Mogherini dhe ministrat e BE-së shpërfillin samitin amerikan kundër Iranit

Shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini nuk do të marrë pjesë në një konferencë kundër Iranit-që do të mbahet nga SHBA në kryeqytetin polak të Varshavës në mes të shkurtit, thonë raportime të mediave iraniane dhe amerikane.

Një zyrtar i BE-së, i cili foli në kushte anonimiteti, i tha agjencisë së lajmeve IRNA se Mogherini nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në konferencë për shkak të axhendës së saj të ngjeshur.

“Mogherini në ato ditë do të jetë duke udhëtuar, prandaj prania e saj nuk është parashikuar”, i tha zyrtari korrespondentit të IRNA-s në Londër.

Gjithashtu edhe një zyrtar i lartë i BE-së e konfirmoi të enjten lajmin për IRNA, duke thënë se Mogherini nuk do të marrë pjesë në tubim për shkak të një angazhimi të mëparshëm, raportoi Wall Street Journal.

Takimi do të mbahet në Poloni më 13-14 shkurt si pjesë e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të rritur presionin botëror mbi Republikën Islamike.

Megjithatë, ministrat e shumë vendeve të Bashkimit Evropian ndoshta do të anashkalojnë samitin, raporton Wall Street Journal duke cituar disa zyrtarë.

Ekzistojnë “shumë paqartësi për pjesëmarrjen e shumë shteteve të tjera anëtare të BE-së në nivel ministror”, tha një zyrtar për gazetën.

Diplomatët evropianë kanë thënë ditët e fundit se Franca nuk ka gjasa që ta dërgojë ministrin e saj të jashtëm. Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania nuk kanë vendosur ende se kush do t’i përfaqësojë ata. Ministri i jashtëm i Luksemburgut tha se do ta humbiste eventin për shkak të një marrëveshjeje paraprake.

Një diplomat evropian tha se blloku nuk do që ti bashkohet një koalicioni anti-Iran.

Një grup aktivistësh në Shtetet e Bashkuara dhe nga vende të tjera nënshkruan kohët e fundit një peticion që i bërë thirrje vendeve evropiane për ta bojkotuar samitin anti-Iran.

Aktivistët e nisën peticionin që u kërkon vendeve evropiane mos marrje pjesë në samit në faqen e internetit të grupit anti-luftë Code Pink.

Më shumë se 3,400 njerëz deri tani e kanë nënshkruar peticionin online, i cili u kërkon vendeve të BE-së që ta anashkalojnë “konferencën luftarake” të Pompeos dhe “në vend të saj të mbajnë një tjetër duke përfshirë të gjitha kombet e rajonit, përfshirë dhe Iranin”.

Bashkimi Evropian është një mbështetës i fuqishëm i marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe kërkon të ndihmojë në mbarëvajtjen e lidhjeve ekonomike me Teheranin pavarësisht sanksioneve amerikane të rivendosura kundër Iranit, pas vendimit të Presidentit Donald Trump në maj për t’u tërhequr nga marrëveshja.

Mogherini ka drejtuar përpjekjet e BE-së për të mbështetur marrëveshjen e vitit 2015, e cila i ofroi Iranit lehtësim nga sanksionet në shkëmbim të hapave për të frenuar programin e tij bërthamor.

Samiti, i cili do të bashkë-organizohet nga Polonia dhe SHBA dhe që të zhvillohet në Varshavë, u njoftua gjatë udhëtimit të Pompeos në Lindjen e Mesme javën e kaluar.

Irani ka shprehur protestën e tij të fortë për samitin e planifikuar. Ministri i Jashtëm Mohammad Javad Zarif e ka denoncuar atë dhe e ka quajtur një “cirk të dëshpëruar kundër Iranit”.

Ministria e jashtme iraniane gjithashtu thirri përfaqësuesin polak në Teheran, Wojciech Unolt, për ti protestuar ndaj konferencës.

“Kjo është një masë armiqësore e Shteteve të Bashkuara kundër Republikës Islamike të Iranit dhe ne presim që Polonia të shmangë ndihmën ndaj SHBA-së në mbajtjen e konferencës”, i tha të dielën e kaluar Wojciech Unoltid një zyrtar i Ministrisë së Jashtme Iraniane.

Unolt dha shpjegime lidhur me samitin e ardhshëm dhe tha se ai nuk ishte kundër Iranit.

“Ai tha se qëndrimi i Polonisë është i ndryshëm nga ai i SHBA-së dhe nuk përputhet me vërejtjet e fundit të bëra nga zyrtarët amerikanë,” shtoi agjencia.

Megjithatë, zyrtari iranian e hodhi poshtë shpjegimin si të pamjaftueshëm, duke thënë se qeveria e Polonisë duhet që menjëher të kompensojë masën ose në të kundërt do shohë një Iran që do të marrë masa të ngjashme reciproke”./presstv/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne