Moratinos: Aleanca e Qytetërimeve nuk do të mbijetonte pa Turqinë

“Pa Turqinë, aleanca nuk do të kishte mbijetuar”, tha për Agjencinë Anadolli (AA) Miguel Moratinos, ish-ministër i Jashtëm dhe përfaqësues i lartë i OKB-së për Aleancën e Qytetërimeve.

“Turqia ka qenë një partner i angazhuar për të ruajtur aktivitetin dhe punën e aleancës”, shtoi ai.

“Nuk janë vetëm kontributet financiare, kontributet politike dhe diplomatike që janë thelbësore për ne. Kam marrë mbështetje të plotë nga qeveria e Turqisë”, theksoi Moratinos.

Ish-kreu i diplomacisë spanjolle gjendet në ditën e fundit të një vizite dyditore në Turqi me ftesë të ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.

Të dy diplomatët kishin një takim me dyer të mbyllura në kryeqytetin turk Ankara, të hënën.

Aleanca e Qytetërimeve është një iniciativë politike e bashkëfinancuar nga Turqia dhe Spanja, pasi u themelua në vitin 2005 nga ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan.

Moratinos u bë përfaqësuesi i lartë i iniciativës në janar.

Parandalimi dhe zgjidhja e konflikteve

“Duhet të vlerësoj presidentin e Turqisë (Recep Tayyip Erdogan), sepse gjatë vitit të fundit ai ka qenë i vetmi, madje edhe në rrethana të vështira, që ka këmbëngulur në ruajtjen e Aleancës”, theksoi ai.

“Tani ka filluar një kapitull i ri dhe natyrisht që kam marrë parasysh pikëpamjet e Turqisë”, shtoi Moratinos.

Ai tha se plani i tij është ta bëjë Aleancën më “të orientuar drejt rezultateve dhe më konkrete”.

“Përgjegjësia ime është të punoj në dy elemente kryesore. I pari është të punoj në diplomacinë parandaluese dhe i dyti në zgjidhjen e konflikteve”, shtoi përfaqësuesi i lartë i OKB-së për Aleancën e Qytetërimeve.

“Nëse ka një krizë, e krijuar nga keqkuptimi i fesë dhe qytetërimit kulturor, ne mund të kontribuojmë për një zgjidhje pozitive”, tha më tej Moratinos.

“Lidhur me parandalimin, ne duhet të ndryshojmë shoqërinë tonë. Duhet të punojmë në pesë fusha: Arsimi, të rinjtë, gratë, emigracioni dhe mediat”, theksoi ai.

Duke përmendur forumin e fundit global të Aleancës së Qytetërimeve në Nju-Jork, nëntorin e kaluar, Moratinos tha se tashmë kanë filluar të punojnë për forumin e nëntë global.

“Edhe pse nuk ka ende një vendim përfundimtar, forumi i ardhshëm do të mbahet në Afrikë”, përfundoi Moratinos. / AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne