq gadishmërinë e nevojshme në mbëshetetje të kasaj inisiative

“Iniciativë ka, por sa jemi si shoqëri dhe në veçanti institucionet tona shtetërore të vetëdijshme për rëndësinë e rindërtimit të kësaj xhamië lë shumë për të dëshiruar”, theksoi Isufi.

Në gjykimin e tij, mjaft të merret në konsideratë se Mitrovica nisi jetësimin si qytet pikërisht nga ajo xhami, për të kuptuar se rindërtimi i saj është një akt patriotik, kulturor dhe historik.

Plani i gjerë i vendosjes – Pozita e përafërt e xhamisë Gazi Isa-Beg dhe Sahat Kullës. Me vija të ndërprera të bardha janë prezantuar kufijtë e përafërt të sheshit të sotëm Adem Jashari.

Më tej, problem është dhe fakti se dhe vetë qytetarët e Mitrovicës sot posedojnë shumë pak njohuri mbi ekzistencën dikur të saj, duke e ngatërruar me një tjetër xhami.

 “Çështja është komplikuar ca edhe me ndërlidhjen e kësaj xhamie me xhaminë fqinje, xhaminë Çelep Virdi, e njohur më shumë si Xhamia e Zallit apo së fundmi edhe si Xhamia e Çarshisë. E kemi shpjeguar në historikun e kësaj xhamie, por shkurtimisht historia e kësaj ndërlidhje apo thënë ngatërrimit të xhamisë Gazi Isa Beg me Xhaminë e Zallit ka të bëjnë me atë që pas rrënimit të xhamisë Gazi Isa Beg me materialin e rrënojave të saj ishte ndërtuar një aneks në xhaminë fqinje, Xhaminë e Zallit. Nga kjo edhe ju “vesh” në popull emri ‘Xhamia Gazi Isa Beg’ Xhamisë së Zallit. Fatkeqësisht edhe sot bëhet një ngatërrim i tillë dhe mendohet që është rindërtuar xhamia Gazi Isa Beg e që në realitet është rindërtuar xhamia ÇelepVirdi ose Xhamia e Zallit”, sqaron studiuesit Isufi.

Pamje e kompleksit Gazi Isa Beg, medreseja (majtas), minarja e xhamisë dhe sahat kulla (djathtas) rreth vitit 1920.

Historiku i shkurtër i Gazi Isa Beg-ut, xhamisë së Çarshisë

Mitrovica sipas defterit osman të krahinarit Isa Beg Is’haku(oviqi) të vitit 1455 kishte 2 shtëpi muslimane dhe 15 shtëpi të krishtera, dhe bënte pjesë në Vilajetin e Zveçanit.

Në dekadat e para të sundimit osman në Mitrovicë u ndërtuan dy mesxhide, njërin e ngriti komandanti i shquar i zonës kufitare Isa Beg Is’haku(oviqi) dhe tjetrin shërbëtori i tij, Hoshkadem Vojvoda.

Bërthama e vjetër e qytetit të Mitrovicës. Mesxhidi Gazi Isa Beg dhe Hoshkadem Vojvoda paraqisnin pikat nga zuri fill qyteza (kasaba) e Mitrovicës në gjysmën e dytë të shekullit XV.

Për Isa Beg Is’haku(oviqi) dihet mirëfilli se ka qenë komandant i krahinave osmane në Bosnje dhe themeluesi kryesor i qyteteve si: Sarajevë, Shabacë, Pazar i Ri dhe i Mitrovicës. Ai ka udhëhequr me  Nahijen e Shkupit dhe të Bosnjës prej 1454 – 1463 dhe me Sanxhakun e Bosnjës prej vitit 1464 – 1469 (1470) dhe ka dhënë kontribut të veçantë në zhvillimin e këtyre nahijeve.

Ndërtimi i mesxhidit (më vonë xhamisë) Gazi Isa Beg mund të jetë më së voni, në vitin 1469, tetë vite pas ndërtimit të xhamisë Sulltan Mehemed Fatih në Prishtinë. Gazi Isa Begu njihet po ashtu edhe si ndërtuesi i sahat kullës, hamamit dhe medresesë në Mitrovicë. Në këtë vazhdë Gazi Isa Begu më të drejtë duhet konsideruar themelues i qytetit të Mitrovicës. /tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne