Muslimania shqiptare në librin “Guinness”, krijon lulen origami më të madhe në botë

Arbnora Fejza Idrizi nga Kosova ka thyer një rekord në librin “Guinness”, për krijimin e lules origami më të madhe në botë.

Me këtë rast ajo ka prezantuar para qytetarëve të qyztetit të Skenderajt në Kosovë certifikatën e marrë nga stafi i Guinness-it.

Më një shtator të vitit të 2018, Arbnora Fejza-Idrizi ndërtoi një lule origami me diametër 8.7 metra, duke marrë kështu epitetin e të parës në Librin e Rekordeve “Guinness”, ndërkaq certifikatën zyrtare e mori para disa ditësh.

Fejza-Idrizi u shpreh e lumtur që puna e saj dhjetë vjeçare me artin e origamit u kurorëzua me një rekord në librin e famshëm Guinness.

Në mungesë të letrës origami, ajo përdori letër kuzhine, të cilën e palosi 23 herë për të formuar lulen origami.

“Jam krenare që arrita ta prezantoj Kosovën dhe Skenderajn dhe u zgjodha fituese. Kam pasur shumë sfida, por dëshira dhe ëndrra ishin më të mëdha se vështirësitë”, ka thënë Fejza Idrizi.

Ajo ka njoftuar se tashmë po përgatitet për një rekord të veçantë, që ta ndërtojë vazon me lule më të madhe në botë, me flamujt e shteteve që kanë njohur Kosovën.

Përndryshe, rekordin e lules më të madhe në botë e mbante Franca, me lulen me diametër prej pesë metrash. Kurse pas punës së Arbnora Idrizit, këtë rekord tashmë e mban Kosova, me lulen origami me diametër prej 8.7 metrash.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne