Mostafa Mohammadi: Shqiptarë, më ndihmoni të liroj vajzën time

Nga: Ina Allkanjari 

Shqiptarë, më ndihmoni që të liroj vajzën time nga grupi i muxhahedinëve iranianë!”. Mostafa Mohammadi akuzon organizatën MEK se po i mban peng vajzën e tij. Reagimi i tij vjen një ditë pas publikimit të intervistës së Sommayeh Mohammadi, e cila këmbëngul se nuk është peng e muxhahedinëve dhe se nuk dëshiron t’i takojë familjarët e saj. Por, Mostafai shprehet se pas vajzës fshihet një grup radikal dhe çfarëdo akti që ajo bën në këtë organizatë, është e diktuar nga komanda e lartë ushtarake. “Nëse komanda muxhahedine i jep urdhër vajzës sime të bëhet kamikaze, ajo bëhet kamikaze. Nëse komanda i thotë do e dënosh babain tënd si armik, ajo duhet ta bëjë këtë. Letra që ju keni botuar në gazetën tuaj nuk është nga vajza ime, por nga komanda e lartë muxhahedine, e cila nuk do që vajza ime të dalë e lirë dhe të bashkohet me familjen e saj”, u shpreh Mostafa Mohammadi.

Ju insistoni se MEK mban peng vajzën tuaj prej 20 vitesh. Kjo gjë është mohuar nga Sommayeh, çfarë ju shtyn të mendoni se vajza po mbahet kundra dëshirës?
Vajza ime është peng i organizatës MEK. Organizata e muxhahedinëve iranianë është një organizatë ushtarake. Vajza ime është pjesë e kësaj strukture ushtarake, e cila anëtarët e saj i trajton si robotë. Vajza ime është pjesë e këtij grupi radikal dhe çfarëdo akti që ajo bën në këtë organizatë, është e diktuar nga komanda e lartë ushtarake. Nëse komanda muxhahedine i jep urdhër vajzës sime të bëhet kamikaze, ajo bëhet kamikaze. Nëse komanda i thotë do e dënosh babain tënd si armik, ajo duhet ta bëjë këtë. Letra që ju keni botuar në gazetën tuaj nuk është nga vajza ime, por nga komanda e lartë muxhahedine, e cila nuk do që vajza ime të dalë e lirë dhe të bashkohet me familjen e saj. Shumë dezertorë të organizatës që janë në Tiranë dhe kanë braktisur xhihadin e MEK-ut dëshmojnë që vajza ime nuk është e lirë. Ajo qëndron e izoluar në kampin xhihadist të Manzës dhe ne kemi parë vetëm letra të saj, që y lëshohen mediave.

Gjatë një interviste për ‘GSH’, vajza është shprehur se pas jush fshihet regjimi iranian. Ajo shprehet se ju jeni agjent i Ministrisë së Inteligjencës së një regjimi që e cilëson “vrasës”, si qëndron e vërteta?
Vajza ime është rrëmbyer nga MEK-u që kur ishte 17 vjeçe. Xhihadistët e MEK-ut e lanë pa mbaruar shkollën e mesme, pa shkuar në universitet, pa u martuar, pa u integruar në jetën kanadeze, pa bërë fëmijë e familje dhe tani pas 21 vjetësh në izolim, ju mendoni se vajza ime e di se kush jam unë? Ku e di vajza ime që unë jam një agjent iranian? Ajo është në burgun e muxhahedinëve si skllave prej 2 dekadash. Ajo nuk ka parë gjë tjetër me sy në këto 2 dekada, por vetëm luftë në Irak, jetë në mes të shkretëtirës dhe tani izolimin në kampin ushtarak të Manzës. Vajza ime sikur edhe muxhahedinët e tjerë në këtë kamp nuk shohin televizor, nuk kanë telefona, nuk kanë internet, nuk lexojnë dot as libra. E vetmja gjë që di vajza ime është trushpëlarja që i bëjnë komandantët e saj natë e ditë, duke i thënë që Irani ka lëshuar agjentë për të na vrarë, por që ne do e fitojmë luftën tonë xhihadiste. Nëse unë do isha vrasës, qeveria kanadeze dhe amerikane do më kishin dënuar dhe çuar në Guantanamo dhe Kanadaja nuk do më jepte statusin e azilantit politik. Unë nuk jam agjent iranian. Unë jam shtetas kanadez, një prind që dua të çliroj vajzën time nga pengmarrja e grupit xhihadist iranian.

Somayeh ka depozituar një kallëzim penal në polici, duke ju akuzuar për përndjekje. Çfarë mund të na thoni në lidhje me këtë çështje?
Depozitimi në emër të Somayes erdhi 4 ditë pasi unë kallëzova MEK-un për pengmarrje të vajzës sime. MEK-u, që është në panik nga padia ime, arriti që pas 4 ditësh dhunë psikologjike të bindë vajzën time të nënshkruajë një letër, ku ajo thotë që unë e përndjek. MEK-u donte të më trembte me këtë padi dhe të më detyrojë mua që të largohem nga Shqipëria dhe ta braktis vajzën time në duart e xhihadistëve. Por unë u gëzova nga kjo padi. Sepse me këtë padi unë shpresoj që të shoh vajzën time në sallën e gjyqit dhe para gjyqtarit t’i them që ajo nuk jeton në Irakun e Sadam Huseinit, por në Shqipërinë liberal-demokratike. Në sallën e gjyqit unë do kërkoj nga gjyqtari që ai të përjashtojë gestapon muxhahedine nga salla dhe aty, pa prezencën e terroristëve muxhahedinë, do i them vajzës sime që të kthehet në familje, te ne në Kanada. Do i kërkoj gjyqtares që t’i tregojë Sumayes së trembur – që nëse ajo do – mund ta braktisë kultin xhihadist dhe mund të dalë nga salla e lirë, pa frikë se MEK-u mund ta vrasë.

Cili është shkaku i ardhjes suaj në Shqipëri?
Në Shqipëri kam ardhur së bashku me gruan time që të takojmë vajzën tonë, të cilën nuk e kam takuar që nga viti 2005. Jam duke shkuar në zyra, ministri, polici, gjykata, avokatë etj. dhe po kërkoj gjithandej që shteti shqiptar të më takojë me vajzën time, e cila më është rrëmbyer nga një grup i dhunshëm dhe ekstremist. Dua që të takoj vajzën time dhe ta bind që xhihadi dhe lufta nuk janë opsioni për të ndryshuar botën. Por muxhahedinët nuk po na lënë ta takojmë fëmijën tonë, pse ata kanë frikë, se nëse ne e takojmë vajzën tonë, do të mundim ta deradikalizojmë, ta bindim që ne nuk jemi agjentë iranianë dhe vrasës, por jemi mamaja dhe babai i saj dhe i duam asaj të mirën.

Vajza ndihet e kërcënuar nga prezenca juaj dhe është shprehur që prania juaj tregon se regjimi iranian po planifikon të komplotojë kundër MEK. Pse ky reagim i Sumayes?
Muxhahedinët janë hipokritë dhe manipulatorë të mëdhenj. Ata kanë bërë me mijëra vrasje në Iran, Irak, Evropë etj. Deri në vitin 2012 ata ishin listuar si organizatë terroriste nga OKB-ja, SHBA-të etj. Por edhe pse ata kanë një të kaluar kriminale, tani luajnë viktimën. Gënjejnë dhe përdoren nga disa qeveri të caktuara kundër Iranit. Hipokrizia e tyre shkon aq thellë, saqë na akuzojnë edhe ne, prindërit e Someyes, dy pleq kanadezë si terroristë dhe komplotistë kundër MEK-ut. Më akuzojnë mua, një punëtor krahu nga Kanadaja, për agjent iranian.

A u jeni drejtuar institucioneve shtetërore për ndihmë lidhur me pretendimet që keni se vajza juaj po mbahet peng? Nëse po, cili ka qenë reagimi?
I jam drejtuar Ministrisë së Brendshme. Për fat të keq, drejtori i azilit, Sokol Sheti na ka gënjyer me ditë të tëra dhe na thoshte që vajza jonë nuk është në Shqipëri. Por fatmirësisht, MEK-u na ndihmoi me letrën që botoi kundër nesh dhe pas kësaj e mësuam që vajza jonë është në Shqipëri dhe mbahet peng nga MEK-u. Kam kontaktuar me UNHCR dhe RAMSA-n dhe ata më kanë treguar që vajza ime është këtu, por që nuk bëjnë dot gjë për lirimin e vajzës sonë, pasi MEK-u është nën mbrojtjen e Amerikës dhe qeverisë shqiptare. Pas kësaj i jam drejtuar policisë dhe prokurorisë dhe kam ngritur padi kundër MEK-ut për pengmarrjen dhe izolimin e vajzës sime. Jam duke lëvizur çdo gur ligjor dhe policor që të takoj vajzën time. Nëse shteti shqiptar nuk më ndihmon, pas kësaj do u drejtohem organizatave evropiane që të ndërhyjnë dhe të lirojnë vajzën time nga pengmarrja e grupit xhihadist iranian.

Prej sa vitesh keni humbur kontaktet me Somayeh? Ju thoni që e vetmja gjë që dëshironi së bashku me bashkëshorten është të takoni vajzën tuaj. Mendoni se ky takim do sjellë ndonjë ndryshim?
Për herë të fundit Somayen e kemi takuar në vitin 2005. Prej kësaj kohe MEK-u nuk na ka lejuar më. Kam bërë shumë përpjekje për të takuar vajzën time. Një rast është në vitin 2009 kur me 15 familje iraniane kam shkuar në kampin Ashraf dhe bërtisja me altoparlantë para kampit dhe të gjithë ne thërrisnim fëmijët tanë që të dalin jashtë kampit. Këtë rast, muxhahedinët përmendin në intervistat e tyre kundër meje. Dhe më akuzojnë si agjent iranian, pse unë flisja me altoparlantë në dyert e kampit xhihadist dhe kërkoja që gestapo e MEK-ut të lironte vajzën tonë. Në këtë kohë, MEK-u ishte ende organizatë terroriste sipas OKB-së. Prezenca ime në Shqipëri është përpjekja e fundit për të liruar vajzën time nga ky grup i dhunshëm xhihadist.

Cili është apeli juaj?
Shqiptarë, më ndihmoni që të liroj vajzën time nga grupi i muxhahedinëve iranianë! Vini dorën në zemër dhe mendoni si për veten tuaj. Nëse ju sot braktisni vajzën time, një ditë xhihadistët do marrin fëmijët tuaj dhe do i çojnë në xhihad në Siri, Iran dhe gjithë botën dhe do i bëjnë terroristë. Vini dorën në zemër dhe kuptoni dhimbjen që një nënë dhe baba ka kur e shohin vajzën e tyre të marrë peng nga një grup i dhunshëm dhe ekstremist.

Burimi: GSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne