Mungojnë diplomat, alarmohen maturantët që duan të ikin jashtë

Ndonëse shkolla ka disa javë që ka përfunduar, e po ashtu edhe provimet e Maturës, nxënësit ende nuk kanë marrë dëftesat dhe maturantët diplomat, gjë që rrezikon ata që duan të aplikojnë për studimet e larta jashtë vendit.

“Kemi 182 maturantë që aplikojnë jashtë. Kuptohet që është e vështirë për ata që ta marrin me vonesë kartonin, sepse i djeg ata. Nëse nuk e kanë diplomën brenda datës 10, pasi nga kjo datë e deri në 14 korrik u duhet për të vijuar aplikimet. Rezultatet kanë dalë, por për sa kohë që ne nuk kemi marrë ende të zyrtarizuara rezultatet e Maturës shtetërore, maturantët nuk mund ta kenë në dorë certifikatën dhe diplomën”, tha Teuta Dobi, drejtoreshë e shkollës “Sami Frashëri”.

Në Ministrinë e Arsimit sqarojnë se ka pasur disa vonesa proceduriale në tenderin e zhvilluar për prodhimin e kartonëve për diplomat dhe dëftesat.

“Kjo është një vonesë për shkak të një procedure administrative që ndodh në Ministrinë e Arsimit për blerjen e tyre. Por kjo procedurë prokurimi ka përfunduar. Nesër përfundon afati përfundimtar i ankimeve për këtë procedurë, e menjëherë më pas dëftesat do të jenë gati për prodhim. Besoj se brenda javës tjetër do të jenë plotësuar me dëftesa çdo maturant”, tha Plarent Ndreca, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.

Përveç kartonëve të diplomave, pritet të dalin edhe rezultatet e provimeve të maturantëve nga Agjencia Kombëtare e Provimeve dhe më pas të nisë shpërndarja e diplomave.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne