Mjaft eksportuat amerikanizmin

A është më e mirë gjendja në Lindjen e Mesme me praninë e Shteteve të Bashkuara në rajon? Ku janë “demokracitë” e lulëzuara që Shtetet e Bashkuara pretenduan se dëshironin të krijonin atje me pushtimin e Irakut në vitin 2003? Por, për më tepër, kush i kërkoi Shteteve të Bashkuara të vinin në rajon dhe të fillonin eksperimentin e inxhinierisë sociale?

Amerikanizmi është ideja se kjo “mënyrë amerikane e jetesës” është një mënyrë ideale që duhet të miratohet nga vendet e “pazhvilluara” (jo perëndimore, domethënë). Sepse amerikanët mendojnë se “ndryshimi i regjimit” (i nxitur nga fuqia ushtarake e SHBA-së) do të sjellë demokracitë e mëdha në rajon. Kjo është në thelb një nga shtyllat e imperializmit amerikan në tërësi. Amerikanizmi ka vrarë më shumë qenie njerëzore në këtë planet që nga viti 2000 se çdo ide tjetër. Çdo problem në Lindjen e Mesme sot mund të gjurmohet drejtpërdrejt në burimin e tij në Uashington DC.

Shtetet e Bashkuara nuk janë ftuar në Lindjen e Mesme përmes një vote kolektive nga të gjithë në rajon. Unë dyshoj seriozisht se Shtetet e Bashkuara mund të fitojnë ndonjëherë një votim të tillë. Sepse e vërteta zbulon pikërisht atë që Shtetet e Bashkuara nuk dëshirojnë që pjesa tjetër e botës të dijë: Shtetet e Bashkuara janë një shoqëri thellësisht e copëtuar dhe jofunksionale që njeh më pak për “demokracinë” se sa për Lindjen e Mesme.

Si munden Shtetet e Bashkuara të mendojnë se Lindja e Mesme nuk i ka parë prej disa dekadash televizionet amerikane që përshkruajnë familje të ndara dhe jofunksionale që vazhdimisht ofendojnë njëri-tjetrin si diçka për të qeshur dhe për t’u shijuar si “komedi”? Pse do ta importonte dikush këtë në kulturën e tyre? Varfëria dhe të pastrehët janë parë në televizionin amerikan, përballë disa të privilegjuarve që jetojnë vetëm në pallate me 40 dhoma, dhe ende Shtetet e Bashkuara e përshëndesin këtë si një shoqëri ideale. Si munden t’i thonë pastaj Shtetet e Bashkuara botës se mënyra e tyre e jetesës është superiore apo më e mirë?

Në të vërtetë, ka shumë vende që sigurisht nuk duan asnjë të ashtuquajtur “mënyrë amerikane të jetesës” të importuar në shoqëritë e tyre. Tani, Shtetet e Bashkuara pëlqejnë t’i thërrasin këto vende “të prapambetura” ose “primitive”, dhe të nxjerrin në pah pabarazitë sociale në ato vende. Megjithatë, kjo vjen nga një komb i cili është një nga vendet e fundit që nuk ofron kujdes shëndetësor universal ndaj qytetarëve të vet. Kjo vjen nga një komb me miliona qytetarë që jetojnë në varfëri, gjë të cilën qeveria e tij e pranon. Kjo vjen nga një komb, presidenti i së cilit dëshiron të ndërtojë një kopje të Murit të Berlinit në kufirin e tij me Meksikën. Si mund të supozohet që Shtetet e Bashkuara t’i japin leksione botës për superioritetin e sistemit të tyre?

Shumë liberalë amerikanë tani sillen sikur të gjitha problemet janë shfaqur papritmas me zgjedhjen e Trumpit. Jo. Trumpi është thjesht fytyra më e re e hipokrizisë amerikane. Por kjo hipokrizi ka vazhduar për disa dekada përmes imperializmit amerikan, “ndryshimit të regjimit” (imperializmit), dhe korporatave amerikane që sjellin forcat e imperializmit ekonomik në vendet e tjera nën maskën e “një mënyre më të mirë jetese”. Në fakt, këto korporata vetë Shteteve të Bashkuara nuk i kanë dhënë asgjë veç pabarazisë në të ardhura, shkatërrimit të qyteteve, mediokritetit, monopolit dhe korrupsionit politik nëpërmjet financimit të kandidatëve. Si munden Shtetet e Bashkuara të ofrojnë diçka më të mirë për vendet e tjera kur nuk u ofrojnë asgjë qytetarëve të tyre?

Shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara mendojnë se e gjithë Lindja e Mesme thjesht po thërret për Walmart, McDonalds, Starbucks, dhe kështu me radhë. E cila, natyrisht, do të arrihet nëpërmjet “lirisë” së madhe që do të sillet me xhentilesën e një lufte të filluar nga Shtetet e Bashkuara. Ose të një lufte nga fondet dhe armët e Shteteve të Bashkuara. Si mund të sillet paqja nga zinxhiri i pafund i luftrave që Shtetet e Bashkuara nxisin në Lindjen e Mesme? Por, për më tepër, kush e tha njëherë se Shtetet e Bashkuara kanë të drejtë të ndërhyjnë në sovranitetin e vendeve të Lindjes së Mesme? Shtetet e Bashkuara nuk janë ftuar në Lindjen e Mesme. Askush nuk u tha të hynë dhe të shkaktojnë vdekjen e qindra mijëra njerëzve, në mënyrë që ne të mund të hanim Big Mac dhe të pinim kapuçino në Starbucks. Askush nuk e tha këtë. Përveç ndoshta propagandës që vjen nga CIA.

Amerikanët duhet të çlirohen nga kjo ide se “mënyra amerikane e jetesës” është më e mira. Nuk është. Amerikanët duhet të çlirohen nga ideja se e gjithë bota dëshiron të jetojë si amerikanët. Kjo nuk është e vërtetë. Dhe Amerika vetë duhet të çlirohet nga ideja që ‘ne mund ta udhëheqim gjithë botën’. Nuk mundemi. Dhe madje ne nuk kemi pasur as besueshmërinë morale për të drejtuar më mirë vendin tonë. Sepse ne kemi burimet për t’u kujdesur për të gjithë këtu. Dhe ne nuk e bëjmë.

Jack Perry

/ © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne