Ndërsa vendi fillon dhe errësohet, Adeeb Joudeh, një musliman vazhdon rrugën e tij nëpër rrugicat e gurta të qytetit të vjetër të Jeruzalemit rrethuar me mure të lartë duke mbajtur në dorë çelësin e vjetër të një prej vendeve më të shenjta të krishtërimit.

Shumë shekuj më parë, çelësi i hekurt i Kishës së Varrit të Shenjtë ku shumë të krishterë besonin se Jezusi u kryqëzua dhe u varros, iu besua familjes së tij, një prej fiseve më të shquara të Jeruzalemit, thotë Joudeh.

Marrëveshja daton që në kohën e Salaudinit, lideri musliman që rimori qytetin e shenjtë nga kryqtarët në vitin 1187.

“Sinqerisht, është një nder i madh për një musliman që të mbajë çelësin e Kishës së Varrit të Shenjtë, e cila është kisha më e rëndësishme në krishterim”, thotë 53 vjeçari Joudeh.

Një nga familjet muslimane më të vjetra të qytetit është familja Nusseibehs, të cilës i është besuar detyra e hapjes dhe mbylljes së portave të kishës, një detyrë që ata kryejnë deri në ditët e sotme. Kërkon gishta të fortë: çelësi është 30 cm i gjatë dhe peshon 250 gramë.

Historianët kanë disa dallime të lidhuara me marrëveshjen. Disa studiues thonë se Salaudini e vendosi kujdestarinë tek dy familjet për të mbështetur dhe treguar dominimin musliman mbi krishterimin. Gjithashtu kishte edhe qellime financiare, pasi tek dera ishte vendosur një taksë për vizitorët e cila duhej mbledhur.

Megjithatë dokumentimi zyrtar i marrëveshjes bëhet i qartë vetëm në shekullin e 16-të, tha Joudeh, duke treguar dhjetëra “fermanë”, ose dekrete të Perandorisë Osmane të cilët tregojnë se kujdestaria kryesore i përket familjes së tij.

Qyteti i vjetër i Jeruzalemit sot strehon vende që janë të shenjta për të tria fetë monoteiste. Këto vende si dhe vetë Jeruzalemi Lindor u pushtuan nga Izraeli në luftën e vitit 1967.

Izraeli që nga ajo kohë e ka shpallur qytetin si kryeqytetin e tij të pandarë. Ky status nuk njihet ndërkombëtarisht dhe është refuzuar nga palestinezët që e duan Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e shtetit që shpresojnë të formojnë një ditë.

Joudeh thotë se çelësi i tij është rreth 800 vjeçar. Një kopje tjetër që ai mban është thyer pas shumë shekujsh përdorimi.

“Fillova ta kryeja këtë që kur isha tetë vjeç. Është dicka e trashëguar nga babai tek djali, “tha Joudeh. “Unë e kam bërë këtë për 30 vjet dhe ndiej se Kisha e Varrit të Shenjtë është shtëpia ime e dytë”.

Ortodoksët grekë, armenët dhe katolikët ndajnë mes tyre kujdestarinë e kishës, ku shpesh mbizotërojnë edhe tensionet mbi kontrollin e sektorëve të ndryshëm të kishës.

Studiuesi i krishterë Yisca Harani tha se familjet muslimane të ngarkuara me mbajtjen dhe përkujdesjen e çelësit dhe të portave ndihmojnë disi në mbajtjen dhe ruajtjen e paqes midis kishave të krishtera.

“Kisha duhet të jetë patjetër një model i bashkëjetesës”, tha Harani./reuters/Gazeta Impakt

42