“Mos kini frike nga poligamia”, ministri çeçen këshillon meshkujt rusë

Ministri çeçen për politikën etnike ka thënë se rusët duhet ti largohen hipokrizisë dhe të jetojnë hapur duke praktikuar poligaminë, nëse vërtet e ndjejnë nevojën për tu martuar me më shumë se një grua. Duke folur për këtë çeshtje ai hodhi poshtë njëkohësisht edhe raportimet e mediave se policët kishin marrë një urdhër ku u thuhej që të martoheshin me nga një grua të dytë.

“Burrat nuk duhet të tregohen hipokritë. Nëse në familjen tuaj e shihni të nevojshme që të keni më shumë se një grua, përveç gruas së ligjshme, këtë duhet ta bëni me ndershmëri dhe hapur. Burrat mund të martohen me një grua të dytë, të tretë dhe të katërt,” tha Djambulat Umarov për televizionin rus Dozhd (‘Rain’).

Ministri vuri në dukje se në Republikën e Çeçenisë, një vend kryesisht mysliman, ka më shumë gra sesa burra dhe nganjëherë një burrë martohet me dy, tre ose me katër gra, madje edhe pa i regjistruar në agjencitë shtetërore të regjistrimit. “Ne nuk e kundërshtojmë këtë pasi kjo është një gjë personale. Nuk ka asgjë të paligjshme në veprime të tilla dhe gjithçka bëhet me pëlqimin e ndërsjelltë dhe me vullnetin e të Plotfuqishmit,” u tha Umarov gazetarëve.

Në të njëjtën kohë, zyrtarët mohuan një lajm në të cilin Radio Liberty raportonte se nën kërcënimin e shkarkimit nga puna të gjithë oficerët e policisë çeçene ishin urdhëruar të gjejnë nga një grua të dytë brenda një muaji. Radio Liberty i referohej një mesazhi që kishte qarkulluar në Whatsapp i cili mendohej se kishte ardhur nga “njëri prej bosëve te policisë”.

Ministri Umarov shpjegoi se nëse do te ekzistonte një urdhër i tillë, kjo do të ishte një shkelje e ligjit dhe tha se gazetarët ishin marrë me shakanë e dikujt. “Nuk e di se ku e ka marre Radio Liberty këtë informacion. Ska dyshim se kjo nuk ka lidhje me realitetin, është absurditet,” tha ai.

Në prill të këtij viti lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, i mohoi raportimet e medias rreth planeve për legalizimin zyrtar të poligamisë, por shtoi se Islami ua lejon meshkujve muslimanë qe të kenë katër gra. Kadyrov tha: “Jo, une kurrë nuk e kam thënë këtë. Nuk jam unë ai që ja jap një leje të tillë myslimanit. I Plotfuqishmi tashmë e ka dhënë këtë lejë që burrat të kenë katër gra.”

Në të njëjtën intervistë Kadyrov sulmoi gjithashtu regjistrimin shtetëror të martesave duke e quajtur “hapin e parë të marrë brenda ligjit për të shkatërruar familjen”. Ai e shtjelloi qëndrimin e tij duke thënë se nevoja për të pasur një dokument që vërteton një bashkim martesor është shenja e parë e mungeses se besimit midis një burri dhe një gruaje.

Nuk ishte hera e parë që udhëheqësi çeçen ka mbrojtur publikisht poligaminë de facto dhe kritikoi institutin e martesës civile. Në një intervistë të vitit 2010 per RT, ai tha se tradita islame e poligamisë ul nivelin e imoralitetit dhe të prostitucionit. Në vitin 2017, ai përsëri tha për RT se ai personalisht e shikonte një njeri të martuar që kishte dashnore shumë herë më keq sesa poligaminë./rt/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne