Mosdekretimi i Lleshit, Rama i shkon Metës në Presidencë

Një ditë pas mosdekretimit të Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm, Kryeministri Edi Rama do të takohet me Presidentin e Republikës, Ilir Meta.

Takimi do të zhvillohet në Presidencë me kërkesë të vetë kreut të qeverisë. Takimi dypalësh vjen pas vendimit të kreut të Shtetit për të mos dekretuar propozimin e Ramës, Sandër Lleshi si zëvendësues i Fatmir Xhafajt

Ditën e djeshme kryeministri Rama iu është drejtuar me një mesazh edhe deputetëve, të cilëve iu kërkon të mos lëshojnë asnjë koment për vullnetin e treguar nga kreu i shtetit.

Mes tjerash, Rama shkruajti se shumica e ka për detyrë t’i dalë për zot  kushtetutës dhe qytetarëve, ndërsa politikën e cilëson si një lojë shahu, e cila nuk duhet harruar sipas Ramës.

“Lutem asnje lloj komenti askush per vendimin e Presidentit! Ne jemi shumica dhe ne kemi detyren t’i dalim Zot njerezve, vendit, Kushtetutes me maturi dhe vendosmeri. Politika eshte shah, mos e harroni”, thuhej në mesazhin e Kryeministrit drejtuar deputetëve.

Refuzimi i dekretimit

Zyra e shtypit njoftoi dje se presidenti Meta nuk e ka krijuar bindjen per te dekretuar Lleshin si minister te ri.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Z.Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”, thuhej ne njoftimin e shkurtër të Presidencës.

Një javë më parë, pikërisht të shtunën më 27 tetor, Rama njoftoi se kishte emëruar pas dorëheqjes së Fatmir Xhafaj, gjeneral Sandër Lleshin në postin e ministrit të brendshëm. Pak orë pas dorëheqjes, Meta dekretoi shkarkimin e Xhafajt, por jo edhe emërimin e Sandër Lleshit.

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne